7.9 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Kapitulli i pastërtisë – Llojet e ujit

Më të lexuarat

Hyrje

Namazi vlerësohet si adhurimi më i rëndësishëm me të cilin Allahu i Lartësuar na obligoi pas dy dëshmive. Për këtë edhe fukahatë, kur i shtjellojnë dispozitat e fikhut,  fillojnë me sqarimin e dispozitave që kanë të bëjnë me këtë adhurim mjaft të rëndësishëm.  Por pasi që  pastërtia është kushti thelbësor për vlefshmërinë e namazit dhe ajo llogaritet çelës i tij, ashtu si thotë Resulullahu: “Çelësi i namazit është pastërtia”[1], atëherë kapitulli i parë i cili i paraprin namazit është kapitulli mbi pastërtinë.

Definicioni dhe llojet e pastërtisë

Fjala “tahare” në aspektin etimologjik (gjuhësor) ka kuptimin: “pastërti”, “dëlirësi”, ndërsa në terminologjinë e fikhut do të thotë: mënjanimi ose pastrimi i ndyrësirave dhe largimi i papastërtive që ia pamundësojnë besimtarit namazin”.

Pastërtia është dy lloje e brendshme dhe jashtme:

Pastërtia e brendshme dhe kuptimore

Është për qëllim pastrimi i besimtarit nga  ndyrësira e shirkut dhe mëkateve dhe kjo pastërti arrihet me teuhid dhe vepra të mira. Ky lloj i pastërtisë është më i rëndësishëm se pastërtia e trupit, madje nuk mund të arrihet pastërtia e trupit, nëse është prezent ndyrësira e shirkut. Allahu i Lartësuar thotë:

“Vërtet, idhujtarët (mushrikët) janë të ndyrë…” Suretu Teube, 28.

Kurse Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Besimtari nuk ndyhet kurrë.” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

Prandaj është e kërkuar prej çdo myslimani, i cili ka arritur moshën e pjekurisë, ta pastrojë zemrën e tij nga ndyrësirat e shirkut dhe dyshimit; kjo arrihet me sinqeritet, teuhid dhe bindje. Gjithashtu nga ai kërkohet ta pastrojë veten dhe zemrën nga ndyrësirat e mëkateve, mbetjet e zilisë, urrejtjes, tradhtisë, mendjemadhësisë, syefaqësisë, mashtrimit; kjo arrihet me pendim të sinqertë nga të gjitha mëkatet. Kjo pastërti është pjesa e parë dhe më e rëndësishme e besimit.

Pastërtia trupore e jashtme

Të pastruarit e trupit nga ndyrësirat. Kjo është pjesa e dytë e imanit (besimit) për të cilin Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) thotë: “Pastërtia është pjesë e imanit.” Shënon Muslimi.  Në këtë kapitull të fikhut shtjellohen dispozitat që kanë të bëjnë me këtë lloj të pastërtisë. Pastrimi i jashtëm bëhet me mënyrat të cilat i ka përligjur Allahu i Lartësuar për besimtarët dhe ai gjithashtu është dy lloje:

Pastrimi me ujë: Ky lloj është ai esencial dhe është për qëllim mënjanimi i ndyrësirave, nga trupi, rrobat dhe vendi ku falemi me ujë, si: abdesi, gusli, etj.

Pastrimi me dhe të pastër: Ky lloj i pastrimit zëvendëson ujin. Me fjalë të tjera, në këtë lloj të pastrimit kalohet në rast të pamundësisë së përdorimit të ujit.

Llojet e ujërave

Uji është dy llojesh[2]:

Uji i pastër: me të cilin largohet papastërtia (xhynybllëku, etj), pra që lejohet të përdoret për pastrim.

Uji i papastër: me të cilin nuk largohet papastërtia dhe nuk lejohet të përdoret për pastrim.

Uji i pastër

Uji i pastër është ai i cili ka mbetur në gjendjen e tij të natyrshme dhe që nuk i është ndryshuar shija, era dhe ngjyra me diçka të papastër. Në ujin e pastër bënë pjesë:

  1. Uji i shiut, borës dhe breshrit.

Çdo ujë që zbret nga qielli pa marrë para sysh a është shi, borë ose breshër, konsiderohet i pastër, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Ne kemi zbritur nga qielli ujë të pastër.” Furkan, 48.

Dhe thënien e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem) gjatë duasë në fillim të namazit: “O Allah, pastroi mëkatet e mia (siç pastron natyrën) me borë, me shi dhe me breshër!” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

  1. Uji i detit.

Uji i detit lejohet të përdoret për pastrim edhe pse shija e tij është e njelmët, pasi që ky nuk është ndryshuar me diçka nga jashtë, por natyra e tij është ashtu. Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se një njeri e pyeti Muhamedin (salallahu alejhi ue selem): “O i dërguar i Allahut, neve lundrojmë në det dhe mbajmë pak ujë me vete, nëse marrim abdes me këtë ujë, atëherë nuk do të arrijmë ta shuajmë dot etjen. A lejohet të marrim abdes me ujë të detit? Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) i përgjigjet: “Uji i detit është i pastër dhe është e lejuar ngordhësira në të.”[3]

  1. Uji i lumit.

Prej argumenteve se ky ujë është i pastër është thënia e Muhamedit (salallahu alejhi ue selem): “Vini re! Po të kishte ndonjëri nga ju lum para derës së tij dhe të pastrohej në të çdo ditë pesë herë, a do t`’i mbetej ndonjë ndyrësirë?”[4]

  1. Uji i pusit (i bunarit).

Në këtë bënë pjesë edhe uji i zemzemit. Transmeton Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) me një rast kërkoi që t’i sillnin një kovë me ujë zemzemi, ku ai piu nga ai dhe më pas mori abdes prej tij. Shënon Ahmedi.

  1. Uji i  ndryshuar.

Është ai ujë që ka pësuar ndryshim, si rezultat i qëndrimit për një kohë të gjatë në ndonjë vend. Si p.sh.: uji në të cilën rriten myshqet (algat), ose kanë rënë gjethet e pemëve, ose lumi i turbulluar, etj. Ky ujë mbetet i pastër edhe pse ndodh që t’i ndryshohet ngjyra, era ose shija, pasi që nuk e ndryshon emrin ose me fjalë të tjera hyn në kuptimin e përgjithshëm të domethënies së ujit. Allahu i Lartësuar thotë: “ …dhe nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum.” Maide, 6. Pra në ajet ka ardhur i pashquar që nënkupton çdo lloji i cili quhet me këtë emër. Se ky ujë është i pastër dhe mund të përdoret për pastërti,  kanë rënë dakord dijetarët.

  1. Uji i mbetur-Suri

Uji i mbetur është uji i cili mbetet në enë pasi është pirë një pjesë e tij nga dikush. Ky është disa lloje.

Uji i mbetur në enë pasi kanë pirë njerëzit në të

Ky ujë konsiderohet i pastër dhe lejohet të përdoret për të larguar xhynybllëkun,  pavarësisht nëse në të ka pirë muslimani i pastër, xhynyb, femra me menstruacione[5], madje edhe nëse në atë enë me ujë ka pirë jobesimtari dhe ka mbetur sasi prej saj.

Pasi që domethënia e ajetit: “Vërtet, idhujtarët janë të ndyrë” Teube, 28, është qëllim të besimit që ata praktikojnë e jo gjendja fizike e tyre[6].

Uji i mbetur në enë pasi në të kanë pirë kafshët që lejohet t’u hahet mishi

Edhe ky ujë është i pastër dhe lejohet të përdoret për pastrim nga xhynybllëku dhe për abdes, pasi që pështyma e këtyre kafshëve është e pastër dhe kjo nuk e ndyn ujin. Ibën Mundhiri sqaron se në këtë ka konsensus të dijetarët në përgjithësi.

Uji i mbetur në enë pasi në të kanë pirë macja, gomari, mushka dhe zogjtë

Edhe ky ujë është i pastër, bazuar në hadithin e Xhabirit, në të cilin Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) është pyetur në lidhje me ujin e mbetur në enën ku kanë pirë gomarët; ai është përgjigjur se lejohet[7].

Kurse për macen, kur është pyetur se a është ndyrësirë apo çfarë të bëhet me të, ai ka thënë se ajo nuk është ndyrësirë dhe se ajo është prej atyre kafshëve që sillen nëpër shtëpi[8].

Uji i mbetur në enë pasi në të kanë pirë qeni dhe derri

Qeni dhe derri janë të papastër dhe se Muhamedi (salallahu alejhi ue selem) ka urdhëruar që të pastrohet ena në të cilën ka llapitur qeni. Ai thotë: “Nëse qeni ka lëpirë ndonjë nga enët tuaja, lajeni atë shtatë herë dhe larjen e parë bëjeni me dhe.[9]

Uji i përdorur

Është për qëllim uji që kullon nga njeriu pas marrjes së abdesit ose guslit. Mendimi më si saktë në këtë është se ky ujë konsiderohet i pastër dhe mund të përdoret për t’u pastruar nga xhynybllëku ose për abdes edhe për herë të dytë. Argument për këtë është se uji në esencë ishte i pastër dhe kur me të për herë të parë u largua xhynybllëku, ajo nuk e ka humbur pastërtinë në vet. Me fjalë të tjera nuk është bërë i papastër[10]. Derisa nuk është bërë i papastër, atëherë nuk kemi argument se nuk mund të përdoret për të larguar xhynybllëkun për herë të dytë.

Ebu Hurejre, transmeton se njëherë është takuar me Pejgamberin (salallahu alejhi ue selem) në një rrugë të Medinës, duke qenë xhynyb, ai u fsheh nga Muhamedi (salallahu alejhi ue selem), shkoi e u pastrua dhe u kthye. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) e pyeti: “Ku ishe, o Ebu Hurejre?” Ai tha: “Isha xhynyb dhe duke qenë ashtu, nuk e ndjeva veten të disponuar të të shoqëroj”. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) tha: “Subhanallah! Muslimani kurrë nuk bëhet i ndyrë!”[11]

Nga ky hadith kuptojmë se deri sa muslimani nuk është asnjëherë i papastër edhe uji që kullohet nga ai është i pastër dhe mund ta përdorim.

Përgatiti: Alaudin Abazi

08.04.2007

[1] Shënon Tirmidhiu, Ebu Daudi dhe hadithi është hasen.

[2] Metodologjia e fukahave në ndarjen dhe klasifikimin e ujërave ndryshon, disa i kanë ndarë në tri lloje (sikurse ulemat hanbeli), disa të tjerë në katër (si ulemat shafi), disa të tjerë kanë bërë ndarje të tjera. Të gjitha këto dallime kanë në vete specifika dhe përparësi, por qëllimi i tyre është i njëjtë, pasqyrimi sa më i qartë i kërkuesit të diturisë (talebu ilmit) se cili ujë lejohet të përdoret për pastrim dhe cili jo. Në këtë rast ne kemi bërë ndarjen në dy lloje (që është ndarje e dijetarve hanefi dhe kjo është zgjedhje e shumë dijetarëve të cilët kanë ardhur më vonë, si: Ibën Tejmije, Abdurrahman Sadi, Ibën Uthejmin dhe të tjerë) duke e klasifikuar atë në ujin që lejohet të përdoret për të hequr papastërtinë (xhynybllëkun) dhe në ujin që nuk mund të hiqet me të papastërtia, pastaj brenda këtij klasifikimi kemi sqaruar llojet e ujit që mund të gjenden.

[3] Shënon Maliku, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe, hadithin e cilësojnë të saktë Ibën Huzejme, Ibën Hiban dhe Hakimi, kurse Tirmidhiu e cilëson se është hasen shahih.

[4] Shënon Buhariu, Muslimi dhe Ahmedi.

[5] Aishja tregon: “Pija nga ena duke qenë e papastër dhe kur ia jepja Profetit (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!), ai e vente buzën e tij në vendin ku unë kam pirë (dhe pinte nga ajo).” Shënon Buhariu dhe Muslimi.

[6] Kjo vërtetohet nga praktika e Profetit (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!), se si ai përzihej me mushrikët, ka pirë nga enët e tyre, ata hynin në xhami kur vinin delegacionet, por ai asnjëherë nuk ka urdhëruar që të pastrohet diçka që atë preknin.

[7] Shënon Darekutni dhe Bejhakiu.

[8] Shënon Maliku, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu. Tirmidhiu e cilëson hadithin si hasen sahih, kurse të saktë e cilësojnë: Buhariu, Ibën Huzejme, Ibën Hibani dhe Hakimi.

[9] Shënon Muslimi dhe Ahmedi.

[10] Se ky ujë nuk llogaritet i papastër thonë edhe ata që nuk lejojnë ta përdorim për herë të dytë.

[11] Shënnon Buhariu, Muslimi, dhe të tjerët.

Uji i papastër
Uji i ndyrë llogaritet uji që ka ndryshuar erën, shijen ose ngjyrën me diçka të papastër. Dispozita sheriatike e këtij uji është se nuk lejohet ta përdorim për të larguar xhynybllëkun ose për abdes.

Nëse uji përzihet me diçka të papastër, por nuk ka ndryshuar asnjërën nga veçoritë e tij, a llogaritet i ndyrë?

Disa nga dijetarët[1] kanë bërë dallim ndërmjet sasisë së madhe të ujit dhe sasisë së vogël të tij. Ata kanë thënë se nëse sasia e ujit është e vogël, atëherë pavarësisht sa është e vogël sasia e ndyrësirës e cila ka rënë në të dhe pavarësisht a i është ndryshuar ngjyra, shija dhe era e ujit, ai konsiderohet ndyrësirë dhe nuk lejohet të përdoret për pastrim.

Nëse sasia e ujit është e madhe, shikohet nëse i ndërrohet njëra nga veçoritë, atëherë ajo konsiderohet e ndyrë, nëse nuk i ndërrohet asnjëra nga veçoritë, atëherë ajo është e papastër dhe nuk lejohet të përdoret për pastrim.

Ata dijetarë që kanë bërë këtë dallim janë nisur nga fakti se sasia e ujit të vogël është e mundur që të ndyhet më shpejt dhe për këtë kanë argumentuar me disa hadithe, por e sakta është të mos bëjmë dallim ndërmjet sasisë së shumtë ose të paktë. Të themi, në përgjithësi, nëse ndyrësira e cila është përzier me ujë ia ka ndryshuar njërën nga veçoritë, atëherë ajo është e papastër dhe nëse nuk ia ka ndryshuar, atëherë ajo mbetet e pastër dhe lejohet të përdoret për pastrim.

Argument se uji nuk konsiderohet i papastër nëse në të bie ndyrësi dhe sasia është e vogël është hadithi të cilin e transmeton Ebu Hurejre, ku ai tregon se një beduin urinoi në xhami. Njerëzit që ishin prezent u ngritën për ta ndaluar dhe Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Lëreni dhe hidhni një kovë ujë mbi urinën e tij.”[2]. Argumenti nga kjo nxirret se kova e ujit (e cila llogaritet sasi e vogël) kur hidhet mbi urinë përzihet me ndyrësirë dhe nëse themi se përzierja e bën atë të ndyrë, atëherë nuk lejohet të llogaritet se ky ujë e ka pastruar vendin vetëm me atë kovë.

Kurse argumenti se sasia e madhe e ujit llogaritet e pastër nëse përzihet me ndyrësirë, por që nuk i ndryshohet gjendja, është hadithi të cilin e transmetohet se Ebu Seid Huderi e pyet Profetin (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “A mund të marrim abdes me ujin e pusit të quajtur Buda`a (afër Medinës)?” Ai tha: “Uji është i pastër dhe nuk e ndot atë”[3].

Në këtë pus tregohet se hidheshin mbeturinat e menstruacioneve dhe qenët i hidhnin mishrat e tyre.

A mund të pastrohet uji i papastër?

Çështja e fundit e cila do të shtjellohet rreth ujërave është ajo se a mund të pastrohet uji i cili është i papastër.

Fukahatë në këtë problematikë flasin duke treguar forma praktike, me të cilat mund të kalojë uji i papastër në ujë të pastër të cilën mund ta përdorim. Për të mos u zgjeruar në përmendjen e këtyre formave, themi se kur uji i papastër pastrohet duke i kthyer veçoritë e njohura të tij (era, shija dhe ngjyra) ai llogaritet i pastër pavarësish me çfarë metode është bërë kjo.

Alaudin Abazi

13.04.2007

[1] Dijetarët hanbeli.

[2] Shënon Buhariu.

[3] Shënon Ahmedi, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu. Hadithi klasifikohet si hasen.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit