1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Kallamari, verë e ‘Jagermeister’ në darkën e Bujar Bukoshit me para të shtetit

Më të lexuarat

Një drekë zyrtare e ish- zëvendëskryeministrit të Kosovës, Bujar Bukoshi, i kushtoi buxhetit të shtetit 139 euro e 80 centë.

Në faturën e datës 6 mars 2012, që figuron se është lëshuar në orën 01:43, nuk saktësohet se a bëhet fjalë për orët e hershme të mëngjesit apo pas mesditës.

Dreka zyrtare e faturuar te zyra e zëvendëskryeministrit Bukoshi në restorantin ‘RRON’, përfshin 4 copë ‘Jagermeister’, që është lloj alkooli, verëra të llojit ‘Monty’s Hill’, që kushton 15 euro për shishe dhe lloje të tjera të alkoolit.

Në drekë përveç tjerash ishin porositur edhe kallamari në grill, levrek dhe ramstek viçi.

Në po të njëjtin vit, faturat zyrtare të siguruara nga BIRN dëshmojnë se Bujar Bukoshi kishte realizuar një udhëtim zyrtar për në Bullgari, ku kishte shkuar së bashku me bashkëshorten e tij.

Këshilltari politik i atëhershëm i Bukoshit, Bersant Beka kishte kërkuar avans për këtë udhëtim në vlerë prej 3 mijë e 200 euro.

Vizita ishte realizuar në mes datave 19 prill deri më 21 prill 2012 dhe udhëtimi ishte bërë me veturë zyrtare.

Një udhëtim tjetër zyrtar i Bukoshit për në Shqipëri, në total kishte kushtuar 154 euro e 66 centë, ndërkaq zëvendëskryeministri kishte qëndruar në hotelin ‘Sheraton’ në Shqipëri.

Bujar Bukoshi kishte shërbyer si Kryeministër në ekzil në fund të viteve ’90.

Në dy vitet e fundit, Qeveria e Kosovës ka ndarë 60 mijë euro për shërimin e Bukoshit.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit