0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

“Izraeli i dha fund marrëveshjes me OÇP-në”

Më të lexuarat

“Izraeli i dha fund marrëveshjes me OÇP-në”

Presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas, tha se Izraeli “i ka dhënë fund” Marrëveshjes Paqësore të Oslos, të arritur në vitin 1993 ndërmjet Organizatës Çlirimtare të Palestinës dhe Izraelit dhe se kjo marrëveshje duhet të rishqyrtohet.

Në një fjalim mbajtur në qytetin e Ramallahut të Bregut Perëndimor nën pushtim, gjatë Mbledhjes së 28-të të Punës me temën “Jerusalemi, kryeqyteti i përjetshëm i Palestinës”, organizuar nga Këshilli Qendror Palestinez që vepron në kuadër të Organizatës Çlirimtare të Palestinës (OÇP), Abbas, tha: “Izraeli i dha fund Oslos. Prandaj, duhet të vendoset në tryezë diskutimi për t’u rishqyrtuar“.

Abbas tha se është e papranueshme që qeverisja palestineze të vazhdojë nën sovranitetin e forcës okupuese.

Duke deklaruar se ngelet i përkushtuar në zgjidhjen me dy shtete mbi parimin e një shteti të pavarur palestinez me kryeqytet Jerusalemin Lindor dhe me kufijtë e vitit 1967, Abbas shtoi se qeveria palestineze, edhe përkundër vetos së ShBA-ve, do të shkojë në Këshillin e Sigurimit (KS) për anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara (OKB).

Abbas theksoi se nuk do të pranojnë ndërmjetësimin e ShBA-ve në bisedimet paqësore ndërmjet Palestinës dhe Izraelit dhe as planin e quajtur “marrëveshja e shekullit”, të cilin ShBA-të e kanë përgatitur për të qenë bazë në procesin paqësor izraelito-palestinez.

“Ne nuk marrim urdhër nga askush për asnjë çështje që kanë të bëjnë me kauzën tonë”, shtoi ai.

Ai iu drejtua edhe presidentit të ShBA-ve, Donald Trump, duke thënë se Jerusalemi tanimë është hequr nga tryeza e bisedimeve dhe se ai është kryeqyteti fetar dhe politik i Palestinës.

“Qeveria palestineze Jerusalemin e pranon vetëm si kryeqytet të Palestinës”, u shpreh Abbas.

Abbas tha po ashtu se ShBA-të përpiqen të heqin nga agjenda refugjatët palestinezë dhe se Britania duhet të kërkojë falje dhe t’i paguajë dëmshpërblim popullit palestinez për shkak të “Deklaratës së Balfourit”. Ai pohoi se atë periudhë, ShBA-të kanë këmbëngulur për vënien në fuqi të Deklaratës së Balfourit.

Për Nikki Haley, përfaqësuesen e Përhershme të ShBA-ve në OKB, dhe për ambasadorin amerikan në Izrael, David Friedman, i cili ka thënë se Palestina nuk është nën okupim, Abbas tha: “Këta janë burim turpi për një shtet i cili e respekton veten”.

Ai shtoi se ShBA-të deri më tani kanë vënë veto ndaj 46 rezolutave të KS-OKB-së.

“Ne nuk përzihemi në çështjet e brendshme të asnjë vendi arab, prandaj nuk do të pranojmë që askush të përzihet në çështjet tona”, tha presidenti i Palestinës, duke shtuar se “pranvera arabe” është “importuar” nga ShBA-të dhe se problemet në vendet arabe janë çështje të brendshme.

Abbas më tej deklaroi se derisa nuk zgjidhet çështja e Palestinës, ata nuk do të pranojnë normalizimin e raporteve të vendeve arabe me Izraelin.

Duke shtuar se ndihet i shqetësuar për mospjesëmarrjen e Hamasit dhe Lëvizjes Palestineze “Xhihadi Islam” në mbledhje, Abbas shtoi se do të dëshironte që në këtë mbledhje “historike” për të ardhmen e Palestinës, të merrnin pjesë të gjitha grupet palestineze.

Ai gjithashtu bëri të ditur se brenda një muaji në kryeqytetin e Belgjikës, Bruksel, do të takohet me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) dhe se do të vazhdojnë takimet me palët “pro-paqësore” të Izraelit. (Anadolu Agency – AA).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit