9.9 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

ISLAMI MATERIALIST

Më të lexuarat

Islami materialist nuk është Islami i nënshtrimit ndaj Allahut. Ai është “islam”, i cili formohet sipas epsheve të atyre që i përkasin kësaj mënyre të kuptimit të Islamit. Një Islam pa formë dhe pa thelb, që nuk përkufizohet dhe nuk përshkruhet, që është në ndryshim të vazhdueshëm dhe të cilit i mungon stabiliteti. Sipas botëkuptimit në fjalë Islami është në formësim të vazhdueshëm.

Sipas tyre Kurani, edhe pse është tekst hyjnor, ai në esencë është një tekst, i cili i nënshtrohet kuptimit njerëzor, kuptim ky i cili vazhdimisht zhvillohet. Ata pohojnë se kuptimi i Kuranit duhet madje edhe vazhdimisht të zhvillohet dhe të ndryshojë sipas kushteve vendore, kohore, kulturore dhe individuale të lexuesit të Kuranit. Çdo mënyrë e të kuptuarit njerëzor të Kuranit është e barabartë nga aspekti, se bëhet fjalë për kuptim njerëzor. Po të mos ishte ashtu, atëherë si do të ishte vallë i përshtatshëm Islami për çdo kohë dhe vend?

Atëherë, cili është kuptimi i vërtetë i Islamit? Sipas Islamit materialist, çdokush që identifikohet me Islamin ka të drejtë t’i përgjigjet kësaj pyetjeje në mënyrën se si e zgjedh ai. Kundërshtari i tij nuk ka të drejtë ta cilësojë atë me mosbesim, risi madje edhe gabim, sepse e vërteta nuk është monopol i askujt, e vërteta është një çështje relative, e cila varet nga pikëpamjet e njerëzve dhe nga kushtet e tyre. Sipas tyre nuk ka dallim mes shiitit dhe sunitit, mes sunitëve, esharive, mutezilive dhe havarixhëve, mes atyre që e pranojnë Sunetin dhe i mohojnë hadithet, mes pasuesve të Sunetit dhe sufive, që e konsiderojnë evlija atë që e pohon panteizmin, Ibën Arebiun.

“Islami socialist” është emërtimi i Islamit, të cilin e parapëlqen socialisti. Ebu Dherri – socialisti i parë dhe Hatixhja nëna e socializmit janë emrat e librave, që u botuan në vitet pesëdhjetë dhe gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar.

“Islami kapitalist” është emri që i përshtatet atij që e parapëlqen kapitalizmin. Kështu ai thotë, se Allahu e ka lejuar tregtinë dhe kamata me të cilën punojnë bankat e sodit nuk është kamata që e ka ndaluar Kurani. Kjo formë e veprimtarisë bankare sipas tij është nevojë esenciale në ekonominë bashkëkohore. Sipas tij kamata e ndaluar është kamata e njohur tek arabët në të cilën huadhënësit e shtonin shumëfish shumën që duhej kthyer me shtimin e afatit, duke e keqpërdorur nevojën e të varfërve.

Lloji tjetër është “islami demokratik”. Këshillimi “…dhe këshillohen për punët e veta me njëri-tjetrin” – Shura, 38) i përmendur në Kuran është vetëm një formë e demokracisë, brohorasin ithtarët e këtij kuptimi të gabuar të Islamit.

Të mahniturit pas “artit” thonë se Islami është fe e bukurisë, e cila nuk e kundërshton në asnjë mënyrë pikturën dhe skulpturën e bukur, edhe nëse bëhet fjalë për akte (pikturë ose skulpturë e qenies njerëzore të zhveshur). Tek ithtarët e Islamit “të padefinuar”, gjejmë edhe qëndrime sipas të cilëve Islami është feja e vetme, e cila e pranon “tjetrin”, në veçanti nëse bëhet fjalë për ithtarë të ndonjërës prej feve Abrahamike. Ata thonë: gjithë të dërguarit kanë qenë muslimanë dhe feja që kanë proklamuar ka qenë Islami, prandaj edhe çdo ndjekës i atij pejgamberi është “musliman” dhe është i barabartë me ndjekësit e Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem.

Duke u mbështetur gabimisht në parimin kuranor “Nuk ka dhunë në fe” ata e mohojnë daljen prej fesë (apostazinë) dhe dënimin Islam për murtedin. Ata thonë: jetojmë në një kohë kur liria e të shprehurit është e garantuar. Le të flasë çdokush atë që do: “lejoni që idetë të shumohen duke i ballafaquar mendimet, qofshin edhe fjalë që të parët tanë i konsideronin kufër të qartë.”

Nëse në të kaluarën mjekra ka qenë zbukurim për burrat dhe shenja e dallimit mes gjinive, ajo sot është bërë pengesë e afrimit mes gjinive, trend ky të cilin e promovon qytetërimi modern. Prandaj është “më se e normale” ta rruajmë mjekrën dhe t’i ngjajmë njeriut që ecën me “trendin”. Sistemi shtetëror, çështjet e politikës dhe të ekonomisë janë pjesë e dynjasë për të cilën i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ju i dini më mirë se unë çështjet e dynjasë suaj.” Prandaj “nuk është problem” që muslimanët të zgjedhin një sistem shtetëror, i cili do të jetë i përshtatshëm “me kohën” dhe aspiratat e muslimanëve. Meqë barazia gjinore është trend, atëherë pse të mos i “rregullojmë parimet diskriminuese” sipas të cilëve femrës i takon më pak se sa mashkullit gjatë trashëgimisë, pse të mos lejojmë që gratë “ta udhëheqin xhematin” në namaz, “të mbajnë hutbe” dhe të falen bashkërisht në një saf me meshkujt. Nuk ka nevojë as për mbulesë, ngase hixhabi i shekullit të gjashtë nuk është domosdoshmërish “veshje e nderit dhe e modestisë. “Kemi mundësi të vishemi ndershëm edhe pa e mbuluar trupin me hixhab”, thonë disa nga përkrahësit e idesë, që Islami t’u përshtatet kushteve dhe rrethanave. Të mos flasim për lirinë e shprehjes së aspiratave seksuale dhe çështjeve të tjera lidhur me këtë aspekt të jetës njerëzore.

Këtë formë të përkatësisë islame e duan ata që nuk i pranojnë parimet thelbësore të Islamit. Ata që insistojnë në komentimin autentik të Kuranit dhe Sunetit shpeshherë etiketohen si fundamentalistë radikalë, vehabi, që mendojnë akoma se mënyra e vetme e saktë Kurani dhe Suneti duhet të praktikohen dhe të komentohen si në kohën e as’habëve dhe gjeneratave të lavdëruara prej të Dërguarit, sal-lallahu alejhi ue selem. Themi: Islami e ka formën dhe thelbin e tij më të bukur, parime të përshtatshme me çdo vend dhe kohë, parime që i respektojnë dhe i parashohin, nevojat, aspiratat dhe natyrën njerëzore, por në të njëjtën kohë me kufij të qartë, që skicojnë pamjen më të përkryer të asaj që është më e mirë…

Përktheu dhe përshtati: Talha KURTISHI

albislam.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit