Ndërsa muslimanët në Kanada falën dje të parin namaz të xhumasë që prej vrasjes së gjashtë besimtarëve në xhaminë në Kebek, raporton The Guardian, qindra njerëz u mblodhën rreth xhamive në tërë vendin për të formuar pengesa mbrojtëse, të quajtura ndryshe nga organizatorët si “mburoja njerëzore” dhe “rrathë paqeje”.
Kështu ngjau në Toronto, ku njerëz që u përkisnin kishave e sinagogave lokale, u bënë rrathë-rrathë përreth shtatë xhamive të qytetit gjatë faljes së namazit të xhumasë.
“Asnjë kanadez nuk duhet të ketë frikë që të shkojë në shtëpitë e adhurimit për t’u lutur,” deklaroi rabini Yael Splansky, i cili qe mes organizatorëve të krijimit të “rrathëve të paqes” rreth xhamive të Torontos.
“Eshtë një skenë e tmerrshme. Imagjinoni besimtarë që shkojnë për t’u lutur në paqe, për t’u lutur për paqe, dhe që janë në rrezik. Shtëpitë e adhurimit janë të shenjta dhe duhen mbrojtur”.
Një drejtues i një shoqate muslimane në Newfoundland, aty ku qindra njerëz u mblodhën dje për të krijuar një “mburojë njerëzore” simbolike para xhamisë së vetme të provincës, për t’i mbrojtur muslimanët, pasi do të shprehej për mbështetjen e marrë gjatë ditëve të fundit, do të thoshte, “Kanadaja ka folur: jo urrejtjes, jo fanatizmit, jo dhunës fetare, jo intolerancës.”
Vrasja e gjashtë personave në një xhami në Kebek të dielën e shkuar është dënuar nga mijëra kanadezë, që kanë dalë në rrugë në shenjë solidariteti me bashkësinë muslimane. /tesheshi.com/