Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë, e cila i bën thirrje Izraelit që të hapë programin e tij bërthamor për inspektim ndërkombëtar.
Rezoluta, e miratuar me 174 vota për, 6 kundër dhe 6 abstenime, po ashtu i bën thirrje Izraelit që t’i bashkohet Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore “pa vonesa të mëtejshme”.
Gjashtë vendet që kanë votuar kundër rezolutës, kanë qenë: Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Ishujt Marshall, Mikronezia dhe Palau.
Rezolutat e miratuara nga Asambleja e Përgjithshme, në përbërje të 193 anëtarëve, nuk janë ligjërisht obliguese, por, megjithatë, reflektojnë në mendimet e qeverive të botës.
Izraeli besohet se ka arsenal bërthamor, por ai nuk e ka konfirmuar kurrë një gjë të tillë.
Izraeli ka refuzuar t’i bashkohet Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore, së bashku me tre shtetet që posedojnë armatim atomik: Indinë, Pakistanin dhe Korenë e Veriut.