4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Islami në Kosovë

Më të lexuarat

Kosova quhet hapësira gjeografike e Shqipërisë që qe lënë jashtë kufijve zyrtar të saj nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913, sikurse jashtë kufijve zyrtar të këtij shteti mbetën më shumë se gjysma e tij. Ky copëtim i trojeve shqiptare vite më vonë me 1919 në Versajë të Parisit veç do të konfirmohet zyrtarisht për të mbetur i tillë deri në ditët e sotme.

Popullsia e Kosovës është shqiptare mbi 97%, ndërsa mbi 98% i përket besimit islam. Këtë përafërsisht e konfirmuan edhe të dhënat nga regjistrimi jo i plotë i fundit i bërë në Kosovë.

Më 17 Shkurt 2008 Kosova shpalli Pavarësinë e saj nga Serbia pas një lufte të përgjakshme në mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-së në njërën anë dhe forcave paramilitare dhe militare e kriminale serbe në anën tjetër.

Nga lufta e fundit në Kosovë 1998-99 forcat serbe kanë vrarë, ekzekutuar e masakruar rreth 15 000 shqiptarë, e mendohet se 90% prej tyre civilë të paarmatosur. Mbi 20 000 femra shqiptare janë përdhunuar, 3000 kanë qenë të zhdukur ndërsa fati i mbi 2000 shqiptarëve të tjerë nuk dihet ende.

Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, gjatë periudhës kohore mars 1998 – qershor 1999, njësitë kriminale dhe artileria e rendë serbe kanë shkatërruar dhe djegur pjesërisht ose tërësisht rreth 1.100 vendbanime shqiptare, kanë plaçkitur, djegur e shkatërruar mbi 200.000 shtëpi, banesa, lokale, punëtori zejtare, fabrika, shkolla, biblioteka, monumente kulturore-historike, objekte kulturore, shkencore, fetare etj.

Mbi 230 xhami dhe institucione islame shkatërruan forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë ofensivave të tyre të përgjakshme kundër popullit shqiptar në Kosovë.

Historia e Islamit daton qysh herët. Madje 200 vjet pas vdekjes së Pejgamberit Muhamed alejhi selam mendohet se shqiptarët e parë e kanë pranuar Islamin, në periudhën e viteve 800-të të erës sonë.

Gjurmët e lashtësisë së Islamit vite para ardhjes së Perandorisë Osmane vërehen nga mbishkrimet e xhamisë së gjetur në fshatin Milkë (Gorë) të Dragashit, që është e vjetër që nga viti 1289 konkretisht 200 vjet para ardhjes së Perandorisë Osmane. Dëshmitë historike të kësaj xhamie janë konfirmuar dhe bërë të njohura vite me parë.

Sipas hoxhes së shquar shqiptar Jakup Asipi, populli ynë filloi të pranojë Islamin, nga tregtarët që kanë ardhur me “shit” Islam (me bë thirrje dhe shpjegim të Islamit) në Zar, në Dubrovnik, në Tivar, në Vlorë, në Durrës, nga këto skela, nga këto limane detare.

Pavarësisht përqindjes më të madhe të popullsisë islame Kosova ka vetëm një medrese atë Alaudin në Prishtinë me paralele të ndara në Prizren dhe Gjilan pavarësisht nevojës edhe për shkolla të tjera të këtij profili.

Në Prishtinë gjithashtu ekziston prej dy dekadash edhe Fakulteti i Shkencave Islame, i cili vitin e kaluar është bërë njësi akademike e Universitetit Shtetëror “Hasan Prishtina” në Prishtinë.

Pavarësisht se një pjesë e madhe e myslimanëve të Kosovës nuk janë aktiv në kryerjen e obligimeve fetare, një rizgjim në mesin e myslimanëve për njohjen dhe praktikimin e Islamit vërehet gjithandej.

nga Gentian Jetishi/Drita Islame/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit