5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Kafshata e dhënë të shpëton jetën

Më të lexuarat

Një zonjë pa në ëndërr që një burrë nga të afërmit e saj e kafshoi gjarpri dhe vdiq në vend. Kjo ëndërr e frikësoi pa masë dhe me tu gdhirë u nis drejt shtëpisë së personit në fjalë dhe ia rrëfeu ëndrrën ogurzezë që kishte parë. Njëkohësisht i shprehu dhe frikërat e saj dhe i kërkoi të tregohet i kujdesshëm dhe të marrë masa.

Pavarësisht se ishte thjesht një ëndërr, ajo e besoi si të ishte e vërtetë. Vetë ëndrra dhe mënyra si e rrëfeu zonja e bënë të afërmin e saj ta besojë dhe ta kaplojë frika e hutimi.
Pasi e mori pak veten vendosi të therë dy desh si kurban, me shpresë se veprat e mira do e ruajnë nga e keqja që paralajmëronte kjo ëndërr.
Ashtu bëri.

Në darkë, dy deshtë e therrur ishin pjekur dhe po u servireshin njerëzve të tij të afërt dhe fqinjëve të ftuar në atë gosti. Gjithçka shkoi për mrekulli, njerëzit u ngopën dhe mishi i tepërt u shpërnda tek nevojtarët dhe fukarenjtë përreth.
Vetëm një copë mishi kishte mbetur.

Vetë i zoti i shtëpisë nuk kishte futur copë mishi në gojë për shkak të ankthit që e kishte kapluar, edhe pse në pamje të parë dukej i buzëqeshur dhe i çelur në fytyrë para të ftuarve. Nga brenda ai përjetonte një frikë e panik të madh.

Pasi u shpërndanë të gjithë ai pa copën e mishit të mbetur dhe pasi mori një copë bukë e mbështolli dhe u bë gati ta kafshojë. Por, në atë çast i erdhi në mendje një zonjë e moshuar që banonte pas shtëpisë së tij dhe që nuk kishte mundur të vijë për shkak se ishte e pafuqishme.

“Si e paskam harruar atë zonjë?!” dhe menjëherë e mori copën e mishit të mbështjellë me bukë dhe u nis drejt shtëpisë së saj. Trokiti dhe me të dalë i tha:”Të kërkoj shumë ndjesë por nuk mbeti veçse kjo copë mishi!”

Zonjës së moshuar iu bë shumë qejfi, më shumë nga akti sesa nga sasia. Ajo e hëngri mishin me bukë, ndërkohë që disa eshtra të holla i hodhi nga dritarja.

Atë natë, në orët e vona, një nepërkë u afrua pas shtëpisë së zotërisë duke ndjerë aromën e mishit dhe dhjamit të pjekur. Ajo i gjeti eshtrat e holla dhe menjëherë i gëlltiti, por njëri nga eshtrat rastisi i fortë si gjilpërë dhe i ngeci në fyt horizontalisht. Ajo filloi ta përplasë kokën për mureve dhe përtokë duke dashur të shpëtojë nga kocka në fyt, por pa fajde. Mbështillej e përdridhej nga dhimbja sa në një qoshe në një qoshe tjetër, e megjithatë eshtra e hollë dukej kokëfortë.

Nga përplasjet e gjarprit me disa teneqe dhe dërrasa, dëgjuan dhe njerëzit e shtëpive përreth dhe dolën të shohin çfarë po ndodh. Sigurisht doli dhe i zoti i shtëpisë që kishte therrë kurbanët.

Ndërkohë gjarpri me eshtrën në fyt duke u mbështjellë e përplasur kishte mbërritur tek porta e zotërisë. Me ta parë atij iu rrënqeth trupi, mori një dru të madh dhe e goditi gjarprin në kokë me sa fuqi kishte.

Mandej, u rrëfeu njerëzve që shihnin të çuditur çfarë kishte ngjarë atë ditë nga ëndrra e deri në atë çast. Ngjarja u përcoll gojarisht për një kohë të gjatë dhe njerëzit, pasi përfundonin tregimin e saj, shtonin:”Kafshata e dhënë të shpëton jetën!”

Perktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit