Kryeministri Isa Mustafa, ka shpallur një “betejë të re”, anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkim Evropian. Këtë zotim, e ka dhënë ai në 66 vjetorin e themelimit të Bashkimit Evropian.
Mustafa ka thënë se Kosova, ka vlerat e saj për t’ia bashkuar këtij bashkimi shtetesh e kombesh të lira.
“Për t’i rivendosur vlerat e shteteve dhe kombit tonë aty ku e kanë vendin, ne duhet të dëshmojmë se kemi vullnet e fuqi për ta vendosur ligjin mbi të gjithë. Ne duhet të dëshmojmë me vendosmërinë tonë për ta luftuar e çrrënjosur korrupsionin e krimin e organizuar dhe të zbatojmë standardet e demokracisë”, ka thënë Mustafa në një deklaratë në Facebook.
Ai ka thënë se tash që është nënshkruar dhe ka filluar të zbatohet Marrëveshja e Stabilizim Asociimit dhe, “pasi kemi përmbushur të gjitha kriteret, kemi marrë rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave” Kosova pret të marrë datën e lirisë së lëvizjes në Zonën Schengen, “aspiratat tona shkojnë duke u rritur”.
“Këtë Ditë të Evropës, ne e shënojmë me rezultate të prekshme. Përveç MSA-së dhe liberalizimit të vizave, edhe në fushën e sportit kemi mbërritur të thyejmë barriera të mëdha. Tashmë talentët e shumtë në sporte të ndryshme, kanë fituar mundësinë për të garuar me konkurentët e tyre evropianë, duke përfaqësuar me dinjitet simbolet e shtetit të tyre, Republikës së Kosovës. Kosova është tashmë pjesë e UEFA dhe shpejt edhe e FIFA”, ka thënë ai. “Unë e shpallë sot publikisht betejën e radhës, atë të përmbushjes së kritereve për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO”.
Mustafa ka thënë se Qeveria e koalicionit që ai drejton është e gatshme t’u prijë në këtë rrugëtim. Sipas tij, procesi i integrimit evropian të Kosovës është agjenda më unike, e cila i bashkon të gjitha partitë politike, komunitetet e ndryshme etnike dhe shoqërinë në përgjithësi.
Kryeministri i vendit ka thënë se Qeveria ka një agjendë të qartë zhvillimore, me parametra të matshëm dhe një agjendë evropiane që synon bashkëpunimin me fqinjët, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe zbatimin e reformave rrënjësore që afrojnë vendin me Bashkimin Evropian.
“Kosova po prodhon stabilitet në rajon, ka marrëdhënie të mira me fqinjët”.
Ka përmendur dialogun me Serbinë si proces të normalizimit të raporteve fqinjësore.
“Ne e kemi të qartë se BE-ja nuk pranon në gjirin e saj vende me probleme fqinjësore, prandaj për të ecur përpara, Kosova dhe Serbia kanë zgjedhur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit. Marrëveshjet me Serbinë dhe fqinjësia e mirë, si parakusht për integrim në BE, përkrahet nga shumica e qytetarëve të Kosovës dhe më tepër se 2/3 e Kuvendit, i cili në vitin 2013 ka vendosur kornizat e këtij dialogu”.
Sipas kryeministrit, nëpërmes dialogut, është arritur integrimin e komunitetit serb në Kosovë, edhe në veri të vendit, “dhe tani po punojmë së bashku që agjenda jonë politike të jetë ekonomia dhe integrimi Euro-Atlantik”.
“Kjo gatishmëri dhe përkushtim i Kosovës për të ecur përkrah vlerave evropiane, jam i bindur se do të ndikojnë tek 5 shtetet hezituese ta njohin Kosovën shtet të pavarur dhe sovran”./