Nga Kim Mehmeti
Thuajse sa herë që nisem për në Kosovë, më rikujtohen tri ngjarje dhe tri fytyra, që do mund të qëndronin në ballinat e trinisë së stinëve të mia jetësore: fëmijërisë, rinisë dhe pjekurisë që jam duke e jetuar. Dhe në epiqendër të këtyre tri ngjarjeve, që për mua kanë domethënien e historishkrimit të Kosovës së shekullit të kaluar, qëndrojnë sytë e trishtuar të tre fëmijëve me bukuri engjëllore, por që kurrë nuk do i shënojë objektivi i historisë sonë kombëtare, edhe pse shikimi i tyre bartte fletshskrimin e pagabueshëm të tmerrit që gjatë shekujve kemi përjetuar ne shqiptarët.
Në fëmijërinë time të hershme, te ne erdhi një familje kosovare. Mes shumë vetave që mbushën shtëpinë tonë të varfër, ishte edhe një vogëlush sykaltër, më një bukuri engjëllore. Dhe nuk qëndruan gjatë, ngaqë disa ditë më vonë, dolëm t’i përcillnim te stacioni hekurudhor i Shkupit nga do niseshin drejtë Turqisë. Dhe nga ajo lotëderdhje e atyre që shkonin dhe atyre që i përcillnin shtegtarët që përgjithmonë e braktisnin vendlindjen, unë mbajë mend vetëm sytë e bukur të vocërrakut kosovar, ato sy që shikonin mizërinë e njerëzve ku qëndroja edhe unë, fëmija e atëhershëm, i cili asokohe nuk e dinte ku ndodhej Kosova, por ia doli ta kuptojë se ku banonte dhembja e një fëmije sykaltër kosovar.
Në vitet e rinisë sime ndodhi eksodi biblik i shqiptarëve nga Kosova, që i dëboi regjimi i Millosheviqit. Dhe gjatë bombardimeve të NATO-s, gropa e Bllacës pranë vendkalimit kufitar Maqedoni-Kosovë, u mbush me dhembjen e atyre që prisnin të kalojnë këtej, ku i priste dhembja jonë për ta. Për çdo ditë dilja aty dhe bëja atë që bënin të gjithë shqiptarët nga ana jonë e kufirit: e jetoja dhembjen e atij që përballet me pamundësinë t’i shpëtoj gjithë ata që vuanin në atë gropë përplot baltë. Dhe një ditë, mes turmës së fatkqinjve, pashë një palë sy të kaltër fëmije, që ma kujtuan shikim e sykaltrit të fëmijërisë sime që u shpërngul në Turqi. Bëra çmos që t’i afrohesha dhe së bashku me nënën e tij, t’i merrja me vete. Por as ky nuk mbeti shumë gjatë me ne: pas disa ditëve, dolëm te aeroporti i Shkupit nga e përcollëm për ne Gjermani, ku i priste daja i vogëlushit.
Shumi vite më vonë, kur kisha filluar të besoja se Kosova nuk kishte më sykaltrosh për t’ua dhënë vendeve të huaja, ndodhi e pabesueshmja: në vitin 2015, rastësish u gjeta te stacioni i autobusëve në Prishtinë. U ndjeva i tmerruar nga rrëmuja e njerëzve që shtynin njëri tjetrin për tu ngjitur nëpër autobusët që do i çonin drejt vendeve perëndimore. Dhe përnjëherë shikimi m’u përballë me atë të një fëmije sykaltër, të cilin e shtrëngonte në kraharor nëna e tij e përlotur. Bëra çmos që t’u afrohesha, e t’i lusja të mos shkonin atje ku ishin nisur, por mëkot: dera e autobusit u mbyll dhe pashë vetëm sytë e trishtuar të kaltër, që shikonin turmën që mbeti te stacioni i autobusëve në Prishtinë. Pastaj u nisa për në Shkup dhe që nga ajo natë, sa herë që dikush kërkon nga unë që shkurtimisht ta përshkruaj Kosovën, mua më faniten këto tri ngjarje me tre kryepersonazhët sykaltroshë në to.
Edhe kur nisem për në Tiranë, më ringjallen në kujtesë pamje që derdhen në njëra- tjetrën, si e vërteta në të trilluarën dhe, nuk arrij të dalloj se cilat ndodhi janë pjellë e imagjinatës, e cilat ngjarje të vërteta. Madje- madje, ato që me të vërtetë kanë ndodhur, më duken si të ardhura nga përtej imagjinatës. Dhe kështu, tre fëmijët e prindërve kyrbetçarë nga Elbasani, e të cilët, në plazhin e Pargës – nga frika se do mund t’i zbulonin se ishin shqiptarë – nuk flisnin shqip me fëmijët e mi, më kthehen në kujtesë së bashku me anijet e mbushur me përplotë shqiptarë, e të cilat e shpërndanin varfërinë shqiptare nëpër qytetet e Italisë. Po pra, shpeshherë, posa arrij në Tiranë, vetvetiu më vjen në kujtesë edhe viti 1997, viti kur bashkëkombësit e atjeshëm, e rrënuan shtetin vetëm pse së tepërmi u besonin dhe i donin partitë, me çka edhe njëherë dëshmuan se ne shqiptarët dimë të mbrojmë pushtet, por jo edhe shtet. Dhe kur arrij në Tiranë, shpeshherë më ndodh që e sotmja t’ma rikujtoj të kaluarën, ngaqë ka diçka që edhe sot, të bënë të ndjehesh njësoj si dje e pardje: të rinjtë që mezi presin ta braktisin vendlindjen dhe partiakët që flasin për sukseset e mëdha që i kanë arritur. Pra, sa herë që arrij në Tiranë, ndjehem si ai që qëndron përpara kopshtit të ëndërruar, por të lënë në duart e hajdutëve të pamëshirshëm, pra ndjehem si para lulishtes të mbetur pa kopshtarin që do kujdesej për të!
Edhe përderisa jam në Shkup, nuk më mungon ndjesia se jam duke jetuar në një nga kryeqendrat e shqiptarisë, ngaqë edhe këtu, si çdokund nëpër ‘Shqipëritë’ tona, i papenguar rrjedhë lumi i të rinjve shqiptarë, që e braktisin vendlindjen ngaqë ajo thuajse më edhe nuk i do. Dhe kur kësaj ndjenje ia shtojë pamjet që më rikujtohen thuajse sa herë që nisem për në Prishtinë, si dhe ato kur arrij në Tiranë, unë e dëgjojë një zë të molisur të brendshëm, që pandalë më thotë: ne shqiptarët ishim dhe mbetëm popull të cilin, ose të huajt e dëbojnë nga trojet e veta etnike, ose ai ikë nga vetvetja!