Ish-ministri egjiptian i Investimeve, Yehia Hamed ka bërë thirrje për fillimin e një hetimi ndërkombëtar për vdekjen e papritur në sallën e gjyqit në Egjipt të ish-presidentit Mohamed Morsi dhe djalit të tij Abdullah Morsi.
Yahia Hamed, i cili ka qenë ish-ministër i Investimeve në periudhën e Morsit, në një deklaratë në llogarinë e tij në median sociale, bashkë me ministrin e Planifikimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Amr Darrag kërkuan nga Kombet e Bashkuara (OKB) që të hetojnë vdekjen e Mohamed Morsit, përfshirë edhe vdekjen e djalit të tij.
“Unë mbështes plotësisht iniciativën e nisur nga ekspertët e OKB-së për të drejtat e njeriut lidhur me vdekjen e Mohamed Morsi. Por, për të kuptuar plotësisht të vërtetën OKB-ja duhet të bëjë hetime edhe për vdekjen e Abdullah Morsit. Ne e mirëpresim dhe mbështesim plotësisht hetimin e OKB-së lidhur me arsyet që kanë shkaktuar vdekjen e presidentit Morsi. Ky hetim është një hap i rëndësishëm për të ardhmen”, tha Hamed lidhur me fjalët e ekspertëve të OKB-së për vdekjen e Morsit.
Raportuesja e Posaçme e OKB-së për Ekzekutimet Jashtëgjyqësore dhe Arbitrare, Agnes Callamard dhe Grupi i Punës mbi Arrestimet Arbirare të OKB-së, në një deklaratë të përbashkët me shkrim dje theksuan se kushtet e burgut në Egjipt mund të kenë shkaktuar vdekjen e drejtpërdrejt të presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Morsi.
“Vdekja e Morsit pas ekspozimit ndaj këtyre kushteve të vështira, mund të jetë një vrasje arbitrare me mbështetje shtetërore”, thuhet në deklaratën e bërë.
Presidenti Mohamed Morsi i rrëzuar me një grusht ushtarak, ndërroi jetë në sallë gjatë seancës gjyqësore në qershor. Ndërsa djali i tij Abdullah Morsi ndërroi jetë në shtator si pasojë e një sulmi në zemër./AA