Emrat e kryeqyteteve të shteteve të ndryshme, të personaliteteve të huaja të politikës dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare shpesh i shikojmë në qendra social-kulturore, bare dhe restorante, por në vitet e fundit këto emra kanë sjellë një risi ndryshe në rrugët e qytetit të Kamzës, në Shqipëri.
Pothuajse rrugët kryesore të qytetit të Kamzës në Qarkun e Tiranës janë emërtuar sipas emrave të qyteteve më të njohur të botës, por edhe sipas emrave të personaliteteve dhe ish-personaliteteve politike brenda dhe jashtë vendit, ndërsa emrat përfshijnë metropolet e njohura nga Evropa, Azia, Amerika, Australia, etj.
Kjo nismë ka sjellë edhe kureshtjen e vizitorëve të huaj, por edhe vetë autoriteteve të huaja, ndërsa kjo bashki me anë të këtyre emërtimeve ka si qëllim shtimin e shkëmbimeve kulturore, por jo vetëm, me kryeqytetet e shteteve të ndryshme.
Në morinë e madhe të këtyre emërtimeve pranë qendrës së qytetit të Kamzës spikat bulevardi me emrin e presidentit amerikan Donald Trump, më pas rruga “Ankara”, “Stamboll”, që janë të vendosura në afërsi të qendrës së qytetit.
Në distanca jo shumë larg nga njëra-tjetra në këtë qytet ndodhen edhe rrugët me emrat “Xhorxh Bush”, “Mustafa Qemal Ataturk”, “Tony Blair”, “Silvio Berluskoni”, etj.
Ndërsa emrat e rrugëve që spikasin më shumë janë rrugët “Uashingtoni” “Nju York”, “Teksas”, “Shkupi”, “Brukseli”, “Amsterdami”, “Roma”, Parisi”, “Strasburgu”, “Londër”, “Dubai”, “Athina, “Vjena”, “Gjeneva” “Berlini”, “Pekini”, “Montekarlo”, “Montreal”, “Meksika”, “Helsinki”, “Sofja”, “Prishtina”, “Podgorica”, “Bukureshti”, “Budapesti”, “Lisbona”, “Buenos Aires” dhe “Barcelona”.
Ndërkohë, kjo bashki ka marrë vendimin për të emërtuar një rrugë me emrin “Sarajeva”, ndërsa ende nuk kanë përfunduar procedurat e vendosjes së tabelës.
Pjesë e këtyre emërtimeve janë edhe organizatat e mëdha ndërkombëtare si NATO, OSBE, Këshilli i Evropës, dhe emra të tjerë që i përkasin ngjarjeve të ndryshme historike dhe simboleve kombëtare dhe ndërkombëtare.
– “Qëllimi është krijimi i urave lidhëse me metropolet e botës”
Artan Dervishi, zv.kryetar dhe drejtor i Medias dhe Informacionit pranë Bashkisë Kamëz, në një prononcim për AA thekson se qëllimi i vendosjes së këtyre emërtimeve është mbështetja për politikat e zhvillimit në aspektin lokal dhe krijimi i urave lidhëse me metropolet e botës.
“Kemi disa binjakëzime, me disa nga bashkitë më me zë në botë, përfshirë edhe Bashkinë e Ankarasë e cila mbetet një nga bashkitë që ne kemi pasur bashkëpunim të gjerë. Vendosja e këtyre emrave sipas këtij koncepti ka të bëjë me zgjerimin e marrëdhënieve ndërkulturore, që është një element për t’u marrë në konsideratë sidomos në Bashkinë e Kamzës”, tregon Dervishi.
Bashkia Kamëz si institucion i është referuar politikave zgjeruese ose gjeopolitikës lokale që sipas Dervishit është një element që është marrë parasysh për të zhvilluar qytetin, sipas tij, për t’iu afruar zhvillimit të këtyre qyteteve.
“Së pari emri i metropoleve që kanë edhe një afërsi komunikimi ka të bëjë me përcaktimin e disa politikave të ndërsjella që ne mund kishim ura lidhëse për shembull ndërmjet Stambollit, Ankarasë, apo kryeqyteteve të Evropës me Bashkinë Kamëz. I jemi referuar më tepër politikave të zhvillimit në aspektin lokal”, shprehet Dervishi.
Sipas tij, një nismë e tillë është mirëpritur nga kryetarët e bashkive të huaja, duke e konsideruar si “një vlerësim të jashtëzakonshëm dhe një mirënjohje të jashtëzakonshme”.
Dervishi vlerëson se kjo bashki merr përsipër të bëjë vlerësime të të gjithë qendrave urbane që kanë një zhvillim kohor duke i vlerësuar ato dhe për të krijuar një hapësirë të gjerë bashkëpunimi dhe ndërlidhje ndërinstitucionale, e cila sipas tij vazhdon të jetë funksionale.
– “Bashkia Kamëz do ta vazhdojë këtë nismë”
Aktualisht popullsia e Bashkisë Kamëz varion deri në 170 mijë banorë, ndërsa banorët e saj janë pothuajse nga të gjitha qytetet e Shqipërisë që janë vendosur në qytet gjatë 28 viteve të fundit, përfshirë edhe komunitete të ndryshme si ai egjiptian dhe rom.
“Ka një harmoni të jashtëzakonshme sociale e cila tregon atë lloj modeli të integritetit që kanë kulturat e ndryshme”, thekson Dervishi.
Në mesin e emërtimeve të huaja janë edhe rrugët me emrat e qyteteve të Shqipërisë, dhe ngjarjeve dhe personaliteteve të ndryshme historike shqiptare.
“Bashkia Kamëz do ta vazhdojë këtë nismë dhe do të jetë një nga politikat nxitëse të këtyre vendeve për të kontribuar dhe afruar me tepër me Bashkinë e Kamëz, ku drejtpërdrejt do të jenë qytetarët e saj që do Të njohin impaktin e duhur qoftë në investime, dhe në ndihma reciproke”, shprehet Dervishi.
Kamza ka qenë me status administrativ, komunë, deri në vitin 1996, ndërsa në atë vit, për shkak të zhvillimeve demografike, social-ekonomike dhe urbane, u shndërrua në njësi administrativë vendore me status bashki.