“Nëse Evropa heq dorë nga marrja në mbrojtje e radikalëve, ndihma ndaj terroristëve dhe nga sjelljet agresive ndaj qytetarëve turq që jetojnë në BE, situata shkon drejt përmirësimit”, tha zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kallën (Ibrahim Kalın).
Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kallën (Ibrahim Kalın) në një intervistë për “Al Jazeera” në anglisht, ka folur për referendumin që do të mbahet më 16 prill në Turqi për ndryshimet kushtetuese.
“Nëse Evropa heq dorë nga lançimi i radikalëve, ndihmesa e terroristëve dhe nga sjelljet agresive ndaj qytetarëve turq që jetojnë në BE, situata shkon drejt përmirësimit. Pretendimet se Turqia është larguar nga BE-ja është një tjetërsim i asaj që po ndodh në të vërtetë”, tha Kallën.
Duke shpjeguar se përse i duhet Turqisë sistemi presidencial, ai thotë se Turqia momentalisht nuk ka një sistem të mirëfilltë parlamentar, por një sistem të përzier] i ndërtuar nga puçistët pas grushtit ushtarak të vitit 1960 dhe pas atij të 1980-ës.
Duke vënë në dukje se ky sistem kishte si qëllim mbrojtjen e totalitarizmit ushtarak, Kallën në vijim shton se ky sistem nuk prodhon gjë tjetër vetëm se qeveri të dobëta koalicioni dhe shkakton ndarje të theksuara politike.
Ai në vijim ka shtuar se puna e dobët e qeverive të kaluara, të cilat përbeheshin nga koalicione, ka prodhuar puçe ushtarake. Sipas tij, para puçit të vitit 1980 parlamenti nuk mundi të zgjedhë presidentin në 115 seanca votimi, ndërsa thekson se qeveria e 1997-ës, pjesë e së cilës ishte edhe Partia e Mirëqenies (Refah Partisi), ra si rrjedhojë e presionit të ushtarakëve.
Zëdhënësi Kallën thotë se me sistemin presidencial demokracia e Turqisë do të jetë më e mbrojtur nga ndërhyrjet e jashtme. Ai ka shtuar se qeverisjet me koalicione kanë treguar se nuk mundin të gjejnë zgjidhje për shumë probleme dhe veçanërisht për ato të ekonomisë. Kallën thekson se pas vitit 2002, ku në Turqi ka qeverisur një parti e vetme, shumë reforma janë bërë me lehtësi, ndërsa politika në vend ka hyrë në një stabilitet afatgjatë. Ai vë në dukje se me ndryshimet kushtetuese e ardhmja e Turqisë do të jetë më shumë e orientuar nga stabiliteti.
Ndërsa lidhur me pretendimet e shteteve perëndimore dhe të partive politike opozitare në Turqi, se është duke u zgjedhur një sistem autokratik, Kallën thotë: “Asnjë nga këto kritika nuk është e vërtetë. Nëse ndryshimet kushtetuese pranohen, atëherë do të ketë një ndarje shumë të mirë të pushteteve. Parlamenti për herë të parë do të ketë të drejtë të hapë një proces gjyqësor ndaj Presidentit dhe nëse do të jetë e nevojshme do të mund të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme presidenciale. Presidenti ndaj të cilit do të hapet një proces gjyqësor, nuk do të mund të marrë vendim për zgjedhje të parakohshme. Deri më tani Presidentët nuk janë gjykuar, me përjashtim të hetimeve për tradhti kombëtare. Çdo njeri duhet të lexojë mirë përpara se të arrijë në përfundime si dhe duhet të kuptojë mirë mekanizmat frenuese”.
– “Do të mbrojmë interesat tona”
Lidhur me një pyetje për marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së Kallën thotë: “Deklaratat se dyja palët janë shkaktare të kësaj situate të acaruar, nuk pasqyrojnë të vërtetën. Shumë vende të BE-së sot ua kanë hapur krahët organizatave të ndryshme terroriste si PKK dhe FETO, organizata këto që vrasin njerëz të pafajshëm në Turqi. Javët e shkuara këto shtete ndërsa ndaluan diplomatët turq për tubime, lançuan dhe ndihmuan organizatat terroriste për organizimin e tubimeve dhe fushatës elektorale në mënyrë që në referendum (e 16 prillit në Turqi) të dalë ‘Jo’. Zyrtarët e Turqisë kishin për qëllim vetëm informimin e qytetarëve që jetojnë jashtë vendit për ndryshimet kushtetuese. Politikanët evropianë këtë e bëjnë në Turqi. Nëse heqin dorë nga së llastuari radikalët e djathtë, nga ndihma ndaj terroristëve dhe sjelljet agresive ndaj qytetarëve turq në vendet e tyre, atëherë marrëdhëniet mes Turqisë dhe BE-së shkojnë përsëri në drejtimin pozitiv. Në këtë kuadër pretendimet se Turqia është larguar nga Evropa nuk pasqyrojnë realitetin“.
Kallën ka rikujtuar se Turqia është pjesë e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në BE. “Por njëkohësisht ne jemi një vend i pavarur dhe një vend që punon për interesat e veta, si dhe për të ruajtur këto interesa. Asnjë parter nuk mund të jetë i njëanshëm. Marrëdhëniet Turqi – BE nuk mund të jenë të tilla në këtë kontekst”,- shtoi Kallën.