Gjatë kohës së Hitlerit dhe Musolinit ekzistonte një “Shqipëri e madhe”, edhe pse vetëm nga 1941 deri 1944. Por në Ballkan miti jeton dhe ideja përdoret akoma. Forcat nacionaliste e fuqizojnë, sepse ata e shohin si alternativë dhe perspektivë. Në rajonin fragjil janë gjithmonë e më të tepërta flamujtë kuq e zi të Shqipërisë, shkruan fillimisht Boris Kalnoky për prestigjiozen gjermane “Die Welt”.
“Në Shqipëri dhe në dy shtetet tjera me numër të madh të shqiptarëve Kosovë dhe Maqedoni, është rritur retorika nacionaliste. Toni i tyre orientohet që gjithë territoret shqiptare të lidhen politikisht. Kjo për shqiptarët vlen si normale,” përcjell botasot.info. “Kështu erdhi më pas edhe kriza e gjatë në Maqedoni nga tonet nacionaliste të “konservatorëve” maqedonas dhe partive shqiptare. Vetëm BE dhe SHBA shmangu formulimin publik të pozicioneve të partive shqiptare.”
Kosova dhe Maqedonia me parti të reja radikale
Në vijim media gjermane shkruan se në Kosovë dhe Maqedoni ka forca të reja radikale, të cilat nuk janë shumë të gatshme për kompromis. Në zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë, qendra e gravitacionit politik ka emrin e Vetëvendosjes. Partitë më të mëdha tradicionale u dënuan: PDK- ja e ish udhëheqësve të UÇK, dhe LDK, e cila ishte për një zgjidhje paqësore gjatë kohës së luftës (shkurt 1998 deri qershor 1999).
“Të dy partitë pas luftës taktizonin kundrejt Fuqive të Mëdha, duke zhvilluar edhe një kulturë të vetë-pasurimit përmes dërgesave të shumta të parave për rindërtimin e Kosovës. Vetëvendosje kishte rastin për të paraqitur si tradhtare PDK dhe LDK, që këtë vend nuk e nxorën jashtë “paternalizmit” të Komunitetit Ndërkombëtar. Deputetët e saj gjuajtën gazlotsjellës në parlament, ndërsa mbështetësit e tyre sulmonin automjetet e misionit Eulex.”
Suksesi i Vetëvendosje është indicie, që shqiptarët e Kosovës po humbin durimin me BE. Akoma nuk ka liberalizim të vizave për banorët e Kosovës. Ndërsa anëtarësimi në BE mbetet një ëndërr e largët.
BESA forca e parë te shqiptarët e Maqedonisë
Media gjermane sjell paralele mes Kosovës dhe Maqedonisë, pasi edhe kjo e fundit në qendër të vëmendjes pas Konfliktit të 2001 i ka pasur udhëheqësit e UÇK.
“Por edhe në Maqedoni shpërtheu një forcë e re, radikale, që ka tone kombëtare dhe korrupcionin si kryetemë. Kjo parti quhet BESA, që në zgjedhjet e fundit mori 5 përqind të elektoratit, por ndërkohë sipas anketimeve është kthyer me numrin më të madh të simpatizantëve. Ekzistenca e saj i ka shtyrë edhe partitë tjera shqiptare të kërkojnë më shumë përfaqësim dhe të drejta për shqiptarët e Maqedonisë. Më së tepërmi ata do dëshironin një autonomi të zgjeruar për territoret e banuara kryesisht me shqiptarët në kufi me Shqipërinë dhe Maqedoninë,” shkruan konservatorja gjermane.
Slogane nacionaliste edhe në Shqipëri
Në fund media gjermane shkruan se edhe për situatën në Shqipëri ku është kthyer tema e nacionalizmit, por në të njëjtën kohë mund të ndodh që zgjedhjet e 25 qershorit të përfundojnë pa zgjidhje qeverie.
“Veçanërisht kjo vërehet te kryeministri socialist Edi Rama, i cili u bën presione politikanëve shqiptarë në Maqedoni, për të kërkuar më shumë të drejta. Ai nuk ndjehet i lodhur për të folur edhe për Shqipërinë e madhe. Si vizion europian: Nëse të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët i takojnë BE, atëherë ata janë të bashkuar. Por kjo mund të ndodhë edhe pa BE – atëherë tha ai – do gjendet “rrugë tjera””.
Kjo shihet si një presion që mundohet të ushtrojnë politikanët mbi BE. Na merrni në BE, pasi ndryshe do ketë probleme, është teksti i qartë. Elementi kryesor për shmangien e konflikteve në Ballkan është integrimi në BE. Dhe tonet nacionaliste të shqiptarëve nuk janë vetëm pasi ata ndiqen nga serbët në Bosnjë dhe Kosovë, të cilët kërkojnë të ndahen. Poashtu kroatët e Bosnjës urojnë një Kroaci të madhe. Bosnja në anën tjetër ka paraqitur kërkesën e saj për anëtarësim në BE.
“Kjo shpresë e mban akoma sëbashku vendin, por sa më e dobët dhe e vogël bëhet BE, aq më pak mendon për anëtarësime të reja. Sa më pak perspektivë europiane për banorët e Ballkanin – aq më shumë gjasa për një konflikt të ri,” përmbyll shkrimin media gjermane.