Forcat izraelite sot në mëngjes kanë realizuar një bastisje në fshat dhe kanë rrënuar të gjitha shtëpitë e palestinezëve me pretendim se janë “pa leje”
JERUSALEM (AA) – Ushtarët e Izraelit kanë rrënuar për herë të 119-të shtëpitë në fshatin El-Arakib, i cili ndodhet në shkretëtirën Negev, në jug të shtetit, ku jetojnë palestinezët, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për AA, anëtari i Komitetit të Mbrojtjes së Arakibit, Aziz et-Turi, u shpreh se forcat izraelite sot në mëngjes kanë realizuar një bastisje në fshat dhe kanë rrënuar të gjitha shtëpitë e palestinezëve me pretendim se janë “pa leje”.
Duke vënë në dukje se kjo është hera e 119-të e rrënimit të shtëpive në fshatin Arakib nga Izraeli që nga muaji korrik i vitit 2010, Turi tha se “Izraeli më parë një herë në muaj e rrënonte fshatin tonë, kurse tani çdo dy apo tre javë po realizon rrënime. Kurse ne do të qëndrojmë në mënyrë të vendosur në tokat tona dhe do t’i rindërtojmë shtëpitë e rrënuara nga Izraeli. Sepse kjo është toka jonë.”
Në fshatin Arakib jetojnë 87 palestinezë shtetas të Izraelit. Qeveria e Izraelit pretendon se fshati është formuar nëpërmjet rrugëve ilegale dhe se duhet të rrënohet. Kurse banorët e fshatit theksojnë se këto toka kanë mbetur trashëgim nga gjyshërit e tyre shumë më parë, para themelimit të Izraelit.
Banorët pas çdo rrënimi nga Izraeli, po vazhdojnë të rezistojnë duke i rindërtuar shtëpitë e tyre me materiale të drurit dhe të plastikës. Izraeli së fundi më 14 shtator kishte realizuar rrënime në fshatin Arakib.