0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Ju këshillon që të merrni mësim

Më të lexuarat

Një ajet në Kuran, për të cilin Abdullah b. Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Është ajeti më përmbledhës në Kuran”, ndërsa Umer. b. Abdulazizi ka urdhëruar leximin e tij në hutbe ditën e xhumasë. Dijetari, Sulltanul ulema, el Iz b. Abduselam, për këtë ajet ka thënë se i ka përfshirë të gjitha dispozitat e sheriatit në të gjithë kapitujt e fikhut. Ky ajet është fjala e Allahut të Lartësuar: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (Nahl, 90).

Medituesi mbi këtë ajet fisnik vëren se ai ka mbledhur dispozita obliguese dhe ato vullnetare, flet edhe mbi moralin dhe etikën. Pasi qëndron kështu, është e rëndësishme që të hedhim dritë mbi këtë ajet, duke shpjeguar kuptimin e tij, të përfitojmë nga dobitë e tij si dhe të përmendim rreth tij diç nga hadithet e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të.

Nga ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, siç transmeton Taberiu, transmetohet se ka thënë: “Me drejtësi në këtë ajet nënkuptohet dëshmia se nuk ka hyjni tjetër që meriton të adhurohet pos Allahut, ndërsa me mirësinë nënkuptohet kryerja e obligimeve (farzeve).

Adhurimi i Krijuesit e jo i krijesave konsiderohet drejtësi e vërtetë. Kush i zbaton obligimet e Allahut në formën më të përsosur ai ka bërë mirësi. Për këtë shkak, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, për burrin i cili u betua se nuk do të shtojë (adhurimet) përveç atyre obliguese, ka thënë : “Ka shpëtuar, nëse e ka thënë të vërtetën” (Mutefekun alejhi), respektivisht nëse e kryen atë që i është obliguar në formë të përsosur, ai e ka kryer obligimin që ka.

Sa i përket dobive të cilat ceken rreth këtij ajeti përmendim:

1- Ajeti ka lidhshmëri të ngushtë me ajetin paraprak dhe atë pasues. Ajeti paraprak është fjala e Allahut të Lartësuar: “Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje” (Nahl, 89). Në aspekt të përgjithshëm, ky ajet përmend se Kurani ka sqaruar të gjitha dispozitat e sheriatit, ku më pas ka ardhur ajeti vijues për të sqaruar në detaje atë që ka përgjithësuar ajeti, përmes sqarimit të bazave të legjislacionit të fesë islame, të cilat kthehen në urdhërimin në të mirë dhe në ndalimin nga e keqja. Ngase sheriati, siç thotë Ibn Ashuri, i tëri është urdhërim dhe ndalim.. Ajeti ka ardhur të sqarojë të qenët e Kuranit sqarues për çdo gjë. Ajeti është përmbledhës i bazave të legjislacionit. Ndërsa sa i përket ajetit pas tij, është fjala e Allahut të Lartësuar: “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato” (Nahl, 91) Ky ajet është sqarim dhe degëzim i ajetit për të cilin flasim ne. Nëse do thuaj fjala e Allahut “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë ” konsiderohet parathënie dhe hyrje për fjalën e Tij “Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj Allahut”. Kësisoj ajetet janë të ndërlidhura njëri me tjetrin me një lidhshmëri të ngushtë.

2- Ajeti urdhëron për dy çështje universale dhe një tjetër të pjesshme dhe krahas kësaj ndalon nga dy çështje universale dhe nga një tjetër e pjesshme. Ajeti urdhëron për drejtësinë dhe mirësinë dhe këto konsiderohen dy çështje universale. Në to bën pjesë çdo mirësi. Çdo veprim i zemrës e përfshin drejtësia dhe mirësia. Çdo fjalë të cilën e flet njeriu në të hyn drejtësia dhe mirësia. Ato urdhërohen në çdo fushë, kërkohen në të gjitha situatat dhe duhet të kujdeset për to në të gjitha rastet. Ndërsa fjala e Allahut të Lartësuar “dhe ndihmën për të afërmit”, konsiderohet çështje e pjesshme, për faktin se ndihma e të afërmve mund të futet në drejtësinë dhe në mirësinë. Dhënia e lëmoshës të afërmve dhe ndihma e tyre konsiderohet dhe është pjesë e drejtësisë dhe e mirësisë, për të cilën Allahu ka urdhëruar me të. Gjithashtu, ndalimi nga “imoraliteti dhe veprat e shëmtuara” është ndalim nga dy çështje universale, për faktin se këto dy gjëra mbledhin të gjitha të këqijat dhe të gjitha dëmet, të dukshme dhe të padukshme, qofshin ato në çështjet e besimit, të adhurimit apo moralit, në nivel individual apo në atë kolektiv. Ndërsa ndalimi nga “dhuna” konsiderohet çështje e pjesshme, për faktin se dhuna bën pjesë brenda imoralitetit dhe veprave të shëmtuara.

3- Ky ajet është përmbledhës për të gjitha urdhëresat dhe ndalesat. Është referencë në të cilën kthehen të gjitha çështjet e pjesshme. Çdo çështje e cila përfshin drejtësinë, mirësinë, ndihmën e të afërmve konsiderohet prej asaj që ka urdhëruar Allahu i Lartësuar dhe çdo çështje e cila përfshin imoralitetin, veprat e shëmtuara apo dhunën konsiderohet prej gjërave të cilat i ka ndaluar Allahu. Nga ky ajet kuptojmë gjërat e bukura për të cilat Allahu ka urdhëruar dhe gjërat e shëmtuara nga të cilat Allahu ka ndaluar.

4- Drejtësia në këtë ajet është argument përmbledhës për të drejtat personale dhe ato të përgjithshme. Muslimani është i urdhëruar me drejtësi me veten e vet, me pastrimin dhe avancimin e saj drejt asaj që është e dobishme dhe e vlefshme. Ai është i urdhëruar me drejtësi në raportet me njerëzit tjerë në fjalë dhe në vepra, në gjërat materiale si në pasuri dhe në ato kuptimore si këshilla dhe të drejtat e vëllazërisë islame dhe njerëzore. Para gjithë kësaj ai është i urdhëruar me drejtësi në lidhjen me Krijuesin e tij duke i pranuar cilësitë e Tij dhe zbatuar urdhrat e Tij.

5- Allahu i Lartësuar dhënien e pasurisë të afërmve e ka veçuar duke e bërë nga lloji i drejtësisë dhe mirësisë, duke i paralajmëruar besimtarët se i afërmi është më parësor ti bëhet mirësi sesa të tjerëve. Në kohën e injorancës, pjesën absolute të mirësisë ia kushtonin njerëzve të largët dhe këtë me qëllim të syefaqësisë dhe kjo dukuri vazhdon të jetë e përhapur edhe në ditët e sotme, prandaj ajeti i paralajmëron për një gjë të tillë.

6- Ajeti urdhëron për tre gjëra; urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën e të afërmve gjithashtu ndalon tre gjëra të tjera; imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Secila nga urdhëresat ka ardhur në mënyrë të veçantë: “Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë”, (Maide, 8). Fjala e Allahut të Lartësuar “Bëni të mira, Allahu me të vërtetë i do bamirësit ” (Bekare, 195), dhe fjala e Allahut “Jepuni të afërmve të drejtën e tyre” ( Isra, 26). Prej ajeteve, në të cilat Allahu i Lartësuar ka mbledhur mes urdhrit për drejtësinë dhe mirësinë, është edhe fjala e Tij “Nëse ndëshkoni, ndëshkoni as sa jeni ndëshkuar, por, nëse duroni, kjo është më e mira (rrugë) për të durueshmit” (Nahl, 126). Ndëshkimi për ndëshkimin konsiderohet drejtësi ndërsa të duruarit ndaj ndëshkimit është mirësi. Ngjashëm me këtë është edhe ky ajet “Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me atë të keqe. Por, atë që fal dhe pajton, e pret shpërblimi i Allahut. ” (Shura, 40) Shpërblimi për të keqen është drejtësi, ndërsa falja e saj konsiderohet mirësi. Ndërsa, prej ajeteve në të cilat Allahu ka mbledhur ndalimin nga imoraliteti, veprat e shëmtuara dhe dhunën është fjala e Tij “mos u afrohuni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta” (Enam, 151). Imoraliteti dhe dhuna edhe pse nuk janë të përmendura drejtpërdrejt në këtë ajet ato futen në kuadër të të këqijave.

7- Dikush mund të thotë se fundi i ajetit nuk përshtatet me fillimin e tij, për faktin se ajeti mbaron me “këshillë”, “Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.”, përderisa fillimi i tij ka ardhur me urdhër dhe ndalim, e siç dihet këshilla bëhet me inkurajim dhe kërcënim e jo me urdhër dhe ndalesë? Lidhur më këtë është përgjigjur Muhamed el Emin esh Shenkitij, Allahu e mëshiroftë, i cili thotë se kriteri i këshillës është fjalë së cilës i zbuten zemrat. Gjëja më madhore së cilës i zbuten zemrat e të mençurve janë urdhrat dhe ndalesat e Zotit të tyre. Ata kur dëgjojnë urdhrin i frikësohen hidhërimit të Allahut nëse nuk e zbatojnë atë dhe shpresojnë në shpërblimin e Allahut nëse e zbatojnë atë. Kur dëgjojnë ndalesën i frikësohen hidhërimit të Allahut në moslargimin nga ajo dhe shpresojnë shpërblimin e Tij në largimin nga ajo. Frika dhe shpresa i shtyn në zbatimin e urdhrave të Tij, prandaj dhe zemrat e tyre zbuten dhe i nënshtrohen urdhrave të Tij me frikë dhe shpresë.

Në fund përmendim edhe disa transmetime nga të parët tanë lidhur me ajetin në fjalë.
Nga Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmetohet se kaloi para një grupi njerëzish të cilët bisedonin. Ai i pyeti: “Për çfarë po bisedoni?” Ata u përgjigjën: “Po flasim për bujarinë dhe zemërgjerësinë” Ai u tha: “A nuk ju mjafton fjala e Allahut të Lartësuar: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë dhe mirësinë” Hadithi është përmendur në “Kenzul Umal” dhe thotë se e shënon ibn Nexhari.

Hasan el Basri, Allahu e mëshiroftë thotë: “Allahu i Lartësuar, të gjitha të mirat dhe të këqijat i ka mbledhur në një ajet të vetëm dhe e përmendi ajetin. Shënon Bejhekiu në “Shuab el Iman”

Transmetohet se disa burra iu ankuan udhëheqësit Ebu Xhafer el Mensur për guvernatorin e tyre. Guvernatori i paraqiti argumentet duke thënë se nuk u ka bërë ndonjë padrejtësi të madhe e as ndonjë dëm të madh. Nga mesi i tyre u ngrit një djalosh dhe tha: “O udhëheqës i besimtarëve! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë dhe mirësinë ” Vërtet guvernatori ishte i drejtë me ne, por nuk ishte bamirës. Ebu Xhaferi u mahnit nga kjo përgjigje e këtij djaloshi dhe e shkarkoi atë.

 

Përgatiti:Almedin Ejupi
7.6.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit