1.4 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Kanë thënë për lumturinë

Më të lexuarat

Falënderimi i takon vetëm Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, alejhis selam, pas të cilit nuk ka më pejgamber.

Më poshtë janë disa nga thëniet e dobishme të cilat flasin për lumturisë, realitetin e saj dhe qëllimin se si arrihet ajo.

1- Rrezet kuranore.

Allahu i Madhëruar ka thënë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (Nahl, 97).

Besim + punë të mira = jetë të mirë; e kjo është kulmi i lumturisë.

2- Drita profetike.

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, ka thënë: “E çuditshme është çështja e besimtarit, gjendja e tij është gjithmonë e mirë, nuk është kjo për askënd tjetër, vetëm se për besimtarin. Nëse i vjen atij ndonjë e mirë falënderon, ndërsa kjo është e dobishme për të; nëse i bie ndonjë fatkeqësi duron, gjithashtu edhe kjo është dobishme për të.” (Transmeton Muslimi)

Pra, lumturia është falënderimi në mirësi, e durimi në fatkeqësi.

3- Shmangia prej fitneve.

Mikdad ibn Esvedi, radiallahu anhu, ka thënë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, salallahu alejhi ve selem, duke thënë: “Padyshim se i lumtur është ai i cili u largohet fitneve (sprovave), padyshim se i lumtur është ai i cili u largohet fitneve, padyshim se i lumtur është ai i cili u largohet fitneve.” (Transmeton Ebu Davudi, shejh Albani ka thënë se është hadith i mirë.)

Fitnet janë të shumta, si p.sh.: fitnet e dynjasë dhe pasurisë, fitneja e qeverisjes dhe sundimit, fitneja e prestigjit shoqëror, fitneja e varfërisë, fitneja e epsheve dhe pasimi i gjërave të dyshuara etj.

4- Ëmbëlsia e ibadetit.

Hasan el-Basriu ka thënë: “Kërkojeni lumturinë në tri gjëra: në namaz, në përmendjen e Allahut dhe në leximin e Kuranit. Nëse e gjeni elhamdulilah, e nëse jo atëherë dijeni se dera është mbyllur…”

A e ke gjetur – motra ime – lumturinë në këto tri gjëra? Nëse e ke derën të mbyllur vazhdo në trokitjen e saj pa lodhje, ndoshta të hapet!

-Kënaqësia e vërtetë.
Malik bin Dinar ka thënë: “Nuk janë kënaqur ata që kënaqen sikur në përmendjen e Allahut të Madhëruar.”

Ku e ke pjesën tënde – motra ime e dashur – nga kjo kënaqësi?

5- Kënaqësia e ndjekjes së rrugës së drejtë.

Ibrahim ibn Ed’hemi ka thënë: “Sikur ta dinë mbretërit dhe fëmijët e mbretërve mirësinë dhe gëzimin që kemi ne, do luftonin për të me shpata!”

Kjo është mirësia e rrugës së drejtë, kthimi nga Allahu i Madhëruar, subhanehu ve teala dhe kënaqësia ndaj Tij.

Ku jemi ne nga kjo mirësi dhe lumturi?!

6 – Ngritja natën (për ibadet)

Kanë thënë disa selefë: “Mjekova të ngriturit natën një vit e u kënaqa me të 20 vjet.”

Dikush tjetër ka thënë: “Qysh prej 40 vitesh mua nuk më ka mërzitur asgjë përveç ardhjes së mëngjesit.”

Kjo sepse ai kënaqej gjithë natën me namaz, me dhikr, me dua drejtuar Allahut të Madhëruar e nuk e shkëputi nga kjo kënaqësi vetëm se ardhja e mëngjesit…

Prandaj disa selefë kanë thënë se: “Ata që çohen natën për ibadet janë më të kënaqur se ata që çohen natën për argëtim, sikur mos të ishte nata nuk do të dëshironim të ishim në këtë dynja.”

– Xheneti i dynjasë.

Disa selefë kanë thënë: “Nganjëherë themi: nëse banorët e xhenetit do të jenë në këtë mirësi, padyshim se do të ishin të lumtur.”

Shejh Islam ibn Tejmije ka thënë: “Me të vërtetë në këtë dynja ka një xhenet, ai i cili nuk futet në të nuk do të futet në xhenetin e Ahiretit…”

Një herë tjetër ai ka thënë: “Çfarë do të më bëj mua armiku? Unë e kam xhenetin dhe kopshtin tim në gjoks, kudo që shkoj e marr me vete, nuk më ndahet. Nëse më fusin në burg, unë kënaqem me vetminë me Allahun; nëse më vrasin, shkoj shehid e nëse më nxjerrin prej vendit tim, shkoj si vizitorë.”

7- Adresa e lumturisë.

Imam Ibn Kajimi rahimehull-llah ka thënë: Adresa e lumturisë së personit është në tri gjëra: Nëse i jepet ndonjë e mirë, falënderon; nëse i bie ndonjë e keqe, duron dhe nëse bën ndonjë gjynah pendohet. Këto tri gjëra janë adresa e lumturisë së njeriut dhe shenjë e shpëtimit të tij në dynja dhe ahiret.

8- Bëhu e devotshme që të jesh e lumtur.

Ka thënë një poet:

Nuk e shikoj lumturinë në mbledhjen e mallit të bollshëm,
Porse në lumturi të vërtetë jeton, ai që është i devotshëm.

– Namazi, Namazi.

Pejgamberi, salallahu alejhi ve selem, i thoshte Bilallit: “O Bilall! Na qetëso me namaz.”

9- Katër gjëra janë prej lumturisë.

Pejgamberi, salall-llahu alejhi ve selem, ka thënë: “Katër janë prej lumturisë: gruaja e mirë, banesa e gjerë, komshiu i mirë dhe mjeti i rehatshëm i udhëtimit .” [Transmeton El-Hakimi dhe e ka saktësuar Albani].

Përktheu nga arabishtja: F. Gurra

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit