2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Kallashnikovët nga Shqipëria në kamionë të lopëve

Më të lexuarat

Shok shkakton në opinionin publik një artikull i gazetës të së dielës “To Vima” që pasqyron mënyrën se si hyjnë mijëra kallashnikovë nga Shqipëria në Greqi.

Një shtetas shqiptar që ka transportuar dhe ka shpërndarë armë në Greqi tregon për gazetën edhe detajet më të hollësishme se si kryhet trafikimi i tyre. Në shumicën e rasteve, shprehet trafikuesi emri i të cilit padyshim që nuk zbulohet, kallashnikovët vijnë nga Shqipëria në kamionë me lopë, viça dhe bagëti të tjera në mënyrë që policët ta kenë të vështirë kontrollin.

Sipas artikullit, në Athinë ka mbi 1000 shtëpi që përbëjnë baza për kallashnikovët dhe armët e tjera që vijnë me shumicë dhe ndahen më pas me copë. Kallashnikovët e “pastër”, domethënë ata me të cilët nuk janë kryer ende vrasje shiten nga 1000 deri ne 1500 euro, kurse ata “të përdorurit” në krime kanë një çmim të ulët prej 200 eurosh.

Gjithashtu më të shtrenjtë janë fishekët kinezë pasi mund të përshkruajnë jelekët antiplumb të policisë greke. Në Greqi vlerësohet se ndodhen në këto momente më shumë se 600 mijë kallashnikovë të prodhimeve të ndryshme. Edhe një vjedhje e thjeshtë kohët e fundit kryhet me këtë lloj arme.

Në dy vitet e fundit kur shifrat e kriminalitetit thyejnë rekorde në vend, janë asgjësuar mbi 40 banda me kallashnikovë, midis tyre edhe shumë grupe shqiptare. Cdo vit kryhen 7000 bastisje, pra rreth 20 çdo ditë dhe një në tre përfundon në përleshje me armë.

Vetëm në 6 muajt e fundit 35 persona kanë humbur jetën në këto raste. Sipas gazetës, Greqia konsiderohet vendi i kallashnikovëve dhe zyrtarët e lartë të policisë flasin se në asnjë vend të botës policia nuk bëhet objekt sulmi me këto armë sa në Greqi, ndërsa sekuestrimet e tyre janë të papërfillshme. Burime policore bëjnë me dije se kallashnikovët që vijnë në Greqi nuk janë ata të depove shqiptare të hapura pas vitit ‘97, por të prodhimeve nga vende të ndryshme që hyjnë nga kufiri shqiptar me kamionë apo me Mercedesë nëpërmjet rrugëve malore.

Gjithashtu ato hyjnë nga kufiri bullgar apo nga portet e Kretës me anë të anijeve të vogla. Por preferohen më shumë kallashnikovët që shiten pranë kufirit shqiptar sepse shiten me çmim më të lirë, përfundon artikulli, transmeton TCH.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit