Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në mesin e shumë takimeve me përfaqësuesit e shteteve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Jemenit, Abu-Bakr Al-Qirbi.
Ministri i Jashtëm i Jemenit, duke folur për mosnjohjen e Kosovës, ka thënë se shteti i tij është në një fazë të tranzicionit.
“Kjo ka qenë arsyeja pse nuk kemi marr vendime të rëndësishme në politikën e jashtme. Kemi mirëkuptim të plotë e simpati për popullin e Kosovës dhe nuk kemi ndonjë pengesë politike apo juridike për të mos e njohur Kosovën”, ka thënë ministri Abu-Bakr Al-Qirbi, duke shprehur mbështetje për rrugën e Kosovës së pavarur dhe progresin që ka bërë Kosova, njofton MPJ, transmeton RTK.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka njoftuar homologun jemenas për progresin në Kosovë, në të gjitha fushat.
Duke folur për fuqizimin e vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, Hoxhaj tha se Kosova tashmë është njohur nga 30 shtete anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, 11 shtete të Ligës Arabe dhe të gjitha shtetet e Gjirit.
“Procesi i njohjes është i pandalshëm, pavarësia është e pakthyeshme”, tha Hoxhaj, duke shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e relacioneve diplomatike me Jemenin.
Gjatë pjesëmarrjes në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, ministri Hoxhaj është takuar edhe me ministrat e jashtëm të Kuvajtit, Omanit, Çadit, Brunej Daresalamit dhe shumë përfaqësues të tjerë të shteteve anëtarë të kësaj organizate./Ind/kohaislame