27 C
Pristina
Saturday, September 28, 2024

Izraeli heq detektorët e metalit në hyrje të xhamisë Al-Aksa

Më të lexuarat

JERUSALEM (AA) – Policia izraelite gjatë natës ka hequr detektorët e metalit në hyrje të xhamisë Al-Aksa, raporton Anadolu Agency (AA).

Ish drejtori i kompleksit Al-Aksa Sheiku Naxhi Bekirat pëmes një deklarate tha se autoritetet izraelite nuk kanë hequr kamerat mbikëqyrëse. Ai shtoi se vetëm heqja e detektorëve metalikë nuk mjafton dhe nuk i plotëson kërkesat e palestinezëve.

Në deklaratën e Këshillit të sigurisë në Izrael thuhet se detektorët e metalit do të zëvendësohen me teknologji të avancuar ose me masa të tjera.

Deri në realizimin e planit në lidhje me përdorimin e teknologjive të avancuara në afërsi të Al-Aksës do të vendosen një numër dukshëm më i madh i pjesëtarëve të policisë.

Paralelisht me këtë, policia izraelite gjatë natës ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë një grup palestinezësh në Jerusalem, ku gjatë kësaj ndërhyrjeje të policisë janë plagosur disa njerëz.

Ministrja izraelite: Heqja e detektorëve në Al-Aksa vendim i “papërshtatshëm”

Vendimin për heqjen e detektorëve të metalit në hyrje të xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, ministrja izraelite e Kulturës Miriam Miri Regev e ka quajtur “të papërshtatshëm”, duke shtuar se “nuk duhet të jesh ekspert i sigurisë për të qenë i vetëdijshëm se sa efektive ishin detektorët në aspektin e sigurisë”.

Një nga imamët e Al-Aksës Sheiku Raid Dana tha se ende nuk është e qartë situata në terren.

“Janë hequr detektorët e metalit, por ende nuk e dimë se cila është alternativa”, shpjegon Dana. Ai ka thënë se zyrtarët e Al-Aksas do të mbajnë takim me udhëheqësit politikë me të cilët do të vlerësojnë situatën dhe do të vendosin për hapat e ardhshëm.

Ai tha se vendimi do të jetë vendimi i popullit në rrugë. Besimtarët edhe sot në mëngjes, namazin e sabahut e falën në rrugë.

Kriza u përshkallëzua më 14 korrik në mëngjes, kur policia izraelite vrau tre palestinezë para dhe në kompleksin Al-Aksa, ku e gjitha rezultoi me trazira të përgjithshme në të cilat u plagosën disa njerëz, përfshirë dy policë izraelitë të cilët ndërruan jetë rrugës për në spital.

Policia izraelite më pas urdhëroi mbylljen e kompleksit Al-Aksa ndërsa palestinezët për herë të parë që nga pushtimi i vitit 1967 namazin e xhumasë e falën jashtë mureve të qytetit të vjetër.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit