Kompania ruse “Laboratori Kasperski” (Kaspersky Lab), e cila prodhon një nga programet antivirus më me popullaritet në botë, po zhvillon sistemin e vet operativ (OS). Kjo u njoftua në konferencën Telecom World 2012 në Dubai.
Fjalë në këtë rast nuk bëhet për ndonjë konkurrent të Windows, MacOS apo Lynux, por për sistemin operativ industrial, i cili nuk do të lejojë sulmet kibertetike të drejtuara ndaj objekteve industriale dhe objekteve të infrastrukturës. Sistemet e specializuara sigurojnë, për shembull, punën e transportit, centraleve elektrike dhe institucioneve financiare. Kur nga programi varet jeta e mijëra dhe miliona njerëzve, atëhere sistemet operative universale nuk janë aspak të përshtatshme, shpjegon Drejtori teknik i IT-kompanisë ruse Positive Technologies Sergei Gordeiçik:
– Ato sisteme operative me të cilat punojmë ne, – Lynux, Windows, MacOS, – janë si tejet universale. Ekziston gjithmonë rreziku i infektimit me virus dhe prania e pikave të dobëta, të cënueshme, gabimeve potenciale të zhvilluesit, të cilat mund të shfrytëzohen nga keqdashësit. Nëse ju projektoni mekanizmat që parandalojnë shfrytëzimin e pikave të dobëta direkt në sistemin operativ, atëhere kjo do të jetë shumë më efektive se sa thjesht përdorimi i antivirusit.
Kreu i “Laboratori Kasperski” Eugjeni Kasperski (Evgeny Kaspersky) saktësoi, se kompania është duke punuar tani për zhvillimin e “sistemit të sigurtë, mbrojtës operativ, të projektuar për sistemet e informacionit me rëndësi jashtëzakonisht të madhe”. Ai nuk do të jetë i lidhur me rrjetet e jashtme, kështu që virusi nuk do të ketë mundësi të depërtojë nga Interneti. Eugjeni Kasperski përmendi si shembuj “krimbin” e famshëm Stuxnet, i cili infektoi kompjuterat e shkencëtarëve bërthamorë të Iranit, si dhe programet Flame dhe Gauss, të destinuar për spiunazh kibernetik.
Duke pasur parasysh përvojën e kompanisë ruse “Laboratori Kaspersky”, famën dhe suksesin e saj, produkt i ri do të gëzojë kërkesa të larta në botë, shprehet me bindje të plotë Drejtori për zhvillimin e IT-kompanisë ruse “1S-Bitriks” Aleksei Sidorenko:
– Tani në të gjithë botën ka një kërkesë të madhe për sistemet e sigurta operative. Unë mendoj se “Laboratori Kasperski”, i cili ka një përvojë të madhe shumëvjeçare në tregjet ndërkombëtare, do të ofrojë një sistem mbrojtës plotësisht konkurrues.
Eugjeni Kasperski nuk përcaktoi afatet e përfundimit të projektit në fjalë. Dhe kjo është plotësisht e kuptueshme. Sepse specialistë të aftë për të krijuar sisteme operative kaq të ndërlikuara ka pak. Përveç kësaj, vetë puna për përpunimin e sistemit praktikisht ka karakter sekret: sepse në çështjet e garantimit të sigurisë nuk ka kurrë vogëlsira.