Gjatë kësaj jave, Facebook ka lajmëruar se do të ketë ndryshime në reklamat që rrjeti shfaq tek përdoruesit e vet, duke thënë se disa lloje reklamash nuk do të ekzistojnë më dhe se reklamuesit do të kenë mundësi më të mira shenjëstrimi të audiencës. Këto ndryshime janë planifikuar që në qershor të vitit të kaluar, por do të zbatohen prej datës 9 prill të këtij viti.
Të ashtuquajturat “Sponsored Stories”, të cilat janë arsyeja që Facebok po bën ndryshime, i kanë krijuar probleme kompanisë gjatë muajve të fundit. Ato kanë qenë shpeshherë të debatueshme dhe madje kanë bërë që ndaj Facebook-ut të ngrihej një çështje gjyqësore lidhur me mënyrën se si i përdor kompania të dhënat e përdoruesve në këtë model reklamimi.
Kështu, Facebook-u ka arritur në përfundimin se ka mënyra më të mira reklamimi në rrjetin e vet sesa “Sponsored Stories”. Në postimin e bërë në blogun zyrtar, ku njofohet për ndryshime, u sugjerohet reklamuesve të fillojnë të përdorin modelet për reklamimin e postimeve dhe rritjen e numrit të fansave të faqeve, të cilat kanë edhe ndikim më pozitiv.
Ajo që është me rëndësi të përmendet është se reklamat e dy formave të mësipërme, ndër më të përdorurat, do të vazhdojnë të ekzistojnë në Facebook. Ajo që nuk do të mund të bëjnë më reklamuesit është të krijojnë ato që quhen “domain sponsored stories” (si për shembull, në rastet kur Amazon sponsorizon një link që e ka postuar një përdorues në një faqe produktesh) apo “open graph sponsored stories” (si për shembull rastet kur Spotify reklamon se një përdorues po dëgjon një këngëtar të caktuar). Këto dy lloj reklamash nuk do të ekzistojnë më prej datës 9 prill.
Sipas Facebook-ut, aktualisht ka 10 lloje të ndryshme reklamimesh:
1. Reklama për shpërndarjen e aplikacioneve
2. Reklama për check-in
3. Reklama për domain (domain sponsored stories)
4. Reklama për evente
5. Reklama për lojërat e luajtura
6. Reklamat open graph
7. Reklama për të pëlqyer një faqe
8. Reklama për komentet e një postimi në faqe
9. Reklama për të pëlqyer një postim në faqe
10. Reklama për shpërndarjen e një postimi në faqe
Me ndryshimet e reja do të mbeten vetëm 8 lloje reklamimesh.
/zhurnal/kohaislame