2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Islami, feja më e praktikuar në ishullin britanik!

Më të lexuarat

Islami në Europe është bërë një nga çështjet më të debatueshme në qarqet mediatike dhe akademike përsa i takon rolit dhe pozicionit që kanë muslimanët në shoqëritë perëndimore, apo identitetit të tyre. Ideja e një shkrimi të tillë më lindi nga një artikull që lexova në gazetën “Telegraph” sipas së cilës Islami është feja me e praktikuar në ishullin britanik. (1) Gazeta i referohet një studimi të bërë nga një organizatë e quajtur “E ardhmja e kishës” e cila parashikon që në vitin 2040 numri i muslimanëve që marrin pjesë në faljen e ditës së premte do të jetë dyfish më i madh sesa numri i të krishetrëve që marrin pjese në shërbimet e ditës së diel. Sipas raporteve të paraqitura nga qeveria britanike dhe burimeve akademike, statistikat e vitit 2004 tregojnë që rreth 930000 muslimanë shkuan në xhami të paktën një here në javë, krahasuar me 916000 ndjekës të kishës së Anglisë. Sipas studimeve të bëra nga organizata tepër prestigjoze, Islami është tashmë feja me rritjen më të shpejtë në Europë. Me teper së 53 milion muslimanë jetojnë në Europë, 14 prej të cilëve në BE. Franca ka numrin me të madh me 5.5 milionë, ndjekur nga Gjermania me 3.2 milionë dhe pastaj Mbreteria e Bashkuar me 1.8 milionë, Italia me 1 milion etj.
Eksperienca dhe kënaqësia që unë kam perjetuar në të jetuarit në një komunitet të tille është diversiteti që reflektohet në një shtrirje të gjerë etnish që mund të jetë si një lloj paradigëm i universalitetit që ofron Islami. Një karakteristikë e muslimanëve që jetojnë në Britanine e Madhe është arritja e një “modus vivendi” në menyrë që grupet etnike të veçanta si arabët, persianët, turqit, pakistanezët etj, të krijojnë një komunitet musliman dhe jo të vazhdojne në linjat e përkatësisë kombëtare apo etnike. Askush nuk mund ta kishte parashikuar përpara 100 viteve një përhapje dhe shtrirje të tillë të islamit në ditet e sotme dhe menjeherë më kujtohet poeti dhe mendimtari më i njohur i klasikës gjermane Gete. Në janar të vitit 1814 ai mori pjese në një falje kongrecionale të së premtes bashkë me muslimanet e ushtrise ruse të car Aleksandrit në gjimnazin protestant të Vajmarit. Në letrën për Treban me 5.1.1814 ai shkruan: “Kur bëj fjalë për profeci më duhet të verej së në kohën tonë po ndodhin gjëra për të cilat asnjë profet nuk do ta kishin lejuar të fliste. Kush do lejohej përpara disa vitesh që të bënte të ditur se në auditorin e gjimnazit tonë protestant do të mbahej shërbesë hyjnore muhamedane dhe se suret e Kuranit do të murmuriteshin në te, por ja që kjo po ndodh, dhe në morrëm pjese në shërbesën bashkire, pamë mullain e tyre dhe u uruam mireseardhjen princërve të tyre në teatër. Mu bë një nderim i veçantë duke mu dhuruar një hark dhe shigjetë, të cilat në kujtim të përjetshëm do ti var mbi oxhakun tim sapo Zoti tu ketë dhuruar këtyre mysafirëve të dashur një kthim të mbarë.”
Përsa i takon rrënjëve historike të Islamit njerëzit në Angli kishin dijeni për Islamin, kryesisht për shkak të inkursioneve muslimane në Europë, dhe gjatë asaj periudhe arabët iu ofruan Anglisë deri në Portre në Francë në vitin 732.
Përgjithësisht besohet që i pari anglez që ishte zotërues i gjuhës arabe ishte mësuesi i Henrit të dytë, Adelorat of Bath (1125), i cili udhëtoi në Siri dhe në Spanjen muslimane dhe përktheu një sërë tekstesh arabe në latinisht. Në anen tjeter i pari anglez që ka pranuar Islamin, emri i të cilit ka mbijetuar në burimet angleze (Udhetimi i bere në Tripoli 1583) ishte një shërbëtor, djali i një oficeri në gardën e mbretëreshës. Emri i tij është John Nelson.
Pasi muslimanet kishin themeluar hegjemoninë e tyre mbi Spanjën dhe Sicilinë, ata ishin perceptuar si një rrezik kryesor i krishterimit në Europë. Kryqëzatat e fillimit të mesjetës ishin përgjigje ndaj një armiku ushtarak dhe ideologjik, dhe një ndër këto kryqëzata u udheheq nga Richardi i parë i Anglisë. Ka vetëm prova sporadike të vizitave të muslimaneve në këtë periudhë siç ishte ajo e Al Tabini (1100-1166) apo ndërhyrjeve të piratëve afrikanë në ujerat angleze. Një e dhënë tjetër historike është mbërritja e përfaqesuesit persian në Angli në vitin 1238 për të kërkuar ndihmë ndaj kërcënimit mongol por që nuk gjeti asnjë lloj mbështetjeje nga Henri i tretë.
P[rparimi i muslimanëve në Europë vazhdonte me humbjen e perandorisë bizantine ndaj otomanëve të cilët e shtrinë perandorinë e tyre në gjithë Ballkanin duke rrethuar Vienën më 1529. Njohja e fuqisë otomane arriti zenitin e vet me ofertën e bërë nga Elisabeta e parë më 1588 për të hyrë në aleancë me Sulltan Muratin e tretë, një shok monoteist siç e quante ajo për të shkatërruar mbretërinë papiste dhe idhujtare të Spanjës. (3) Paralelizma të tilla historike kemi në shekullin e dymbëdhjetë kur King John u shkishërua nga papa Innocent i tretë. Mathew Paris një murg i asaj kohe na përshkruan detaje të një perfaqësuesi që mbreti John i dërgoi emirit të Afrikes së Veriut për tu ofruar ndihme muslimaneve në luftën e tyre në Spanje kundër mbretit katolik Aragon.
Prova të prezencës muslimane në këtë periudhë mund të përmendim skllevërit e liruar apo tregtarët. Një dokument i vitit 1641 vërteton prezencën e një ‘’sekti të çmendur të Muhamedit” sic përshkruhet në te. (4)
Një numër i konsiderueshëm muslimanësh otomanë udhëtuan në Angli nga fundi i shekullit të gjashtëmbëdhjetë.
Ahmet Efendi me profesion tregtar besohet që të jetë turku i parë që ka mbërritur në Angli. (5) Gjithashtu në këtë periudhë kemi edhe shkëmbime diplomatike ndërmjet Anglisë dhe Portës së Lartë. Një grup tjetër muslimanësh të asaj periudhe ishin të ashtuquajturit renegatë. Fjala spanjolle renegade është përdorur për herë të pare në anglisht në vitin 1581 dhe nënkuptonte një të konvertuar nga krishterimi në islam. Numri i renegatëve sipas dokumenteve historike në këtë periudhë filloi të shtohej sepse në mes muslimanve nuk kishte diskriminim që bazohej në pozitën sociale apo origjinën etnike të të konvertuarit. Pavarësisht nëse një person vinte nga Anglia apo Irlanda, ishte i lindur musliman apo ishte i konvertuar nga krishterimi apo judaizmi, apo nga raca dhe prejardhja e tij familjare, ai mund të ngrihej në pozitën me të lartë në pushtet.
Egaliterianizmi i mundesive në perandorinë muslimane ishte fakt tepër i njohur në Angli, lista e udhëheqësve në perandorinë osmane që paraqiten në publikimet angleze shpesh përfshin referenca të statusit të tyre si renegatë. Në shekullin e shtatëmbedhjetë 17 bejlerë në Afrikën e Veriut njiheshin që ishin me origjine krishtere. (6) Të gjitha konvertimet e britanikeve në këtë periudhë u kryen në vendet muslimane dhe nuk ka ndonje të dhënë që ndonjëri prej tyre pasi të ketë përqafuar islamin të jetë pranuar si renegat në vendin e tij.
Duhej pritur gjer në shekullin e tetëmbedhjetë që një britanik që kishte përqafuar islamin të mos shihej si një renegat por si një subjekt që kishte pranuar një fe tjetër.
Çështja shtrohet së si u pasqyruan renegatët të tillë në shoqërinë apo kishën britanike të asaj kohe. Shkrimtaret dhe artistet u vune në garë me njëri tjetrin për ti pasqyruar bashkëkombasit e tyre si të pushtuar nga djalli, si kriminelë makiavelian, apo ateist faustian. Në shekullin e 21 ka ende në Shqiperinë time, pseudointelektualë me mentalitet mesjetar që tmerrohen së shohin vajza të mbuluara me mbulesë islame apo djem që kanë leshuar mjekrat. Me të vertetë e pyes veten se drejt cilës Europë duan që të na shpien njerëz me mentalitet të tillë kur në shoqërinë angleze këto janë fenomene më se të përhapura dhe të pranueshme.
Në maj të vitit 1649 për herë të pare në historine angleze përkthehet teksti i plotë i Kuranit nga Aleksander Ros (1592-1654). Megjithëse përkthimi ishte tepër i varfër, një version i tillë do të mbetej për 85 vitet e ardhshme deri në përkthimin tjetër nga George Sole me 1734. (7) Përpara kësaj periudhe Kurani nuk i ishte bërë i njohur publikut anglez. Deri në vitin 1631 universiteti i Cambridge nuk kishte asnjë doreshkrim të Kuranit dhe vetëm në tetor të vitit 1630, Abraham Wheelock (1593-1653) i cili u bë professor i arabishtes në këtë universitet, i shkruante Bedwellit duke i kërkuar atij që ti dhuronte një kopje të Kuranit librarisë së universitetit. Bedwell i premtoi duke i shkruajtur inshallah në arabisht dhe e mbajti premtimin duke i dhuruar librarisë së universitetit të parin dorëshkrim të Kuranit. (8)
Vlera e kulturës, qytetërimit dhe shkencës islame ishte tepër e rëndësishme dhe ishte elementi kryesor në “priscia sapienta” apo urtësia fillestare që i dha shkak revolucionit kulturor në Europë.
Raportet e Islamit dhe Britanisë gjatë periudhes së mesjetës dhe gjeri në shekullin e tetembedhjetë kur filloi rënia e perandorisë osmane ishin raporte ku fuqia e perandorise osmane shihej si e pathyeshme dhe as që bëhej fjalë për kolonizimin dhe dominimin e tokave të islamit. Edward Said argumenton së krijimi i termit orientalizëm u shfaq vetëm pas shekullit të tetembedhjetë kur europianet mund të pikturonin dhe të portretizonin muslimanët në çfarëdo lloj forme që u pelqente atyre dhe tokat e islamit u bënë pre e kolonizimit britanik. (9)
Duke filluar që nga shekulli i tetembedhjetë filloi periudha e ideologjisë kolonizuese të Britanisë së Madhe ndaj botës islame, dhe në mënyrë që të siguronte dominimin, ushtria dhe misionarët bashkpunuan për të krijuar një hegjemoni politike, ekonomike dhe fetare. Një ideologji e tillë ishte e frymëzuar nga eskatologjia e krishtere që pretendonin që e kishte burimin në Bibël, sipas së cilës pritej rikthimi i Krishtit dhe e gjithë bota do të shëndrrohej në protestantë. Një fakt tjetër që vlen të permenden në eskatologjine britanike është përdorimi i termave saracenë dhe arabe duke përfshirë në të parin pejgamberin dhe përkrahësit e tij, ndërsa në të dytin arabët e asaj periudhe të cilët pershkruhen si të qytetëruar, të pasur dhe ekzotikë nga shkrimtarët e asaj kohe si Shakespeare, Marlow, Fletcher etj. Saracenët pershkruheshin si genjeshtarë dhe mashtrues dhe teologet që u kthyen në filologe e gjurmonin një emërtim të tillë tek Sara gruaja e Ibrahimit. (10) 
Eskatologjia e shkrimtarëve anglezë dhe skocezë të asaj kohe së bashku me qëllimet evangjeliste që shihnin kthimin e hebrenjve në Palestinë dhe konvertimin e tyre në të krishterë me qëllim që të zhduknin muslimanët, ishte fabrikim i mendjeve apoliptike të cilët kishin një urrejtje të fortë dhe të pandryshueshme ndaj islamit. Por fabrikime të tilla kanë krijuar një demonizim dhe urrejtje për muslimanet që ka dominuar paraqitjen e islamit edhe në periudhem moderne. Edward Said është shprehur që një eskatologji e tillë e paraqitjes së islamit që e justifikonte kolonizimin perendimor të botës islame kishte rrënjë të thella në iluzionet dhe imazhet biblike. (11)
Komuniteti më i njohur musliman në fund të shekullit të nëntëmbedhjetë u themelua nga një avokat nga “Isle of Man”. Quillam i cili pranoi islamin në vitin 1887 pas një udhëtimi në Marok. Ai filloi ti botonte pikëpamjet e tij fetare në një fletushkë të quajtur “Besimi Islam”. Më vonë instituti i xhamisë së Liverpulit filloi të botonte gazetën “Bota Islame” që trajtonte problemet e muslimanëve në të gjithe globin. Një qendër tjeter e rëndësishme islame që u formua në fillim të shekullit të njëzetë ishte xhamia e ndërtuar në Woking në Londër.
Nje organizatë tjetër muslimane u formua në dhjetor të vitit 1914 nga Lord Headley një tjeter i konvertuar dhe me influencë të madhe në shoqërine britanike. Organizata “British Muslim Society” u krijua me qëllimin e perhapjes së islamit tek jomuslimanët. Në këtë periudhe një ndikim tepër të madh në perhapjen e islamit dhanë figura tepër të njohura në shoqërinë britanike që u kthyen në thirrës islamë, ndër të cilet mund të përmendim: Lord Headley, Pickthall, Archibald Hamilton apo Lady Evelyn Colbold ndoshta e para grua angleze që ka kryer haxhin (pelegrinazh) në Mekë. (12)
Influksi i parë i refugjatëve politikë që mbërriti në Angli ishte gjatë sundimit të Sulltan Abdulmexhit (1832-1876) të cilët filluan botimin në Londër të gazetave të ndryshme si Hurrijet (liria) që protestonin ndaj tiranise së Sulltanit. një valë e dytë ishte gjatë sundimit të Sulltan Abdul Hamitit të dytë, i cili paraqitej nga turqit e rinj si një shtypës politik. Gjithashtu një numër emigrantesh muslimanë mberriten edhe nga Qiproja pasi Britania e Madhe kishte marre ishullin nën kontroll në vitin 1878.
Në fillim të shekullit të nëntëmbedhjetë muslimanet indianë filluan që të vinin në numër relativisht të vogël dhe kryesisht prej elitës së shoqerisë indiane që ishin të lidhur me perandorine britanike. Gjithashtu kjo periudhë u karakterizua nga një fluks i studentëve indiane që erdhën për të studiuar në universitetet britanike. Muhamed Ali Jinnah, i cili u bë udhëheqës i Muslim League dhe babai i themelimit të Pakistanit, erdhi si student në vitin 1897. Një numër i konsiderueshëm muslimanësh në këtë periudhë erdhën që të punonon si marinarë në anijet britanike.
Lufta e parë boterore solli si pasojë një kerkesë për fuqi punëtore për të zevendësuar meshkujt që ishin thirrur për shërbim ushtarak. Një pjesë e madhe e kësaj fuqie punëtore u importua nga vendet koloniale. Deri në vitin 1962 hyrja e qytetarëve nga kolonitë britanike dhe shtetet anëtare të Commonwealthit ishte e pakufizuar. Që nga lufta e dytë botërore muslimanët kane emigruar në numër shumë më të madh sesa përpara 1945 dhe shumica kryesisht vinte nga Azia jugore, vendet e Lindjes së Mesme, Afrika dhe Qiproja. Pas vitit 1945 emigrimi i muslimanëve mund të ndahet në dy faza kryesore: nga 1945 e deri në fillim të vitit 1970 dhe faza tjeter nga viti 1973 e deri në ditët e sotme. Në fazën e parë rindërtimi i ekonomisë pas luftes dhe zgjerimi i investimeve dhe kapitaleve kishin nevojë për fuqi punëtore dhe shumica e tyre u rekrutuan nga vendet muslimane. Fluksi i madh i emigrantëve e detyruan qeverinë që të ndryshonte legjislacionin dhe të kufizonte hyrjen e qytetareve nga vendet e Commonwealth dhe në mënyrë të veçantë “Commonwealth Immigration Act” ishte si përgjigje ndaj shkallës në rritje të pakënaqësisë të popullsisë vendase ndaj një fluksi kaq të madh të ardhjes së emigrantëve. (13)
Faza e dytë fillon me rritjen e çmimit të naftës në vitin 1973, dhe kjo solli si pasojë ardhjen e një grupi elit arabësh, të cilët për shkak të pasigurisë politike në vendet e tyre menduan që ti investojnë kapitalet e tyre në një vend ku u jepte garanci dhe siguri me të plotë. Deri në vitin 1988 kuvajtianet kane investuar rreth 55 bilione dollare ndërsa sauditet i kishin derdhur pasurite e tyre në banka, spitale dhe në fushën e ndertimeve.
Përsa i perket përbërjes dhe ndërtimit të komunitetit musliman në ditët e sotme nuk ka të dhëna të sakta dhe ka qenë gjithmone objekt diskutimi. Sipas të dhënava të zyres për statistika kombëtare popullsia muslimane është 1.6 milionë prej të cilëve 1.54 milionë jetojne në Angli dhe Uells ndersa 40.000 jetojnë në Skoci. (14) Ndërsa gazeta Guardian jep një shifër prej 1.8 milionësh prej të cilëve 1 milion jetojnë në Londër dhe 150.000 në Birmingham. (15) Në censusin e berë në vitin 2001 për herë të parë është perfshirë edhe pyetja e deklarimit të fesë. Muslimanet me origjine nga Pakistani dhe Bangladeshi përbejnë numrin më të madh të ndjekur nga ata që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme por duhet përmendur fakti se numri i muslimanëve nga Europa është rritur së tepërmi këto vitet e fundit dhe kryesisht nga trevat shqiptare, Bosnja dhe republikat ish-sovjetike. Përsa i përket shpërndarjes gjeografike një karakteristikë e muslimanëve është së ata jetojnë në zona apo qendra afër njëri tjetrit. Censusi i viti 2001 dëshmon fakte të tilla si p.sh. gjysma e komunitetit bangladeshas jeton në Londer (55%) dhe pothuajse gjysma jeton vetëm në një distrikt. Megjithëse komuniteti shqiptar ka arritur këto vitet e fundit, praninë më të madhe të tyre në Londër e takojmë në WoodGreen. Fakte të tjera interesante nga censusi i vitit 2001 është përbërja tepër e re e komunitetit musliman. Duke e krahasuar me 10% të popullsise së bardhë, 43% e pakistanezëve dhe 46% e bangladeshasve janë nën moshen 16 vjeç. Ndërsa në anën tjetër vetëm 2% e pakistanezve dhe 1% e bangladeshasve krahasuar me 17% të popullsise së bardhë janë mbi moshën 65 vjec. (16)
Përsa i përket marrëdhëniet me institucionet, përpjekjet e muslimanëve kanë qenë të perhershme për të realizuar kërkesat e tyre fetare dhe jo gjithmonë janë pritur me dashamirësi nga autoritetet. Dy nga çështjet më të debatueshme mes drejtuesve muslimanë dhe perfaqesuesve të qeverisë kishin të bënin me hapjen e shkollave islamike dhe lëndët fetare në shkolla. Një ndër shkollat e para islamike që kërkoi njohjen nga ana e qeverisë ishte një shkolle fillore e hapur nga ish këngëtari i muzikës pop, Cat Stevens, i njohur në arenën publike me emrin e ri Yusuf Islam. (17)
Numri i shkollave të pavarura islamike ka ardhur gjithnjë duke u rritur, nga 45 në vitin 1996, në 53 në 1997, dhe 77 në 2002. Të dhëna të sakta për numrin e xhamive nuk ka por mendohet të ketë me teper së 2000.
Xhamia më e njohur është ajo e Regent’s Park në Londër e cila ka një histori pak a shumë të vecante. Në vitin 1940 kabineti i luftës aprovoi dhënien e një dhurate prej 100.000 £ për blerjen e një trualli për ndërtimin e një xhamie. Një gjest i tillë u dha si tribut për mijëra ushtare muslimanë që kishin dhënë jetën për perandorinë britanike gjatë luftës së parë botërore. Mbreti George i gjashtë inaguroi qendrën islamike në nëntor të vitit 1944, por xhamia u përfundua në vitin 1977 dhe në vitin 1994 iu shtua pjesa arsimore dhe administrative. Një hulumtim i bërë në vitin 1990 konfirmoi që ka të paktën 839 xhami të rregjistruara dhe 950 organizata muslimane në të gjithë vendin. Numri i organizatave muslimane filloi të rritej pas vitit 1980 dhe kontributi i tyre humanitar në vendet muslimane ka qenë mjaft i rëndësishëm. Organizata të tilla si Islamic Releif (e themeluar në vitin 1984), Muslim Aid etj, u krijuan për tu ofruar ndihme njerëzve në nevojë.
Organizata të tjera si Komisioni i të Drejtave Njerezore Islamike, apo Shoqata e Avokateve Muslimane, u krijuan për të mbrojtur të drejtat e muslimanëve në vend dhe për të luftuar për drejtësi në të gjithë botën muslimane.
Në fushën e promovimit të islamit jane krijuar një sërë organizatash dhe instiucionesh të ndryshme. Akademia Islame në Cambridge u themelua në vitin 1983 dhe puna e saj nëpërmjet konferencave dhe seminareve të ndryshme ka qenë mjaft e rëndësishme në paraqitjen e islamit tek popullsia vendase.
Në fushën mediatike televizionet dhe radiot islame po japin një kontribut jetik për të plotësuar nevojat informative dhe edukuese të muslimanëve dhe për të promovuar islamin tek jomuslimanët.
Komuniteti musliman në Europë tashmë konsiderohet pjesë e pandashme e realitetit ekonomik dhe politik të këtyre vendeve dhe pranimi i një fakti të tillë është prezent edhe në mendjet e intelektualeve europianë, të cilët nuk e shohin Europën si një klub krishter, por si një shoqëri multikulturore dhe multietnike. Jashtë këtij formacioni politik dhe ekonomik që një pjesë e europianeve kanë krijuar është edhe një ndër kombet më të lashta të Europës, me numrin më të madh të muslimanëve: kombi shqiptar. Megjithëse shqiptaret vazhdojnë të levizin në Europe me tagrin e të paftuarit, kjo ka krijuar mundesinë e krijimit të lidhjeve dhe njohjeve me fqinjët tanë europianë.
Padyshim komuniteti musliman në vendet perendimore është në lutje dhe pritje që kombi shqiptar të bëhet pjesë e BE, dhe Islami në këtë formacion politik të shihet jo vetëm si i importuar nga emigrantët, por edhe i ngulitur tek popullsitë e kontinentit të vjetër që përfaqesohen nga kombi shqiptar apo boshnjak, apo numri tepër i madh i europianeve të kthyer në Islam.
Agim Alia
———————————
1 The Telegraph. September 4 2005
2 N. Matar. Islam in Britain, 1998, p 43.
3 P Lewis. Islam in Great Britain. Religion, Politics and dhe Identity of British Muslims, 1994, p 43.
4 H Ansari. The Infidel Within, 2003, p 27.
5 S Sonyet. The Hidden Minority. Turkish Muslim Children In British Schools.
Cambridge, 1998, p 3.
6 N Matar. Islam in Britain, 1998, p 46.
7 N Matar. Islam in Britain, 1998, p 73.
8 N Matar. Islam in Britain, 1998 p 74
9 N Matar. Islam in Britain, 1998, p 11
10 N Matar. Isalm in Britain, 1998, p 155
11 N Matar. Islam in Britain, 1998, p 186
12 H Ansari. The Indidel Within, 2003, p 131
13 J Nielsen. Muslims in Western Europe. 1992, p 31.
14 Offices for National Statistics. http://www.statistics.gov.uk
15 The Guardian. June 17.2002. British Muslim Series. A Map of Muslim Britain.
16 Computerised from D. Owen. Ethnic Minorities in Great Britain. 1991 Census.
17 J Nielsen. Muslims in Western Europe. 1992, p 57.
Agim Alia,

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit