1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Jezuizmi dhe Tereza – Aspekte të fundamentalizmit katolik

Më të lexuarat

Aspekte të fundamentalizmit katolik – Jezuizmi dhe ‘Shën Tereza’

Përhapja e reformacionit, sidomos radikalizimi i tij, nxiti reaksionin e Kishës katolike, e cila organizoi të ashtuquajturin kundëreformacionin. Një ndër personalitetet më të mëdha dhe më të angazhuara në lëvizjen e kundëreformacionit ishte papa Pali III (Aleksandër Farneze, 1468-1549), papë prej vitit 1534.[1] Ky papë ishte me arsimim të gjerë humanist dhe jetonte me jetë të lirë papësh nga renesansa. Të afërmve të vet u jepte pozita të larta kishtare. Në vitin 1542 themeloi të a.q. Inkuizicionin Romak, të specializuar në luftë kundër protestantëve. Ky inkuizicion shumë brutal, i egër dhe jotolerant ishte i dalluar gjatë kohës së papës Pali IV-të (1555-1559)[2], i cili para se të bëhej papë ishte i dalluar me inkuizicion kundër jokatolikëve. Ky ishte i njohur me thënien kundër kalvinistëve: “Kalvinistët paraqesin rrezik më të madh se Turqit”.[3] Papa Pali III-të mori shumë vendime, por më i rëndësishmi ishte konfirmimi i “Rendit Jezuit” (Societas Jesu) në vitin 1540.

Ky rend ekzistonte qysh më herët, i themeluar nga bujari spanjoll Ignacije Lojola (1491-1556). Rendi karakterizohej me disiplinë të madhe, që e arrinin me edukim të veçantë: me ushtrime shpirtërore, me dëgjueshmëri të përkushtueshme ndaj më të vjetërve dhe me dëgjueshmëri absolute ndaj papës. Më 1551 në Romë jezuitët themeluan Seminarin Romak për përgatitjen e klerikëve, kurse më 1552 themeluan Seminarin Gjerman për të luftuar kundër reformacionit. Ndikimin e tyre e shtrinin edhe te sunduesit, pastaj nëpër shkolla.[4]

Sipas disa burimeve ky rend përbëhej prej katër klasëve: 1. Novikët, 2. Skolastikët, 3. Koadjutorët dhe 4. Profetët. Në krye të rendit gjendet gjenerali me rezidencë në Romë, të cilin me mandatë të përjetshëm e zgjedh Kongregacioni gjeneral. Quhen edhe me emra tjerë.[5]

Në vitin 1773 papa Klementi IV, me kërkesë të shumë sunduesve evropianë, e çregjistroi rendin jezuit për shkak të pakënaqësisë së madhe që kishte shkaktuar ky rend edhe në vendet katolike, por punën e këtij rendi e ripërtëriu papa Pio VII në vitin 1801. [6]

Sipas të dhënave jezuitët përbëjnë rendin më të madh religjioz në Kishën romako-katolike. [7]

Ky rend kishtar ishte aktiv edhe në tokat shqiptare, e sidomos nga mesi i shekullit XIX, në përfundim të sundimit të halifatit osman. Në shikim të parë dhe nga vetë shkencëtarët katolikë, veprimtaria e tyre është vlerësuar si produktive, arsimdashëse, kulturore e atdhetare, edhe pse nga disa studiues dhe bashkëkohës të tyre veprimtaria e disa veprimtarëve jezuitë, kryesisht italianë dhe perëndimorë është karakterizuar si antiatdhetare dhe sllavofile. [8]

Jezuitët janë aktiv në Shqipëri edhe pas përmbysjes së komunizmit në vitet e nëntëdhjeta dhe në Kosovë sidomos pas luftës shqiptaro-serbe më 1999 e pas. Veprimtarinë e vet e zhvillojnë në kuadër të institucioneve ekzistuese katolike, të kamufluar nëpër shoqata humanitare, arsimore, por edhe nëpërmjet organeve dhe institucioneve shtetërore për arsim dhe kulturë të Kosovës dhe nëpërmjet bartësve dhe praktikuesve të këtyre institucioneve.[9]

Më herët përmendëm disiplinën dhe rigorozitetin e rendit të jezuitëve. Kjo disiplinë sipas tyre është vendosur për të arritur sukseset e synuara. Se ky rend kishtar, një lloj vazhdimësie e françeskanëve dhe dominikanëve, ka synime të qarta argumenton leximi i Betimit të jezuitëve:

“Në emër të të kryqëzuarit në kryq, Krishtit, unë betohem se do t’i ndërpres të gjitha lidhjet që më lidhin me babën, nënën, vëllezërit, motrat, farefisin, shokët, me mbretin, gjykatësit dhe me çdo pushtet tjetër të cilit i kam shërbyer ose që jam betuar se do t’i nënshtrohem ose shërbej. I ndërpres marrëdhëniet me vendlindjen time, prej tash e tutje ekzistenca ime është në sferë tjetër. Betohem se do t’ia shpalojë kryeshefit tim të gjithë atë që bëj, mendoj, lexoj, mësoj dhe shikoj rreth vetes.” [10]

Përse po theksojmë jezuizmin, zhvillimin dhe veprimtarinë e tyre, betimin e tyre e të tjera?

Viteve të fundit, klerikë katolikë shqiptarë si Lush Gjergji, Shan Zefi, Mark Sopi …, dhe politikanë e shkrimtarë shqiptarë si Ibraham Rugova në veçanti, pastaj Sabri Hamiti, Ali Podrimja, Engjëll Sedaj, Zef Mirdita …, po përgatisin opinionin, respektivisht po ‘shpërlajnë trurin’ e opinionit për nevojën e lumturimit e më pastaj edhe të ‘shenjtërimit’ të Gonxhe Bojaxhiut nga ‘Nënë Tereza’ në ‘Shen Tereza’. Nëse pak e lëmë anash gjuhën e shkencës dhe përdorim gjuhën e po kësaj propagande që cekëm, do të mund të thuhej se asgjë të keqe në këtë marketing ‘katolik’, sikur me këtë veprim mos të synohej manipulimi i ndjenjave kombëtare të popullit për përfitime kishtare dhe personale. Lushit, Shanit, Markut çdo të mirë, por kur në këtë përzihen pakurrizorët dhe mashtruesit tanë politikanë, shkrimtarë, poetë, rektor e dekanë e të tjerë çështja qëndron ndryshe.

Për këtë arsye e shoh të arsyeshme të shtrojë si vijon:

Nëse për Gonxhe Bojaxhiun ka dyshime se a është shqiptare, maqedone apo vllëhe[11], dhe nëse ka dyshime për karakterin dhe personalitetin e saj[12], s’ka dyshim dhe këtë fakt të gjithë e miratojnë, se ajo kurrë nuk ishte nënë, por politika katoliko-centriste e jashtme dhe e nxënësve të tyre të zellshëm nga brenda, e liderëve politikë dhe elita shkencore në tokat shqiptare e bëri ‘nënë’ pa qenë ajo nënë. Por, së shpejti u bënë pishmanë. Nuk mjaftoi që Gongje Bojaxhiu të mbetej vetëm ‘nënë’. ‘Nënë’ pa nënë nuk e arriti synimin e dëshiruar për konvertimin e muslimanëve shqiptarë në këtë mjegulli politike, kombëtare, sociale, kulturore. Filluan propozimet për shenjtërimin e saj, fillimisht nga goja e Lushit, për ta artikuluar këtë ide politikisht goja e të konvertuarit, tashmë publikisht, Ibrahim Rugovës, që ky propozim të shtrihet pothuaj në të gjitha rrafshet: të shenjtërohet.!!

Nëse analizojmë personalitetin e kësaj nobelisteje e ‘humanisteje’, do të shohim që Gonxhe Bojaxhiu shkeli shenjtërinë ‘e nënës’ duke mos u bërë kurrë nënë, shkeli shenjtërinë ‘e gruas’ duke mos u bërë kurrë grua, përdhosi shenjtërinë ‘e bashkëshortes’ duke mos u martuar vetë dhe duke penguar që edhe femrat tjera të martohen[13], përdhosi ‘vendlindjen’ duke refuzuar ta njohë atë me betimin e saj që e cekëm më lartë: “Në emër të të kryqëzuarit në kryq, Krishtit, unë betohem se … i ndërpres marrëdhëniet me vendlindjen time, prej tash e tutje ekzistenca ime është në sferë tjetër… “[14] Po kjo nobeliste e ‘humaniste’, shkelëse e të drejtave më elementare njerëzore e fetare të vazhdimit të llojit,[15] tash lumturohet që më pastaj të shenjtërohet. Gonxhe Bojaxhiu, ithtare dhe lojtare e zellshme e rendit jezuit, atij rendi që bëri aq dëme e krime, që solli aq vendime inkuizicionale[16] tash shenjtërohet. E gjithë kjo nuk do të kuptohet pa studim të hollësishëm të kryqëzatave, inkuizicionit dhe sekteve kishtare katolike. Absurd fetar, moral, njerëzor dhe i çdo lloji tjetër!

Mirëpo, që ta kuptojmë edhe një absurd tjetër, këtë çështje do ta shtrojmë edhe nga këndi tjetër. Nga këndi biblik.

Është fakt i pakundërshtueshëm nga të gjithë se Gonxhe Bojaxhiu nuk ishte nënë, grua, bashkëshorte, por të gjithë do të pajtohen se ajo ishte femër. Pas këtij konstatimi të gjithëpranuar do të vijmë deri te kundërthëniet e pakapërcyeshme doktrinare katolike. Me çfarë të drejte dhe si do të shenjtërohet Gonxhe Bojaxhiu kur ate nuk e do Zoti kristian, as shenjtorët pararendës të saj. Femra në mësimin kristian është e përbuzur, e shkelur, pa të drejta. Si të pajtohet fakti që një qenie e përbuzur, e fëlliqur të shenjtërohet.

Për të mos u akuzuar për anime apo tendencë antikatolike, për femrën do të flasim me ‘gojën’ e burimeve kristiane-katolike, për të lexuar se çfarë thonë për femrën, pra për Gonxhe Bojaxhiun shenjtore, qoftë ajo shqiptare, vllëhe, cincare apo tjetër:

Shkrimi shenjt (Ungjëlli) shkruan:

“Në kohën e mësimit gruaja le të dëgjojë në heshtje dhe me nështrim të plotë. Nuk lejoj që gruaja të mësojë në Kishë as të sundojë burrin, por – të rrijë në qetësi. Sepse, i pari u krijua Adami, e pastaj Eva. Dhe nuk qe gënjyer Adami, por gruaja e gënjyer e shkel urdhërin.” (Besëlidhja e Re, Letra e dërguar Timoteut, 2: 11-14).

“Sepse nuk është burri prej gruas, por gruaja prej burrit. Dhe burri nuk u krijua për arsye të gruas, por gruaja për arsye të burrit. Prandaj, gruaja duhet të bartë mbi kokë shenjën e ‘varshmërisë’ për shkak të engjëjve.” (Letra drejtuar korintianëve, 11: 8-10.).

Teologu i njohur kristian Gjoni shkruan:

“Femra është e bija e dreqit, rojtar i ferrit, armik i paqës. Për shkak të saj, Adami e ka humbur parajsën.” (Gjoni nga Damasku).

Shenjtori Kipriani, pararendës i hershëm i Agnesa – Gonxhe Bojaxhiut pohon:

“Femra është instrument, të cilin dreqi e përdori që t’i përfitojë dhe t’i disponojë shpirtrat tonë.” (Shën Kipriani).

Kurse i famshmi Anton pohon:

“Femra është burim i forcës së dreqit, zëri i saj është fërshëllima e gjarpërit.” (Shën Antoni).

Po e përfundojmë me fjalët e të Madhit Gërgur, i cili e stolisë Gonxhen me epitetet më të mira që ka:

“Femra posedon helmin e akrepit dhe poshtërsinë e dragoit.” (Shën Gërguri i Madh).[17]

Pas tërë këtyre pohimeve të shenjtorëve është joserioze që politikani kriptoman Ibrahim Rugova dhe ‘pasuesit’ e tij, institucionet politike dhe kulturore-shkencore si akademikët e Akademisë së Shkencave, hulumtuesit e instituteve, pastaj mediumet e shkruara dhe elektronike, duke abuzuar me ndjenjën e patriotizmit dhe atdhedashurisë, të manipulojnë me qytetarët dhe me të drejtën e tyre që të formojnë bindjet dhe përcaktimet e tyre drejt dhe pa mashtrime.

Kështu po ndodh edhe me historinë përgjithësisht. Mashtruesit e ndryshëm edhe pas 600 viteve na mashtrojnë rreth të vërtetës historike me Betejën e Kosovës më 1389. Por, …

Të kthehemi në histori!

Në Betejën e Kosovës disa princa shqiptarë (pakicë absolute) në koalicion me sllavët dhe të tjerë, luftuan kundër popullit të vet dhe e humbën luftën[18].

Porosisim!

Sot pakica absolute, e personifikuar në politikën servile dhe të interesit dhe në shkencën e falsifikuar për ‘hatër’ të perëndimit, në koalicion me ‘ata që serbët i respektojnë për vëllezër prej shpirti’ vepron në kundërshti me interesat e popullit dhe do të humbë.

Në fund! S’është tragjik konvertimi i Rugovës[19] apo i një pjese të shqiptarëve nga muslimanë në kristianë, por është tragjik manipulimi me popullin dhe abuzimi i besimit të tyre për interesa jopopullore.[20] Tragjik është, si e shpreh këtë intelektuali dhe publicisti i madh shqiptar, rrjedha nga “demonizimi i shamisë tek ‘terrorrizmi për shkak të shamisë’”[21]. Ky është fundamentalizmi në sektin katolik – një aspekt i tij!

Literatura:


 

1. Azizussamed, Ulfe, Islami dhe Kristianizmi, Tetovë, 1997.

2. Enciklopedija Zivih Religija, Beograd, 1990.

3. Epoka e Re, gazetë ditore e datës 29. 11. 2003, Prishtinë.

4. Fanoni, Franc, Të mallkuarit e botës, Prishtinë, 1984.

5. Gams, Andrija, Biblija i drustvo, Novi Sad, 1979.

6. Mirdita, Zef, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Zagreb, 1998.

7. Nikollov, Nikolla M., Komploti botëror, botimi IV, Tetovë, 2003.

8. Testas, Guy & Jean, Inkvizicija, Zagreb, 1982.

9. Univers – revistë shkencore kulturore, nr.1/2001, Tiranë.

10. Vujaklija, Milan Recnik stranih reci i izraza, Beograd, 1980.

www.tvnovosti.co.yu/REVIJA92/r92_314/majkatereza.htm.

[1] Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Zagreb, 1998, fq. 439.

[2] Ibid.

[3] Andrija Gams, Biblija i drustvo, Novi Sad, 1979, fq. 349.

[4] Andrija Gams, op. cit., fq. 349; Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Zagreb, 1998, fq. 293.

[5] Milan Vujaklija, Recnik stranih reci i izraza, Beograd, 1980, fq. 373. Nikolla M. Nikollov,Komploti botëror, botimi IV, Tetovë, 2003, fq. 47.

[6] Andrija Gams, op. cit., fq. 350.

M. Vujaklija pohon se Pio VII-të e rikonfirmoi rendin në vitin1814. Op. cit., fq. 373.

[7] Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990, fq. 337.

[8] Zef Mirdita, op. cit., fq. 67, 202-203, 243, 295 dhe 306-314.

[9] Analizimi i programit shkollor fillor, të mesëm dhe superior në Kosovë do të na sjellë në përfundim se mësimet kristiane janë të pranishme thuajse qindpërqind në Kosovë. Për këtë arsye, Kisha Katolike e Kosovës, LDK-ja dhe kryetari i saj si mish i një trupi, janë një nga pengesat e rikthimit të mësim-besimit nëpër shkollat laike. Sepse, me këtë rast, islami dhe muslimanët deri diku do të bëheshin të barabartë me minoritetin absolut katolik në Kosovë.

[10] Nikolla M. Nikollov, op. cit., fq. 47.

[11] Shih shkrimet e dr Aurel Plasarit dhe reagimet e Albert Ramaj rreth prejardhjes së Gongje Bojaxhiut në: Dorëshkrimin e A. Plasarit të botuar dhe: Java – gazetë javore e dt. 20, 27 nandor dhe 4 dhjetor, 2003, Prishtinë, fq. 17.

[12] Nënë Tereza edhe pse ishte kundër divorcit, ajo e lejoi këtë për përfitime politike, kur miratoi divorcin e Ledi Dajanës nga princ Çarlsi. Shih lidhur me këtë në: www.tvnovosti.co.yu/REVIJA92/r92_314/majkatereza.htm.

[13] Çdo fëmijë i sëmurë apo i varfër nuk ka mundur të hyjë në strehimoren e rendit të saj nëse prindërit apo kujdestarët e saj në derë nuk kanë nënshkruar apo me gisht nuk kanë firmosur se heqin dorë nga të gjitha të drejtat mbi fëmijën. Prindërit injorantë e analfabetë në këtë mënyrë janë mashtruar, sepse më së shpeshti nuk dinin as çka nënshkruanin, apo ishin të shtrënguar të nënshkruanin. Sipas: www.tvnovosti.co.yu/REVIJA92/r92_314/majkatereza.htm.

Nëse do të bëhej një analizë e prindërve, vajzat e të cilëve janë nëpër kampet e Nënë Terezës dhjetë viteve të fundit, do të fitonim një gjendje pak-a-shumë reale për të pohimet e mësipërme.

[14] Shih: Nikolla M. Nikollov, op. cit., fq. 47.

[15] Nënë Terezës i përshkruhen edhe shumë lëshime tjera. Shpesh ka pohuar se nga rrugët e Kalkutës ka mbledhur 36 ose 54 mijë njerëz, por s’është dëshmuar kurrë se ku janë vendosur këta njerëz, kur është e qartë se spitali në Kaligatë ka vetëm 95 shtretër. Po ashtu, ajo shpesh ka përmendur shumë spitale, por deri sot askush nuk ka parë asnjë prej tyre. Ajo ka pohuar se mjekon një çerekë milionë njerëz nga gërbula, por s’ka të dhëna kënd e ka mjekuar. Ajo ka pohuar se ka ushqyer rreth 7000 njerëz të uritur në ditë, por si ka ndodhur kjo, kur kuzhina e saj popullore ka përgatitur 300 shujta në ditë. Sipas: www.tvnovosti.co.yu/REVIJA92/r92_314/majkatereza.htm.

[16] Shih për inkuizicionin: Guy & Jean Testas, Inkvizicija, Zagreb, 1982.

[17] Citatet e sipërme theksohen sipas: Ulfe Azizussamed, Islami dhe Kristianizmi, Tetovë, 1997, fq. 86-87.

[18] A. K. Bogdani këta i quan një “… bandë e vogël rebelësh e udhëhequr nga Skënderbeu, që ishte mjaft mirë i armatosur dhe paguar nga mbreti i Napolit, vazhdoi luftën deri më 1468 …” Sipas: A. K. Bogdan, Historia e shqiptarëve nga ilirët e lashtë, në erën e islamit, botuar në: The Barnes Review, New York, Mars/Prill, 2000, volumi VI, Numri 2, sipas: Univers – revistë shkencore kulturore, nr. 1, 2001, Tiranë, fq. 64.

[19] Shih për konvertimin e Rugovës: Francesko Battistini, E ka ndërruar fenë presidenti Rugova?, në: Corriere Della Sera, sipas: Epoka e Re – gazetë ditore e datës 29. 11. 2003, Prishtinë, fq. 2.

[20] Pseudo-intelektualët e këtillë vazhdimisht ankohen që besimi, kultura dhe tradita aktuale ndër shqiptarët nuk është në rrugë të drejtë, duke harruar se ata vetë nuk e çmojnë e nuk e kuptojnë kulturën dhe shoqërinë vetjake dhe duke servuar ‘sihariqe’ të kohpaskohshme. Të këtillët F. Fanoni i quan “majmuna që imitojnë.” Franc Fanoni, Të mallkuarit e botës, Prishtinë, 1984, fq. 289.

[21] Abdi Baleta, Nga demonizimi i shamisë tek “terrorrizmi për shkak të shamisë”, Bota Sot – gazetë e datës 07. 12. 2003, Prishtinë, fq. 9.

P.S.: Artikulli eshte shkruar gjate vitit 2003-2004

Nexhat Ibrahimi

*Shkrimi paraqet punën hulumtuese, reflektime nga referencat e përdorura dhe të autorit, shkrimi jo domosdoshmërisht paraqet edhe qëndrimin e redaksisë kohaislame.com.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit