Pyetja:
Përshëndetje. Duke ju falënderuar për punën që bëni, uroj shpërblim tek Allahu i madh. Kam një pyetje shumë shqetësuese dhe shpresoj që të marr një përgjigje sa më të saktë dhe të shpejtë nga ju.
Unë jam një djalë 18 vjeçar nga Tirana. Kur kam qenë në moshën 10 vjeçare, kam pasur dëshirë të mësoj sa më shumë për Zotin. Mundësia m’u dha që të shkoja në një kishë dhe atje për 5 vjet me radhë kam marrë mësime të krishtera dhe jam rritur me këtë frymë më pas, duke lexuar më shumë, duke vënë re më shumë gjëra. Me pak fjalë, deshi Allahu që të më udhëzonte në fenë e Tij dhe unë kështu pranova Islamin në moshën 16 vjeçare, si sot para 3 vitesh. Por ajo që më shqetëson më shumë dhe që ma brengos zemrën është që unë para një viti kam kuptuar që jam “gay” dhe në vetvete e kam pasur shumë të vështirë ta pranoja këtë gjë dhe gjithmonë e kam kundërshtuar, por ajo që është caktuar të ndodhë, do të ndodhë. Unë me dashje pa dashje kam bërë punën e popullit të Lutit, shumë keq jam ndier, kam derdhur lot pse unë duhet të jem i tillë, pse unë duhet ta braktis fenë islame, që është kaq e pastër, vetëm e vetëm që jam i tillë. I kam lexuar historitë e popullit që Allahu i ndëshkoi vetëm e vetëm për këtë vepër. Jam në pikë të hallit, nuk dua ta bëj këtë vepër të urryer, por nefsi më shtyn. Allahu më shkon në mendje kur bëj “zina”, një nga veprat më të mëdha pas shirkut. Nuk e keni idenë se sa keq ndihem pse unë duhet të jem i tillë. Kam lexuar librin “Sëmundja dhe ilaçi” të Ibn Kajimit, por prapë bie në këtë punë të fëlliqur. Nuk po gjej një rrugëzgjidhje. Ju lutem, sa më parë, se kam shumë nevojë për një përgjigje. E di që unë duhet të dënohem për punën që bëj, por…
Përgjigjja:
Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Vëlla i nderuar!
Pyetjes tënde rreth homoseksualizmit, se çfarë vepre është, si trajtohet ajo në Islam dhe gjëra të tjera rreth tij, i jemi përgjigjur në njërën nga përgjigjet e mëhershme. Prandaj mund të ktheheni atje në këtë link:
http://www.klubikulturor.com/Cfare-te-bej-per-ti-harruar.htm
Aty do të gjeni gjerësisht të gjitha gjërat që do të ishte mirë t`i dinit rreth kësaj vepre të shëmtuar, por ajo që na bëri përshtypje nga pyetja që keni parashtruar është bindja juaj (apo së paku ashtu si shpreheni ju) se njeriu lind për nga natyra homoseksual.
Ky pretendim është i gabuar dhe nëse njeriu që në fillim e trajton këtë vepër kështu, si diçka e natyrshme dhe normale me të cilën lind, atëherë ju vetëm se e keni ligjësuar këtë, pasi e trajtoni si normale e jo çrregullim. Prandaj edhe ata që bëjnë thirrje për lejimin e homoseksualizmit pikënisje të tyre kanë një pretendim të tillë. Ne me këtë rast vetëm dëshiruam ta theksojmë këtë vërejtje, për të vënë në pah se një pretendim i tillë është pa vend dhe i paqëndrueshëm. Por, për më gjerësisht kthehuni në linkun e lartpërmendur.
Alaudin Abazi
18.5.2007