3.6 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kamatat e larta pengojnë aktivitetet biznesore

Më të lexuarat

Edhe gjatë këtij viti, normat e larta të kamatave për kredi kanë qenë barrierë për bizneset kosovare, ç’gjë në masë të madhe ka vështirësuar ambientin e të bërit biznes në vend, vlerësojnë ekspertë për çështje financiare dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Kamatat e larta të kredive, po pamundësojnë zhvillimin e aktiviteteve të bizneseve, thotë Mejdi Abazi, ekspertë për çështje financiare, duke shtuar se një normë e tillë është ngarkesë e madhe për bizneset.
“Shkak për një normë të lartë të interesit është konkurrenca e pamjaftueshme në Kosovë. Do të thotë, numri i operatorëve bankarë që veprojnë në vend, është ende i vogël. Rënia e interesave, ulja e interesave në treg, bëhet vetëm me një konkurrencë të shtuar, sepse Banka Qendrore e Kosovës, ekzekutivi, nuk mundet me apele t’i ulë normat e interesit, por vetëm shtimi i numrit të operatorëve”, thotë Abazi.

Kamatat e kredive në Kosovë sillen nga 9 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë, norma këto që vazhdimisht janë cilësuar si më të lartat në rajon.

Ndërkaq, kamatat e kredive për biznese arrijnë deri në 14 për qind, varësisht nga operatori bankar.
Këto kamata të kredive paraqiten shqetësim për komunitetin e biznesit, thotë Berat Rukiqi, këshilltar i Bordit në Odën Ekonomike të Kosovës. Ai megjithatë, thekson se duhet të gjenden forma për uljen e rrezikut financiar.

“Duhet të bëhet më shumë për të ulur rrezikun dhe, në anën tjetër, që të rriten garancitë për rrezikun financiar që mund të jenë edhe një mekanizëm që mund të luajë qeveria në vitet e ardhshme”, shprehet Rukiqi.

Sidoqoftë, në një hulumtim të mëhershëm të realizuar nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thuhet se 25 për qind e bizneseve të falimentuara, veprimtarinë e kanë shuar për shkak të kamatave që aplikojnë bankat komerciale.

Ndryshe, bankat komerciale kanë ulur interesat në depozita nga një mesatare 4.5 për qind në një mesatare në dy për qind, thotë Mejdi Abazi, ndërsa nuk kanë lëvizur fare interesat për kredi, sepse, siç thotë ai, bankat po ndihen komode në një konkurrencë të tillë.

“Ka rritje të kursimeve, sepse qytetarët nuk po janë të sigurt të bëjnë biznese në një klimë të tillë. Dhe, gjëja më e lehtë është që paratë të ruhen në bankë, sesa të fillojnë ndonjë biznes, i cili është i pasigurt dhe ka klimë të rëndë biznesi në Kosovë”, shprehet Abazi.

Edhe në një analizë që ka bërë vitin e kaluar Instituti “Riinvest”, thuhet se për shkak të hipotekës dhe normës së lartë të kredive, mbi 70 për qind e ndërmarrjeve kanë deklaruar se shërbimet në sistemin bankar janë të pafavorshme për zhvillimin e veprimtarive të tyre. /bs/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit