Drejtori i Qendrës për Çështje të Azisë Juglindore, Profesori i Asociuar Nehginpao Kipgen, thotë se kalimi i Mianmarit në një demokraci të plotë mund të zgjasë dhjetëra vite
ANKARA (AA) – Drejtori i Qendrës për Çështje të Azisë Juglindore në Universitetin Jindal të Indisë, Profesori i Asociuar, Nehginpao Kipgen, thotë se kalimi i Mianmarit në një demokraci të plotë mund të zgjasë dhjetëra vite për shkak të incidenteve të dhunshme në Arakan.
Kipgen në deklaratën për Anadolu Agency (AA) foli lidhur me sulmet e ushtrisë së Mianmarit ndaj civilëve në Arakan me arsyetim se po ndërhyn ndaj militantëve të armatosur.
Ai thotë se Mianmari duhet të ballafaqohet me të vërtetat. “Duhet të kuptohet se përderisa nuk adresohen çështjet themelore si problemi i identitetit dhe shtetësisë së Rohingyave, kërcënimi i sigurisë do të vazhdojë”, tha Kipgen.
“Për shkak të incidenteve të dhunshme në Arakan, kalimi i Mianmarit në një demokraci të plotë mund të zgjasë dhjetëra vite”, thotë profesori Kipgen.
Sipas tij, pranimi i Rohingyave si shtetas të Mianmarit është shumë i vështirë apo edhe i pamundur, për një numër të madh të qytetarëve të Mianmarit, përfshirë edhe ushtrinë dhe grupet e nacionalistëve ekstremistë.
“Problemi i vërtetë është se qeveritë e Mianmarit dhe të Bangladeshit nuk shprehin dëshirë që t’i pranojnë muslimanët Rohingya si shtetas të tyre”, thotë ai.
Duke theksuar se kjo krizë do ta dëmtojë procesin e paqes në vend, Kipgen shton se përveç Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe bashkësisë ndërkombëtare, edhe Mianmari dhe Bangladeshi duhet t’i përmbushin nevojat e muslimanëve të Arakanit.
“Qeveria e Mianmarit duhet të ndërmarrë hapa konkretë për eliminimin e përkufizimeve për lëvizjen e lirë të komunitetit Rohingya, zgjidhjen e problemit të shtetësisë së Rohingyave si dhe për t’i dhënë fund ndarjes së detyrueshme etnike në mes të budistëve të Arakanit dhe muslimanëve Rohingya”, thekson profesori Kipgen.
Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.
Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar qindra fshatra. Për këtë arsye sipas të dhënave të OKB-së më shumë se 500 mijë muslimanë të Arakanit janë strehuar në Bangladesh.