Pyetja:
Ata që bëjnë pjesë në sekte, kanë për të dhënë përgjegjësi përpara Zotit në Ditën e Gjykimit. Kam frikë se nëse falem gabimisht, mos jam sekt në të falur e jo tamam si duhet?
***
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Fillimisht themi se termi sekt nuk ka të bëjë me mënyrën e të falurit. Me fjalë të tjera, dallimi në formën e të falurit mes muslimanëve nuk është pikë ndarëse në mes Ehli Sunetit dhe grupimeve të tjera të devijuara, por dallimi në mes tyre është në besim dhe në metodologjinë e nxjerrjes së argumenteve nga citatet sheriatike dhe çfarë konsiderohet burim i sheriatit.
Vëlla i nderuar, pa u zgjeruar themi se Islami është i qartë dhe kuptimi i përmbajtjes së mësimeve është i thjeshtë, pa komplikime dhe pa fshehtësi. Nëse njeriu e realizon besimin e tij në Allahun e Lartësuar duke qenë i nënshtruar vetëm ndaj Tij dhe duke mos i shoqëruar Atij dikë në adhurime (pra, pa e përzier besimin e tij me shirk), atëherë ai do të jetë i shpëtuar.
Njeriu i cili e kryen faljen duke e zbatuar këtë objektiv (e kryen faljen vetëm për Allahu e Lartësuar) dhe mundohet t`i pasojë mësimet e sakta të Muhamedit, ﷺ, atëherë atë njeri Allahu i Plotfuqishëm nuk do ta humbë.
Alaudin Abazi