1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Kali që i ngordhi Skënderbeut dhe skenari si produkt rus

Më të lexuarat

Është dëshpëruese të mendosh se skenari i filmit “Skënderbeu”, i vetmi kushtuar heroit kombëtar, është dhe ai produkt rus. Pra, rusët, ish-aleatë ideologjikë në atë kohë që morrën përsipër realizimin e filmit, kanë hyrë dhe aty ku së paku duhej të kishte një dorë shqiptare.

Një dokument i rrallë i shkurtit 1952 zbulon tratativat e para mes Shqipërisë e Bashkimit Sovjetik për xhirimin e filmit “Skënderbeu”. Edhe pse ideja ishte hedhur kohë më parë, konkretizimi përmes shkresave zyrtare e më tej një kontrate mes palëve u realizua në pranverën e vitit 1952. Dokumenti që sjellim ekskluzivisht, është aprovimi i dhënë palës ruse për skenarin e filmit, që hap rrugën më tej për nisjen e punës për realizimin e tij.

Sipas kryetarit të komitetit të Arteve e Kulturës, Fatmir Gjata, ky skenar i realizuar nga M.G.Papava,  e zgjidhte në mënyrë të drejtë figurën e heroit tonë kombëtar si nga ana historike ashtu edhe nga ana artistike. “M.G.Papava ka realizuar një vepër që i vlen shumë popullit shqiptar dhe për të cilën i jemi shumë mirënjohës”, shkruan Gjata.

Siç dëshmojnë faktet historike, vetëm një vit më vonë në pranverën e 1953 artistët rusë do të vinin në Shqipëri për të kryer një pjesë të xhirimeve të filmit, ndërkohë që skenat masive ishin xhiruar në Rusi. Grupi i artistëve i kryesuar nga regjisori i filmit Sergei Jutkevi dhe aktori Akaki Horava, që interpretoi Skënderbeun, u pritën në muajin mars 1953 në portin e Durrësit.

Siç shkruhet mes një varg kujtimesh në librin ese “ARTI I SHTATË NË TIRANË”, botim i vitit 2011, bashkë me regjisorin Jutkeviç, dhe aktorët, erdhën edhe 6 kuaj të bardhë. Fatkeqësisht kali që do të ishte për të kalëruar heroi ynë, ngordhi, kështu që Akaki Horavës iu desh të përdorte një kalë tjetër. Nё film janё pёrdorur karrige origjinale tё kohёs sё Skёnderbeut, tё dhuruara nga njё familje nё Mirditё. Pjesa më e madhe dhe kryesore e filmit ishte xhiruar në ish-Bashkimin Sovjetik. Në vendin tonë do plotësohej filmi me pjesёmarrjen e artistëve tanë si dhe do përpunohej varianti i dublimit të filmit në shqip, në Kinostudion “Shqipëria e Re”.

Më poshtë sjellim dokumentin ku jepet aprovimi për skenarin e filmit dhe rekomandohej që roli i heroit në pamundësi që të luhej nga një aktor shqiptar të interpretohej nga një artist i mirënjohur rus për publikun shqiptar, si përshembull Çerkasov.

Republika Popullore e Shqipërisë

Komiteti i Arteve dhe Kulturës

Nr.127 prot.

Tiranë 13 /II/1952

Ministrisë së Kinematografisë të BRSS

Moskë

Komiteti i Arteve dhe i Kulturës  ka mendimin se skenari i M.G.Papavas “Gjergj kastrioti Skënderbeu” e zgjidh në mënyrë të drejtë figurën e heroit tonë kombëtar si nga ana historike ashtu edhe nga ana artistike. M.G.Papava ka realizuar një vepër që i vlen shumë popullit shqiptar dhe për të cilën i jemi shumë mirënjohës.

Skenari në përgjithësi aprovohet nga Komiteti.

Pasi shqyrtoi skenarin dhe vërejtjet që i janë bërë atij më parë së bashku me autorin e skenarit M.G.Papava dhe me regjisorin S.O.Jutkeviç, Komiteti i Arteve dhe i Kulturës  u dërgon juve vërejtjet e fundit dhe propozimin për shkurtimin e skenarit që i bashkangjiten kësaj letre.

S.O. Jutkeviç e M.G.Papava na vunë në dijeni mbi vendimin e Qeverisë Sovjetike për punimin e filmit  të “Skënderbeut” së bashku me Republikën Popullore të Shqipërisë. Në pamundësi që rolin e Skënderbeut ta lozi aktor shqiptar do të dëshironim që rolin e Skënderbeut ta lozin artistët sovjetik të mirënjohur në Shqipëri si p.sh. Çerkasov.

Për të lidhur marrëveshjen e filmit presim sa më parë të deleguarin tuaj.

Komiteti i Arteve dhe Kulturës

Kryetari. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit