“Kosova është një vend i traditës së gjatë të tolerancës dhe i respektimit të diversitetit kulturor e fetar, me synime të qarta që të bëhet pjesë e botës së zhvilluar, të përparuar dhe demokratike”
PRISHTINË (AA) – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sot ka nënshkruar dekretin e Ligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, të cilin e kishte miratuar Kuvendi i Kosovës më 12 mars, me 60 vota pro, 17 kundër dhe 2 abstenime, raporton Anadolu Agency (AA).
“Kosova është një vend i traditës së gjatë të tolerancës dhe i respektimit të diversitetit kulturor e fetar, me synime të qarta që të bëhet pjesë e botës së zhvilluar, të përparuar dhe demokratike” ka deklaruar Jahjaga pas nënshkrimit të dekretit, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Ajo ka shtuar se të gjitha mekanizmat e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë janë duke e kryer punën e tyre dhe janë të angazhuara maksimalisht në parandalimin e pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat jashtë vendit, ndërsa ligji të cilin ajo e nënshkroi dhe të cilin e kishin votuar paraprakisht deputetët e Kuvendit të Kosovës, do të ndikojë në parandalimin e kësaj dukurie.
“Kosova ka qenë e goditur gjatë dy viteve të fundit nga fenomeni i bashkimit të shtetasve të saj në luftërat në Siri dhe Irak krahas organizatave të shpallura terroriste ISIS dhe Al- Nusra. Policia e Kosovës gjatë verës dhe vjeshtës së vitit të kaluar ka zhvilluar disa operacione për arrestimin e atyre që dyshohej se i janë bashkuar këtyre organizatave” tha presidentja e Kosvës.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, duke ju referuar të dhënave të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ditë më parë në një konferencë mbi sigurinë, të mbajtur në Vjenë të Austrisë, kishte deklaruar se numri i kosovarëve në luftimet në Siri dhe Irak, nga 195 sa kishte qenë vitin e kaluar, ka rënë në 50.