1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Izraeli dhe Hamasi vazhdojnë luftimet

Më të lexuarat

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli është i gatshëm që të zgjerojë në mënyrë të konsiderueshme operacionin kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Ai i ka bërë këto komente të dielën, derisa Izraeli ka vazhduar të sulmojë Gazën nga ajri dhe deti për të pestën ditën me radhë. Dy ndërtesa mediatike janë shkatërruar, ashtu si edhe një zyrë e Hamasit.

Ushtria izraelite ka thënë se do të godasë qindra objektiva në Gaza, derisa ajo të ndalojë hedhjen e raketave në territorin izraelit.

Raketat e Gazës raportohet të kenë goditur edhe Jerusalemin e Tel Avivin.

Shoqata e Huaj Mediatike në Lindjen e Mesme i ka kërkuar llogari Izraelit për bombardimin e dy ndërtesave, në të cilat janë plagosur disa gazetarë.

Ushtria e Izraelit ka thënë se ka qëlluar antenat e tyre, të cilat Hamasi i përdor për të komunikuar me forcat e tij në terren.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se spitalet në Gaza janë të mbipopulluara me të plagosur dhe se furnizimet me barna kanë nisur të zvogëlohen.

​​
Izraeli ka vënë në gatishmëri 75,000 forca rezervë. Një ministër i qeverisë ka thënë se ofensiva tokësore në Gaza mund të nisë të dielën, nëse nuk ndalen raketat.

Dhuna në territorin palestinez është intensifikuar qysh të mërkurën, kur një raketë e Izraelit ka vrarë shefin e krahut ushtarak të Hamasit në Rripin e Gazës.

Lëvizja Islamike ka thënë se ushtria izraelite, me këtë vrasje, “i ka hapur dyert e ferrit”.

Pavarësisht sulmeve të vazhdueshme, diplomatët, në anën tjetër, kanë vazhduar përpjekjet për ndërmjetësimin e armëpushimit.

Presidenti i Egjiptit, Muhammad Morsi, ka thënë se është në kontakt me Hamasin dhe zyrtarët izraelitë.

Ministrat arabë janë takuar në Kajro dhe kanë rëndë dakord për të dërguar një delegacion në Gaza brenda 48 orëve. Delegacioni do të udhëhiqet nga shefi i Ligës Arabe, Nabil El-Araby.

Ministrat arabë kanë shprehur mbështetje të fuqishme për palestinezët në Gaza dhe kanë dënuar sulmet izraelite kundër Hamasit, i cili sundon këtë rajon qysh në vitin 2007.

Ministri i Jashtëm i Libanit, Adnan Mansour, ka thënë se vendet arabe duhet të tregojnë vendosmëri të fuqishme diplomatike dhe të mbështesin palestinezët në Gaza.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve arabe që kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin, që të ndërmarrin hapa në nivel diplomatik, duke tërhequr ambasadorët e tyre, duke ndërprerë të gjitha lidhjet diplomatike dhe duke anuluar çdo marrëveshje”, ka thënë Mansour.

Mbi 50 persona, palestinezë dhe izraelitë, thuhet të kenë humbur jetën në pesë ditë luftime. Kjo vlerësohet të jetë dhuna më e keqe ndërmjet Izraelit dhe Gazës në disa vjet.(v.t.)/rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit