-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Kam një pyetje rreth thonjve

Më të lexuarat

Pyetja:

Kam një pyetje rreth thonjve. Kam një motër e cila elhamdulilah e fal namazin, mirëpo ka dëshirë të rrisë thonjtë. Më ka pyetur rreth tyre, por nuk dita t’i tregoja për ndalimin e tyre me argumente. A mund të na jepni disa argumente rreth ndalesës së tyre?
Selamu alejkum ue rahmetullahi ue bereketuhu!
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pa dyshim, Islami i jep rëndësi të madhe mbajtjes së pastërtisë dhe për ta kuptuar këtë nuk ka nevojë për ndonjë mund të madh; shumë dispozita me të cilat urdhërohet muslimani synojnë mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj pastërtisë, sikurse: gusuli (larja), abdesti, pastrimi i dhëmbëve, shpëlarja e hundës, mënjanimi i qimeve nga pjesët intime, bërja synet për meshkuj, etj. Në këto dispozita bën pjesë edhe prerja e thonjve, pasi ky është një veprim me të cilën janë urdhëruar muslimanët dhe konsiderohet prej natyrshmërisë së pastër të njeriut. Për të kuptuar më drejt se çfarë dispozite kanë shkurtimi i thonjve në Islam, do të sjellim dy hadithe:

1. Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Pesë sende janë nga natyra e fitres (natyrshmërisë së pastër):
1. Pastrimi i vendeve të turpshme (mënjanimi i qimeve),
2. Bërja synet (rrethprerja),
3. Shkurtimi i mustaqeve,
4. Mënjanimi i qimeve nga nënsqetullat,
5. Shkurtimi i thonjve1.”

2. Transmeton Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Resulullahu salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Dhjetë gjëra janë prej fitres:
1. Shkurtimi i mustaqeve,
2. Lëshimi i mjekrës,
3. Përdorimi i misvakut
4. Larja e hundës me ujë,
5. Pastrimi i pjesës ndërmjet gishtërinjve,
6. Prerja e thonjve,
7. Shkulja e qimeve nga sqetullat,
8. Mënjanimi i qimeve nga vendet e turpshme,
9. Pastrimi me ujë pas kryerjes së nevojës së madhe.”
Transmetuesi e ka harruar të dhjetën, por ai thotë se ka mundësi të jetë shpëlarja e gojës.2

Këto dy hadithe sqarojnë mjaft mirë rëndësinë e prerjes së thonjve, pasi në to vihet në pah se ky veprim së bashku me të tjerat përputhet me natyrshmërinë e pastër të njeriut.

Nuk mendoj se ka nevojë të flasim shumë për dëmin e rritjes së thonjve, pasi kjo është e kuptueshme, por fatkeqësisht qasja e njerëzve ndaj këtij veprimi dhe trajtimi i tij si formë zbukurimi për femra na bën që t`i themi disa realitete për të sqaruar se sa është e paqëlluar të konsiderohet zbukurim kjo praktikë. Në vitin 1986 është mbajtur Seminari i Katërt Botëror i Mjekësisë Islame në Kuvajt. Aty është përgatitur një studim nga dr. Jahja Havaxhi dhe dr. Ahmed Abdul Ahir, në të cilin është argumentuar se zgjatja e thonjve nuk përkon me realitetin e zbukurimit të femrës ashtu si mund të pretendohet në disa shoqëri dhe vende në kohën bashkëkohore. Në vazhdim do të sjellim disa njohuri që janë përmendur në këtë studim.

Dëmet e rritjes së thonjve

-Dobia e thonjve është që t`i mbrojnë majat e gishtërinjve dhe të rrisin efektivitetin e tyre gjatë prekjes dhe kontaktit me gjërat. Pjesa e rritur e thoit, e cila tejkalon gishtin, është e padobishme dhe nuk ka kurrfarë vlere, madje kjo është e dëmshme në shumë aspekte, disa nga të cilat do të përmenden në pikat e mëposhtme.

-Kur zgjaten thonjtë, krijohen hapësira poshtë tyre dhe këto janë vende shumë të përshtatshme për t`u grumbulluar ndyrësirat, mikrobet dhe parazitët e ndryshëm që shkaktojnë sëmundje. Por jo vetëm kjo, ato vende janë shumë të përshtatshme që të shërbejnë edhe si inkubatorë për baktere të ndryshme dhe pastaj të përcillen sëmundje të ndryshme te personat me të cilët ka kontakt njeriu që zgjat thonjtë.

-Thonjtë e zgjatur pamundësojnë apo vështirësojnë kryerjen e shumë punëve, të cilat janë përditshmëri për secilin njeri, si kapja dhe prekja e gjërave, në punët shtëpiake; femrat posaçërisht ballafaqohen me probleme të shumta gjatë kryerjes së përditshmërive shtëpiake.

-Ato janë të dëmshme edhe në raport me të tjerët, pasi u ngjasojnë kthetrave dhe gjatë lëvizjeve të shpejta të pakontrolluara mund ta lëndojnë dikë. Nuk është larg këtij rreziku edhe vetë personi që i zgjat thonjtë.

-Rritja e thonjve shkakton dëme edhe te thonjtë, sikurse thyerja dhe çarja e tyre kur kanë kontakte me objekte të ngurta. Pastaj si shkak i rritjes së thonjve ato mund të trashen dhe ta ndryshojnë formën dhe dëme të tjera.

Motër e nderuar, kjo ishte ajo që arritëm të sjellim në lidhje me pyetjen tuaj. Lusim Allahun e Lartësuar që të na i hapë zemrat dhe t`i shohim gjërat ashtu si janë në të vërtetë dhe të mos mashtrohemi me atë që na shërbehet nga të tjerët me ambalazhe tërheqëse, ashtu siç është duke ndodhur edhe në lidhje me këtë praktikë.

Alaudin Abazi
23.11.2008

1 Shënon Buhariu dhe Muslimi.
2 Shënon Muslimi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit