0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Kanadaja, një tjetër “parajsë” e synuar nga kosovarët!

Më të lexuarat

Nuk janë vetëm shtetet e Bashkimit Evropian (BE) ato të cilat i synojnë kosovarët për të migruar. Në këtë kategori futet edhe veriu i kontinentit amerikan.

 Se papunësia është brenga më e madh, kjo është vërejtur ndër vite, por sidomos gjatë vitit 2014. Siç ka raportuar Telegrafi më parë, lajmet më të lexuara në këtë vit, në rubrikën e ekonomisë, ishin pikërisht ato që ndërlidheshin me ofertat për punë – për të huajt – në shtetet perëndimore.

 

Vitin e kaluar shteti i Kanadasë ka paralajmëruar se në vitin 2015 do të pranojë deri në 285 mijë emigrantë. Se kjo shifër është rekorde në historinë e pranimit të migrantëve, këtë e kishte thënë edhe ministri i Shtetit dhe Emigracionit, Chris Alexander.

 

Ai paralajmëroi se në vitin 2015 Kanadaja do t’i bashkojë shumë familje emigrantësh dhe se do të vazhdojë të ofrojë ndihmë për qytetarët më të rrezikuar të botës.

 

Shumica e imigrantëve të rinj, përkatësisht 65 për qind prej tyre, do të vijnë nga kategoria e emigrantëve ekonomikë, ndërsa 35 përqindëshi i mbetur do të përbëhet nga anëtarët e familjeve të emigrantëve të cilët tashmë ndodhen në Kanada dhe që duan të vazhdojnë të jetojnë në këtë vend.

 

Lehtësimi më i madh që bëri ky shtet për këtë vit është ndryshimi i sistemit të migrimit. Viza e re e quajtur Express Entry zëvendësoi atë që deri tash quhej Expression of Interest, ndërsa paraqet një mënyrë të re që Kanada t’i selektojë emigrantët në bazë të aftësive dhe njohurive që i identifikojnë Qeveria dhe punëdhënësit. Express Entry do të ofrojë po ashtu edhe mundësi edhe për qëndrim afatgjatë në Kanada.

 

Mu për këtë, shteti i Kanadasë paraqet një tjetër destinacion të preferuar për kosovarët, për arsye se ky vend dallohet me zhvillim të madh ekonomik dhe me mundësi të mëdha për punësim. Kanadaja futet në shtetet më të zhvilluara të botës (është anëtare e G8-shi), ka një territor të madh – me densitet prej 3.41 banorëve në një kilometër katror (për krahasim, Kosova, sipas regjistrimit të vitit 2011, ka 159 banorë në një kilometër katror). Pos kësaj, Kanada është mbretëri, ndërsa sistemi shtetëror ofron siguri që bazohet në traditën britanike.

 

Një nga arsyet pse Kanada nuk është preferenca kryesore për kosovarët, mbase është distanca e madhe që ky vend ka nga Kosova. Siç dihet, shqiptari megjithatë është i lidhur emocionalisht me vendlindjen e tij, ndonëse Kosova nuk i ofron as siguri e as perspektivë për të ardhmen.

 

Sidoqoftë, numri i kosovarëve që kërkojnë qëndrim në Kanada nuk është edhe aq i vogël. Promokos – njëra nga kompanitë në Kosovë që ofron ndihmë për qytetarët e Kosovës të cilët synojnë që të largohen drejt Kanadasë – bën të ditur për Telegrafin se numri i kosovarëve që kane kanë kërkuar asistencë në kompaninë e tyre, brenda tri viteve te fundit e ka tejkaluar shifrën prej 25 mijë personave. Sipas statistikave, bazuar prapë në regjistrimin e vitit 2011 në Kosovë, kjo i bie 1.5 për qind e popullatës së vendit, e që nuk është pak.

 

Hamëz Bytyqi, nga Promokos, sqaron për Telegrafin se arsyet kryesore të aplikimit të kosovarëve për të shkuar në Kanada janë arsyet ekonomike.

 

Sipas tij, mosha e aplikantëve është nga 21-35 vjeçare, ndërsa shumica janë me diploma universitare, por pa kualifikime përkatëse dhe pa referenca pune, që është njëri ndër kriteret kryesore që kërkon Kanadaja. Kjo njëherësh dëshmon edhe degradimin që ka kapluar sistemin arsimor të Kosovës, përderisa të diplomuarit nuk mund të punojnë e as të krijojnë përvojë në lëmenjtë për të cilët janë shkolluar.

 

Bytyqi ka sqaruar se herën e fundit për në Kanada janë nisur tri familje nga Kosova, në mbështetje të të cilëve kanë qëndruar personat (familjet) të cilët kanë një gjendje solide komike në Kanada.

 

Kushtet e Kanadasë për t’i pranuar qytetarët e Kosovës, nuk janë të pakta. Ato përfshijnë kualifikimet superiore, nivel mbi mesataren të njohjes së gjuhës angleze apo frënge (certifikata ELTS), referenca pune, si dhe kontratë pune në ndonjë kompani kanadeze.

 

“Nëse aplikon si punëtor i kualifikuar, kërkohet përvoja minimum pesëvjeçare e punës në Kosovës, si dhe diploma përkatëse nga kualifikimet. Çdo dokument duhet të jetë i përkthyer në gjuhën angleze apo frënge dhe të gjitha dokumentet duhet të jenë të vërtetuara tek Noteri”, ka shtuar Bytyqi.

 

Ndryshe, vetëm gjatë dy muajve të fundit, sipas informatave që ka Telegrafi – por që nuk janë zyrtare – llogaritet se mbi 50 mijë kosovarë kanë lëshuar Kosovën, në kërkim të një jete më të mirë nëpër vendet e Evropës. Zyra e Emigracionit e Ministrisë së Brendshme hungareze, ka konfirmuar se vetëm deri më 25 janar, në Hungari janë regjistruar gjashtëmijë kosovarë. Kjo e çon numrin e azilkërkuesve kosovarë në këtë vend – brenda tre muajve – në 24 mijë.

 

Shumica nga këta që ikin janë të rinj, siç janë edhe aplikuesit për t’u larguar për në Kanada. Sipas statistikave, rreth 70 për qind e të rinjve në Kosovë janë të papunë, kurse 500 mijë qytetarë llogaritet jetojnë me vetëm 1.72 euro në ditë. Sa për krahasim, një lopë e Francës subvencionohet me dy euro në ditë. /Blendi Devolli/Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit