Gjykata Qendrore në qytetin Lod ka liruar një kolon hebre të mitur, i cili është një nga të dyshuarit për djegien e shtëpisë së familjes palestineze Devabishe në Bregun Perëndimor të okupuar në vitin 2015
KUDS (AA) – Gjykata izraelite ka liruar në burgim shtëpiak njërin prej të dyshuarve të cilët shkaktuan vdekjen e tre personave, përfshirë një foshnje, duke djegur shtëpinë e familjes palestineze Devabishe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas gazetës izraelite Yediot Ahronit, Gjykata Qendrore në qytetin Lod ka liruar një kolon hebre të mitur, i cili është një nga të dyshuarit për djegien e shtëpisë së familjes palestineze Devabishe në Bregun Perëndimor të okupuar në vitin 2015.
Gjykata ka vendosur që të dyshuarit, emri i të cilit nuk u bë publik, t’i vendosen pranga elektronike dhe të qëndrojë në burgim shtëpiak.
Ndryshe, Gjykata Qendrore muajin e kaluar shqyrtoi përmasat ligjore të dëshmive të të dyshuarit kryesor Amiram Ben-Uliel dhe të një të mituri të paidentifikuar, pas pretendimeve të tyre se dëshmitë e tyre janë marrë me forcë, me ç’rast e cilësoi si “ligjërisht të vlefshme” dëshminë e Ben-Uliel, duke mos e pranuar atë të të dyshuarit të mitur.
Rasti i djegies së shtëpisë së familjes palestineze Devabishe nga kolonët fanatikë hebrenj ndodhi mëngjesin e 31 korrikut të vitit 2015 në qytezën Duma në afërsi të Nablusin në Bregun Perëndimor.
Gjatë incidentit si pasojë e djegies jetën humbi foshnja 18 muajshe Ali Devabishe, ndërsa e ëma, babai dhe fëmija tjetër katërvjeçar kishin pësuar plagë të rënda.
Pas sulmit i cili shkaktoi indinjatë të madhe te palestinezët dhe komuniteti ndërkombëtar, babai Saad (31) dhe nëna Riham Devabishe (28) humbën jetën në spitalin ku u trajtuan, ndërsa Ahmedi, i mbijetuari i vetëm, vazhdoi trajtimin për një kohë të gjatë në spital për shkak të djegies së 60 për qind të trupit.