RAMALLAH (AA) – Ushtria izraelite ka mbyllur tre kompani mediatike dhe një shtëpi botuese në Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas dëshmitarëve okularë, ushtarët izraelitë kanë organizuar bastisje në kompanitë “Palmedia”, “Transmedia” dhe Ram Sat që veprojnë në Ramallah, Hebron dhe Nablus.
Thuhet se ushtarët izraelitë kanë konfiskuar pajisjet për montazh, fotografitë dhe kompjuterët brenda kompanive, ndërsa në dyert e tyre kanë ngjitur njoftimin që tregon se kompanitë mediatike në fjalë do të jenë të mbyllura për gjashtë muaj.
Siç njoftohet, ushtarët e Izraelit kanë organizuar bastisje edhe në shtëpinë botuese Er-Ramuni në Ramallah, në të cilën po ashtu kanë vendosur njoftimin për mbylljen e saj në periudhë prej gjashtë muajve.
Ndërkaq, nuk është dhënë asnjë arsyetim për mbylljen e kompanive dhe shtëpisë botuese në fjalë.
Megjithatë, theksohet se kompanitë e mbyllura ofronin shërbime mediatike dhe komunikimi për kanalet televizive Al Kudus dhe Filistin el-Jeum me qendër në Bejrut, kanalin Al Aksa të Hamasit me qendër në Gaza, kanalit Al-Menar të Hizbullahut në Liban dhe kanalin Russia Today.