Kurani dhe Suneti i Muhamedit paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të flasin për gjërat kryesore të natyrës: ujin,Tokën faunën dhe florën si dhe kohën. Gjashtë sure në Kuran mbajnë emrin e një gjallese: El-Bekare (lopa), Neml (milingona), El-Fil (elefanti), Nahl, (bleta), Ankebut (merimanga), ndërsa bota shtazore në Kuran dhe hadith përmendet në kontekste të ndryshme.
Janë të shumta urtësitë e përmendjes së kafshëve në Kuran dhe hadith. Ato përfshijnë edhe urtësitë e natyrës sheriatike, sepse me statusin e kafshëve lidhen edhe disa norma fikhore, duke filluar që nga konsumimi i mishit të tyre, shfrytëzimin e tyre për gjueti, mbajtjen në pronësi, etj.
Në vazhdim do të përmendim 16 kafshët dhe insektet e përmendura në Kuran, duke shkruar edhe disa ajete në të cilët këto përmenden:
Bleta: “Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke i thënë): Ndërto shtëpi në male dhe në drurë dhe në atë (kosheret) që kanë ngritur njerëzit! Ushqehu me gjithfarë lloje frutash dhe ec rrugës së Zotit tënd përulshëm!” Nga barku i tyre del lëng ngjyrash të ndryshme, në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit. Vërtetë që kjo është shenjë për ata që persiatin.
Lopa: “(Shërbëtori) i tha: “O Jusuf, o njeri i drejtë! Na shpjego (ëndrrën) për shtatë lopë të majme, të cilat hahen prej shtatë lopëve të dobëta dhe për shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tjerë të tharë, që të kthehem te njerëzit e ta dinë edhe ata.”
Deveja: “Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! (Gashijeh, 17).
Elefanti: “Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit.”.
Merimanga: “rasti i atyre, që zgjedhin mbrojtës të tjerë në vend të Allahut, është si rasti i merimangës që zgjedh rrjetën e vet për shtëpi. Por shtëpia më e dobët është pikërisht rrjeta e merimangës. Veç sikur ta dinin!”.
Kuajt: “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.”
Gjarpri: “Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa se shkopi po lëvizte shpejt, si të ishte gjarpër, u zmbraps me të shpejt, pa shikuar pas, ndërsa iu tha: “O Musa! Afrohu dhe mos u frikëso, sepse ti je i mbrojtur.”.
Shpendët: “A nuk i shohin shpendët mbi kokat e tyre, se si i hapin dhe i mbledhin krahët? Askush nuk i mban ata, përveç të Gjithëmëshirshmit; Ai, me të vërtetë, sheh çdo gjë.”
Dhent: “Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa?” Ai u përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilën mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia; më shërben edhe për punë tjera.
Qeni: “Dhe (po të kishe qenë atje), do të mendoje se ata ishin zgjuar, por ata ishin në gjumë. Ne i rrotullonim ata herë në krah të djathtë e herë në krah të majtë, kurse qeni i tyre rrinte shtrirë me dy këmbët e para në hyrje të shpellës. Sikur t’i kishe parë, ti do të ikje nga ata dhe do të kaplonte frika.
Sorra: “Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar se si ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “I mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëlla?!” E u bë nga të penduarit.
Gomari: “(Ai ka krijuar) edhe kuajt, mushkat dhe gomerët, që ju t’i shaloni dhe t’i mbani për bukuri. Ai krijon edhe gjëra që ju nuk i dini.
Milingona: “Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkel Sulejmnai dhe ushtria e tij, duke mos ju parë!”.
Dhitë: “Ai ju ka dhënë tetë lloje bagëtish në çifte. Merr dy lloje për dhentë dhe dy për dhitë. Thuaju: “A i ka ndaluar Allahu dy meshkujt ose dy femrat, ose atë që mbajnë në bark dy femrat?”. Lajmëromëni mua me dije të saktë, nëse ajo që thoni është e vërtetë!
Balena: “Pastaj atë e gëlltiti një balenë, se ai kishte bërë diçka të gabuar, dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.” .
Miza: “O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).