2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kafshët, si “anëtarë” të rinj të familjes moderne

Më të lexuarat

Nga Driton Arifi

Njeriu në rrugëtimin e tij për të njohur realisht vetveten, shpeshherë mbetet i shtangur nga rezultatet e çuditshme që ka arritur. Ai, me gjithë dëshirën e tij të flaktë që epilogu i këtij rrugëtimi njohës të jetë dobiprurës për të, gjen befasisht se ka realizuar të kundërtën e dëshirës së tij.

Njeriu është krijesë sociale, e rrjedhimisht ai s’mund të jetojë jetë normale pa shoqërimin e tjetrit. Mirëpo, dilema që është ngjallur fuqishëm në kokën e shumë njerëzve kohëve të fundit është se kush duhet të jetë ai “tjetri” me të cilin njeriu duhet të shoqërohet e ta kalojë shumicën e kohës së tij. Kush është ai që duhet t’ia falim kohën, kujdesin, preokupimin, edhe dashurinë tonë si njerëz.

Disa shtresa aristokrate të kohëve moderne, të cilat jetojnë një jetë ultra moderne e luksoze, kanë gjetur “zgjidhje” për dilemën e tyre. Në vend të njeriut, ata kanë zgjedhur të shoqërohen me kafshët. I kanë futur ato brenda shtëpive të tyre, sikur të ishin pjesë e familjes së tyre, me to hanë e me to pinë, me to bien e me to zgjohen.

Kështu kafshët janë bërë “anëtarët” më të rinj të shtëpisë dhe familjes bashkëkohore.

Nuk janë të paktë ata njerëz, që sot komunikojnë me një qen ose me një mace, e të cilën e ka “adoptuar”, e ka përkëdhelur dhe e llogarisin pjesëtar të familjes së tyre.

Këta njerëz nuk hezitojnë të ofrojnë arsyetime për këtë mishërim të jetës së tyre me kafshët. “Jemi lodhur nga njerëzit pa njerëzi”, thonë ata. Me kafshët e kalojmë më mirë se sa me njerëzit. Tek e fundit, ç’të keqe kanë këto, a s’janë edhe këto krijesa të Zotit? Arsye si këto e shumë të tjera i dëgjojmë prej kësaj shtrese të shoqërisë me shumë krenari e mburrje.

Mirëpo, pikëpyetja që do ta provokonte secilin njeri në këtë rast është se, a thua, a mund që njeriu nevojën e tij për bashkëjetesë me dikë të llojit të tij (njeriun), ta mbushë duke u shoqëruar me një kafshë, pavarësisht shkallës së “miqësisë së fuqishme” dhe besnikërinë e madhe që ajo ka me njeriun.

Jo rrallë herë kemi dëgjuar nga disa prej atyre që jetuan në perëndim, se kur ndonjërit prej atyre që mbanin kafshë brenda shtëpisë u vdiste babai, nëna ose dikush nga të afërmit e familjes së ngushtë, nuk shfaqnin ndonjë shenjë pikëllimi a mërzie të dukshme. Pikëlloheshin “racionalisht”. Mirëpo kur të tillët sprovoheshin me “sprovë të rëndë”, sepse ndaheshin nga “anëtarët e përkëdhelur” të shtëpisë së tyre (qentë ose macet), ata nuk përmbaheshin dot, dalloheshin qartazi dhe shprehnin pikëllimin e ndarjes në çdo rast.

Për ironi, do të ishte arsye e mjaftueshme që të tillëve t’iu shpreheshin e ngushëllimet e përzemërta nga miqtë dhe dashamirësit e tyre. Këta të fundit, këtë solidarizim në pikëllim e dhimbje, nuk e shihnin të arsyeshme që ta bënin në raste të vdekjes së të afërmve apo të miqve të tyre. E dalluan qartazi shkallën dhe nivelin e pikëllimit të mikut të tyre, se në cilin rast është pikëlluar tej mase, e që ka nevojë më shumë për solidarizim. Tek e fundit edhe kështu mund të shprehet miqësia me disa njerëz , e pse jo edhe respekti për ta.

Duket se edhe tek ne një fenomen i tillë nuk është më i panjohur. Dukuritë e huaja importohen tek ne shumë më lehtë e më shpejt se sa mallrat tregtare. “Tregu i lirë” për këto dukuri është hapur prej kohësh tek ne.

Siç mund të vërehet, mbajtja e kafshëve dhe shoqërimi me to në vend të njerëzve, për më shumë, shpreh maninë e disave që të krenohen me diçka që të tjerët nuk e gëzojnë e as nuk e shohin të udhës ta bëjnë. Mirëpo, këtu qëndron thellësia e krizës së humanizmit njerëzor dhe devijimi i skajshëm i njeriut racional në këtë pikë. Këtu shpërfaqen simptomat e fuqishme të mungesës së moralit dhe dinjitetit njerëzor. Në të tilla raste dëshmohet se njeriu ende nuk ka arritur mjaftueshëm që ta njohë vetveten dhe t’i përcaktojë nevojat urgjente të tij.

Qysh në fillim të shekullit të 20-të, nobelisti dhe shkencëtari francez, Alexis Carrel, vuri re fenomenin se njeriu modern nuk është duke e njohur veten e tij, e rrjedhimisht nuk mund t’i njohë as nevojat dhe domosdoshmëritë që ai ka. Këtë e sqaroi që kur e shkruajti librin e tij të mirënjohur “Man, The Unknown – Njeriu , kjo krijesë e panjohur“, ku ndër të tjera shprehej: “S’ka dyshim se mosnjohja jonë ndaj vetvetes ka natyrë të mahnitshme, sepse ajo nuk buron nga fakti se arritja deri te informacionet e domosdoshme për këtë është e vështirë, apo për shkak se informacionet nuk janë të sakta ose pse ato janë të pamjaftueshme. Përkundrazi, krejt kjo kthehet tek sasia e mahnitshme e informacioneve, dhe paqartësitë që i krijojnë ato në kokën e njeriut“. Edhe pse kemi informacione të shumta rreth anatomisë sonë, kjo nuk nënkupton gjithsesi se e njohim mjaftueshëm vetveten.

Ne besojmë që edhe ky shoqërim i vrullshëm me kafshët nga ana e disa njerëzve dhe rrjedhimisht ftohja e raporteve njeri-njeri, vijnë si rrjedhojë e mosnjohjes së mjaftueshme të njeriut në raport me veten e tij, me nevojat dhe domosdoshmëritë e tij.

Shikuar në konceptin hyjnor islam, mbajtja e disa kafshëve në rrethana të caktuara dhe kujdesi ndaj tyre, nuk konsiderohet veprim negativ, nëse kihet parasysh ruajtja e pastërtisë. Përkundrazi, ajo konsiderohet vlerë e virtyt human në aspektin islam. Mirëpo ajo që është shqetësuese, e që Islami shfaq rezervë të hapur në raport me të, është se kafshët shtëpiake, nëse mbahen dhe me arsye, ato kurrsesi nuk duhet ta zënë vendin e njeriut në respekt e dashuri.

Një shok i të Dërguarit (Paqja e Zotit qoftë mbi të!) që mori nofkën Ebu Hurejre (pronari i dy maceve), vetëm për shkak se ai i mbante dy të tilla, vazhdimisht në mëngët e tij.

Mirëpo një gjë është e sigurtë, se as ai e as të tjerët pas tij, kujdesin ndaj kafshëve kurrë nuk e bënë në kurriz të respektit ose mirësjelljes dhe nevojës së tyre për shoqërim me njerëz. Kjo sepse, qeni e macja, as në të kaluarën e as në të ardhmen nuk mund ta zëvendësojnë njeriun.

Ta duash njeriun dhe të shoqërohesh me të është humanizëm, ndërsa të përpiqesh për zgjidhjen e halleve të tij është fisnikëri e bujari e vërtetë. Ky koncept i shëndoshë nuk vjetërohet nga zhvillimi shkencor e teknologjik.

Pavarësisht dilemave që mund t’i kenë në kokë ata njerëz që kanë zgjedhur të bashkëjetojnë me kafshë, një gjë duhet ta pranojnë domosdoshmërisht, se ekziston dallim i madh në mes atij që për çdo ditë bie në mbrëmje dhe zgjohet në mëngjes me të lehurat e qenve dhe mjaullimat e maceve dhe në mes atij që bie e zgjohet me të qarat ose të qeshurat e fëmijëve. Këtë dallim ndjenjash e emocionesh dinë ta bëjnë më së miri ata që i kanë provuar të dy mënyrat e jetesës.

Njeriu mund të kërkojë mik e shoqërues të jetës edhe krijesa të tjera, por prehjen dhe qetësinë do ta gjejë vetëm pranë atij, që është nga lloji i tij. Kjo është dëshirë hyjnore.

Larg çdo dileme, njeriu jeton i qetë vetëm pranë njeriut. Dhe ky është humanizmi i kulluar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit