-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Islamofobia, Europa shekullaro-kristiane dhe racizmi

Më të lexuarat

Ibrahim Kallën

Shfaqja e kohëve të fundit e grupeve dhe manifestimeve antiislame anembanë Europës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po bëhet gjithnjë më shumë një model i përgjithshëm. Me një mori mërish të përziera për një varg çështjesh të ndryshme, pjesa më e madhe e të cilave ka të bëjnë fare pak ose aspak me Islamin dhe muslimanët, grupet ekstremiste dhe tejet konservatore janë përfshirë në një fushatë sistematike për t’i bërë bashkësitë muslimane të pakicës kokë turku për të këqijat shoqërore, ekonomike dhe politike në vendet e tyre në Europë dhe në SHBA. Ata përdorin një imazh të zgjedhur e të shtrembëruar të Islamit dhe kërkojnë të krijojnë një sintezë të veçantë të Perëndimit judeo-kristian dhe shekullar kundër një armiku imagjinar, të quajtur “islamizimi i Perëndimit”.

Lëvizja antimuslimane po zhvendoset nga ligjërimi në veprim. Manifestimet e mëdha të organizuara në Drezden të Gjermanisë më 15 dhjetor nga grupi i quajtur PEGIDA (Patriotische Europäer Gegen die Islamisierung des Abendlandes [Europianët Patriotë Kundër Islamizimit të Perëndimit] – shënim i përkthyesit) tërhoqën mijëra njerëz. Slogani i tyre përmban falët, “Gjermania nuk është vendi i emigrantëve”. Ata u kërkojnë bashkësive imigrante të jetojnë në përputhje me një “kulturë të bazuar në humanizmin” dhe në vlerat “kristiano-hebreje”.

Një kërkesë e tillë do të përjashtonte lehtësisht miliona gjermanë vendas, që mbase nuk do të pajtoheshin me përkufzimin e PEGIDA-sit mbi mënyrën e të qenit fetar dhe humanist në Europën e shekullit të njëzet e një. Ironikisht, lëvizjet antimuslimane përdorin argumente kristiane dhe shekullare kundër imigrantëve në përgjithësi, dhe kundër muslimanëve në veçanti. Në një mënyrë mjaft ogurkeqe, ata i identifkojnë muslima- nët si antikristianë, anti-modernë dhe antihumanistë. Grupet fetare dhe shekullare të ekstremit të djathtë në Europë dhe në SHBA, ndërsa nuk janë të një mendjeje për thuajse të tëra çështjet madhore, bashkohen kundër atij çka ato e perceptojnë të jetë kërcënimi i Islamit.

Mbështetësit e PEGIDA-sit në Gjermani e mohojnë se janë racistë apo neonazistë, sido që ca i shohin ata si “neonazistë në vija të holla”. Alarmuese është tipologjia e tyre që priret për nga e mesmja: punëtorë krahu, profesionistë të klasës së mesme, prindër, pensionistë, e të tjerë. Këta nuk janë banda apo aktivistë të krahut të djathtë ekstrem, por njerëz të zakonshëm. Dhe pikërisht kjo është e rrezikshme rreth apelit të kësaj vale të re të lëvizjes antiislame dhe antiemigrante. Protestat e mëdha dhe ligjërimi që ata përdorin tregon shkallën në të cilën islamofobia dhe ksenofobia po bëhen të pranueshme shoqërisht mes grupeve të ndryshme në Gjermani.

Fatmirësisht, qytetarët dhe politikanët gjermanë kanë reaguar ndaj kësaj lëvizjeje të re që ngjan gati-gati me racizëm. Kancelarja Angela Merkel u shpreh se, “në Gjermani ka liri të grumbullimit, por nuk ka vend për nxitje dhe gënjeshtra për njerëzit që vijnë tek ne nga vende të tjera”. Një kundërmanifestim i madh u mbajt në Këln për të kundërshtuar pikëpamjet raciste të PEGIDA-sit, ku u përsërit pandërprerë slogani antinazist “nie wieda” (kurrë më).

Anëtari i Partisë së Gjelbër në parlamentin gjerman, Ëzxhan Mutllu

(Özcan Mutlu), vuri në dukje se, “islamofobia është një problem i madh në Gjermani, ashtu si antisemitizmi”. Ai gjithashtu shtoi se, “media gjermane nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë e paralajmërimit të njerëzve mbi islamofobinë”.

Këto reagime janë të rëndësishme, por problemi nuk do të zhduket vetëm me deklarime publike. Vala shoqërore e islamofobisë është e lidhur ngushtë me ngjitjen e partive politike të krahut të djathtë, si Fronti Kombëtar i Francës dhe Agimi i Artë i Greqisë. Fakti alarmues është se këto parti shërbejnë për të normalizuar dhe legjitimuar atë çka normalisht do të quhej e ndaluar në një rend demokratik. Sulmet antimuslimane po bëhen të shpeshta jashtë Gjermanisë. Një xhamie të vogël iu vu zjarri më 25 dhjetor në qytetin suedez të Eskilstunës, rreth 90 kilometra në perëndim të Stokholmit, dhe pesë persona u lënduan. Kjo ngjarje pasoi një tjetër incident, të ndodhur në janar, kur në derën kryesore të një xhamie në Stokholm u vizatuan kryqe të thyer.

Në Norvegji, vrasësi i dënuar Anders Breivik, i cili vrau 77 njerëz pas një sulmi të çmendur më 2011 për të “shpëtuar Europën nga Islami”, po kërkon nga sa thuhet, sipas autoriteteve norvegjeze, të krijojë një rrjet fashistësh të një mendjeje duke shkruar qindra letra nga qelia e tij e burgut.

Në Francë, gazetari francez Erik Zemur (Éric Zemmour) kërkoi të argumentojë se pse duheshin përzënë pesë milionë muslimanët e vendit. Duke folur për gazetën italiane Corriere Della Serra, ai deklaroi se muslimanët priren të izolohen në rrethina dhe të jetojnë me njëri-tjetrin, me parashikimin që kjo çon në fund në “kaos dhe luftë civile”. Ministri francez i Punëve të Brendshme, Bernard Kaznëv (Bernard Cazeneuve), i dënoi deklaratat e Zemurit (Zemmour).

Matanë Atlantikut, Abdisamed Shejh- Husein (Abdisamad Sheikh-Hussein), një pesëmbëdhjetëvjeçar musliman somalez, vdiq më 4 dhjetor, kur, sipas policisë së qytetit të Kansasit, ai u godit me dashje nga një makinë që ia këputi të dy këmbët. Shoferi ishte i njohur për kërcënimet ndaj muslimanëve në qytet. Kërcënimet e tij i morën jetën në fund një djali në një sulm burracak dhe barbar.

Nuk është e vështirë t’i amplifkosh shembujt e tillë. Eshtë e vërtetë se çdonjë prej këtyre është një rast më vete. Por kjo është pikërisht ajo që kërkon vëmendje: kaq shumë sulme të ndryshme, në kaq vende të ndryshme, janë kryer me motive të ngjashme. Ato janë përsëritur me një shpeshtësi në rritje, duke krijuar një atmosferë frike dhe kanosjeje.

Eshtë gabim fatal t’i demonizosh bashkësitë e pakicave muslimane në emër të mbrojtjes së identitetit shekullar dhe judeo-kristian të vendeve perëndimore. Nëse mund të bëhet një përkufzim i tillë i kulluar i identitetit në jetën reale është shumë më tepër e ndërlikuar nga ç’dëshirojnë neoracistët të na bëjnë të besojmë.

Ne duhet të jemi syhapur ndaj këtyre fushatave urrejtjeje dhe racizmi. Njerëzit e vetëdijshëm me tradita fetare dhe të shkuar kulturore të ndryshme duhet të jenë në gjendje të bashkohen kundër grupeve antiislame dhe ksenofobe. Kjo është mënyra se si duhen çmuar e ushqyer vlerat fetare dhe humaniste për të cilat ne të tërë mund të aspirojmë.

Autori është zëdhënësi i presidentit të Republikës së Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan (Recep Tayyip Erdoğan)

Përzgjodhi dhe përktheu:

Bujar M. Hoxha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit