Mosha 40-vjeçare është, në fakt, pika e vërtetë e kthesës për jetën e njerëzve. Edhe pse shumëkush nuk e pranon faktin, ai është kokëfortë dhe këtë, më mirë se askush, e tregon situata shëndetësore dhe gjendja trupore që pëson ndryshim. Por nuk është aspak e thënë të jenë ndryshime për keq, por, ama, janë ndryshime. Në këtë këndvështrim duhet të themi se edhe jeta që do të bëjmë pas kësaj moshe, në njëfarë mënyre duhet t’i nënshtrohet këtyre ndryshimeve, me një stil jetese më të shtruar dhe më i qetë dhe një kujdesje më e madhe për të gjitha nevojat fizike. Kjo, sepse trupi, pas kaq vitesh punë, ka me të vërtetë nevojë për shumë shpërblim nga ana jonë, në mënyrë që së bashku të vazhdojmë edhe për shumë vite një rrugë sa më të gjatë dhe të shëndetshme.
Për t’iu kthyer edhe një herë llojit të ndryshimeve që hasen në këtë pikë kthese të jetës sonë mund të themi, si fillim, se metabolizmi nuk është më ai i pari dhe procesi i tij, dhe tek personat që janë shquar për një metabolizëm të mirë, nis dhe ngadalësohet. Kjo çon në trashjen e zonës së belit, dhjamosjen e saj dhe është, mbi të gjitha, shenja e parë e plakjes. Më pas kemi edhe rritjen e kolesterolit dhe të presionit të gjakut. Sipas një sondazhi të fundit del një përfundim shumë shqetësues. Thuajse dy të tretat e meshkujve nga mosha 40 vjeç deri në 100 do të jenë obezë në vitin 2040, duke rrezikuar në këtë mënyrë diabetin, sëmundjet e zemrës, goditje të ndryshme dhe sigurisht, vdekje të parakohshme.
Trashja e mesit të trupit, që është shenjë e parë e plakjes, shpesh është shkaku që i duhet një 40-vjeçari për të nisur një regjim të rreptë sportiv. Njerëzit në këtë periudhë të jetës nisin që të preferojnë, mbi të gjitha, një dietë të varfër me yndyra dhe karbohidrate. Preferojnë peshkun, në vend të mishit të kuq dhe frutat dhe zarzavatet e ziera dhe të skuqura. Pra të gjitha ushqime që nuk kanë kalori dhe që nuk ndikojnë në trashjen e mëtejshme të belit. Ndërkohë që fillohet edhe vrapi shpesh në mënyrë intensive, që jo rrallë është edhe shumë traumatik. Shpesh ky ndryshim i mënyrës së ushqimit dhe ushtrimeve fizike është një ritual që tregon kalimin nga një moshë në një tjetër, nga një periudhë jete në një tjetër. Kjo vjen pasi njerëzit, jo me shumë të drejtë, mendojnë se duhet që të ruajnë një formë të mirë fizike, atë që kanë pasur në vitet e rinisë, çka për hir të së vërtetës është një kujtim i së kaluarës, sado që dikush mund të bëjë sforcime të mëdha. Por kjo periudhë e re e jetës duhet parë me shumë optimizëm dhe, mbi të gjitha, duhet shijuar për të gjitha anët pozitive që ka. Sipas disa mjekëve, tensionimi i jetës me dieta të rrepta dhe me ushtrime fizike që janë përtej mundësisë dhe masës është mënyra më e keqe për të përballuar këtë moshë të re në jetë. Më e dëmshmja, që sjell pashmangshmërisht efekte të padëshirueshme. Sipas specialistëve, nëse do të ulet përdorimi i yndyrave në mënyrë të ndjeshme, njerëzit në këtë moshë do të rrezikojnë disa herë më shumë se në kushtet normale diabetin dhe sëmundje të tjera. Kjo, sepse ushqimet që nuk kanë në përbërje shumë yndyra janë të pasura me karbohidrate dhe sheqerna. Sheqeri dhe ndikimi i tij në hormonin e insulinës është e keqja e madhe e dietave me pak yndyrë, që rrisin në maksimum edhe vetë obezitetin dhe shkaktojnë probleme të mëdha me zemrën tonë. Sipas shkencëtarëve, një nga sekretet e shëndetit të zemrës është mbajtja nën kontroll e insulinës si dhe ruajtja e saj nga “vrasës” të mundshëm si kolesteroli, diabeti, kanceri. Kontrolli redukton edhe rrezikun e artritit dhe madje nxit edhe libidon deri në njëfarë mase. Sa i përket vrapit të sforcuar në këtë moshë, rekomandohet se nëse trupi nuk është në gjendjen e dëshiruar, nuk duhet kurrsesi që të bësh vrap të sforcuar sepse në këtë rast dhe në këtë moshë, rrezikon që të dëmtosh në mënyrë të pariparueshme gjurin dhe kyçet e tjera të këmbëve dhe të hapësh më shumë probleme nga sa mund ta mendosh. Mbi të gjitha, sforcimi në këtë rast është edhe një peshë shumë e madhe për zemrën dhe për mushkëritë.
Ndërkohë ka mënyra me anë të të cilave njerëzit mund ta përmirësojnë dukshëm shëndetin dhe formën fizike në këtë moshë, edhe pa bërë sforcime, që do të shkaktonin efekt të kundërt. Ja disa nga këto mënyra.
Shmangia e ushqimeve shumë të yndyrshme
Na është thënë në mënyrë të vazhdueshme se ushqimet që kanë sasi të madhe yndyrash, si p.sh. gjalpi apo djathi i bllokojnë arteriet dhe shkaktojnë sëmundje të ndryshme si skleroza. Ndaj për pjesën më të madhe të njerëzve, ulja e përdorimit të ushqimeve të yndyrshme është një nga premisat për ruajtjen e shëndetit. Por sipas disa studimeve, kjo dietë ul vetëm në masën 15% sasinë e kolesterolit në organizmin tonë. Pjesa tjetër përpunohet në mëlçi. Në fakt, problemi më i madh është sheqeri dhe jo yndyrat. Trupi ynë, në varësi të sasisë së sheqerit në gjak, prodhon insulinën, pra hormonin e insulinës. Kjo shërben më pas për të ndihmuar mëlçinë, që të përpunojë dhe metabolizojë yndyrën që vjen në mëlçi dhe ta shndërrojë çdo tepri ushqimi dhe yndyre në gjak në trigliceride, një lloj yndyre e gjakut. Kjo substancë merret nga qelizat e dhjamit dhe në këtë mënyrë, ushqimi i tepërt na shëndosh. Shkencëtarët besojnë se sasia e madhe e insulinës ka shumë të ngjarë që të nxisë prodhimin e atij që quhet “kolesteroli i keq”. Kur niveli i insulinës reduktohet, qelizat e mëlçisë e kanë më të vështirë që të shndërrojnë yndyrën në ushqim në kolesterol dhe tentojnë që të prodhojnë më shumë atë që quhet “kolesteroli i mirë”. Pra dieta me pak yndyrë nuk është aspak gjithçka, mbi të gjitha duhet që të bësh dietë me pak sheqerna, për të prodhuar sa më pak insulinë.
Mos praktiko vrapin stresues
Ushtrimet fizike luajnë rol shumë të madh në mirëqenien e organizmit tonë dhe mbi të gjitha, ndihmojnë në mbajtjen e niveleve të ulëta të insulinës. Por ndërsa vrapimi është një ushtrim i shkëlqyer kur je shumë mirë fizikisht, në rastin e mbipeshës, pra të kileve të tepërta në trup, ai mund të shndërrohet në një problem të madh, sepse dëmton nyjet e trupit. Dhe jo vetëm kaq, por mbipesha e shoqëruar me vrapin ka shumë gjasa që të të japë një atak zemre. Nëse jeni mbipeshë dhe ky është rasti i pjesës më të madhe për personat mbi 40 vjeç, atëherë këshilla për të sjellë trupin në formë nuk është aspak vrapi i stresuar. Gjëja më e mirë, në këtë rast është tërësia e ushtrimeve jo traumatike dhe graduale. Mbi të gjitha, në këto raste këshillohet shumë ecja për një kohë sa më të gjatë në këmbë dhe më pas ushtrimet, por kurrsesi vrapi i distancave të gjata.
Qëndroni drejt
Mënyra se si qëndroni ka shumë të bëjë me mirëqenien e trupit tuaj. Mbi të gjitha, për shëndetin e kockave dhe të muskujve, por është ndërkohë kyçe dhe për mirëqenien e disa organeve të brendshme të trupit. Bëni kini kujdes që të mbani një qëndrim të drejtë dhe jo të përkulur gjatë gjithë kohës, pa e ulur vigjilencën si kur jeni duke ecur, ashtu edhe kur jeni ulur. Gjithmonë drejtojini shpatullat dhe ngrini lart kokën në një pozicion të balancuar, që mbi të gjitha parandalon edhe dhembjet e mesit dhe të qafës.
Merrni frymë thellësisht
Kur jemi në një situatë stresi, trupi ynë prodhon hormonin e kortizolit. Një nga pasojat e tij është që të detyrojë mëlçinë që të lëshojë sheqer në trup, duke i dhënë organizimit energji shtesë të menjëhershme për të përballuar stresin. Dhe kjo prodhon më shumë insulinë. Nivele të larta të insulinës mund të të çojnë në obezitet, apo mund të jenë shkak sëmundjesh të tjera. Nëse jeni në një situatë të vazhdueshme stresi në jetën tuaj, atëherë niveli i insulinës në trupin tuaj do të jetë vazhdimisht i lartë. Stresi shkakton ndryshime të fuqishme kimike në trup dhe organizëm dhe mund të jetë shkak për nisjen e diabetit, rritjen e tensionit të gjakut, mund të reduktojë shumë imunitetin, të prekë nivelin e testosteroneve dhe madje të rrisë edhe rrezikun e kancerit. Në këtë mënyrë, ç’stresimi është jetik për mirëqenien e organizmit. Një nga mënyrat për të luftuar stresin është që të hani në mënyrë të shëndetshme dhe me intervale të parashikuara kohore. Uria dhe dieta e keqe janë gjithmonë shkaktar të rritjes në peshë. Një nga rregullatorët më të mirë të stresit është frymëmarrja. Të paktën për pesë minua në ditë duhet që të ulemi dhe në qetësi dhe paqe të plotë të kryejmë ushtrime frymëmarrjeje të rregullt dhe të thellë. Në këtë mënyrë, do të ndjejmë edhe rrahjet e zemrës, si dhe qetësinë dhe mirëqenien që sjell ajri dhe qetësia në organizëm./krenaria/kohaislame