Një sasi rekord kokainë me vlerë 1 miliardë dollarë u gjet të martën në portin amerikan të Filadelfias, në Pensilvani, e fshehur mes kontejnerëve të një anijeje. Pjesëtarët e ekuipazhit pranuan se kishin lejuar ngarkesën duke marrë si shpërblim vetëm 50 mijë dollarë secili.
Autoritetet amerikane në qytetin verilindor të Filadelfias kanë sekuestruar një sasi rekord prej 16.5 tonë kokainë.
Ngarkesa masive me një vlerë tregu afro 1 miliardë dollarë u gjet e fshehur në shtatë kontejnerë brenda një anijeje me origjinë nga Kili.
Furnizimi i pakove me drogë raportohet se u krye me vinç nga 14 anije të ndryshme në ujërat e Panamasë dhe Bahamasit.
Pjesëtarët e ekuipazhit janë arrestuar dhe të paktën një oficer dhe marinar i anijes kanë pranuar krimin.
Ata thanë se kishin lejuar ngarkimin e kokainës në mjetin e tyre lundrues në këmbim të 50 mijë dollarëve secili.
Sasia e drogës u zbulua me ndihmën e agjentëve të DEA-s gjatë një inspektimi rutinë.
Prokurori i Pensilvanisë, Uilliam MekSuejn, theksoi se nëse sasia do të kishte rënë në duart e klientëve në SHBA, do të ishin rrezikuar miliona jetë.
Çmimi i një kilogrami kokainë në Shtetet e Bashkuara shkon në 28 mijë dollarë.
Nga muaji mars, në portet amerikane janë sekuestruar rreth 1 ton drogë, përpos sasisë me vlerë 77 milionë dollarë që u konfiskua në muajin shkurt.
Kokaina e sekuestruar të martën përbën sasinë më të madhe të sekuestrua ndonjëherë në Pensilvaninë Lindore, dhe sasinë e tretë më të madhe në historinë e SHBA-së/Ora News.