Një sasi prej 15 kilogramë eksploziv i llojit C4 është sekuestruar nga forcat e policisë mëngjesin e së martës në Durrës.
Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave lënda shpërthyese ishte e ndarë në 31 kallëpe.
Burimet saktësojnë se kanë arrestuar poseduesin e eksplozivit, shtetasin Fatri Xhetiku, i cili dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal.
“Nga Sektori për Trafiqet dhe Narkotikët në Drejtorinë e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi: Fatri Xhediku 52 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi me datë 11.05.2015 u kap në flagrancë me një çantë ku kishte:
-31 copë kallëpë me lëndë eksplozive të dyshuar si C4 me një peshë rreth 15 kg dhe disa kapsolla elektrike detonatore të montuara fitil zjarrepërcjellës.
Arrestimi i këtij shtetasi është bërë pranë Stacionit të Trenit në Durrës.
Ky shtetas dyshohet se është në rolin e transportuesit për një grup kriminal që merret me trafikim të lëndëve eksplozive, për të cilin hetimet janë në vijim.
Materialet i kalun Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “trafikimi i armëve dhe i municionit”, parashikuar në nenin 278/4 të Kodit Penal,” thuhet në njoftimin zyrtar.