1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Irani synon rregullimin e imazhit

Më të lexuarat

Kur Irani do të jetë nikoqir i samitit pesë-ditor të Lëvizjes së të Painkuadruarve, ai do të bëjë më shumë se sa të organizojë ngjarjen më të madhe ndërkombëtare brenda më shumë se një dekade-Teherani do të përpiqet të zbeh imazhin e tij si vend i dëbuar nga bota.

Me moton “për paqe të qëndrueshme përmes qeverisjes ndërkombëtare” në Teheran pritet që nga 26 deri më 31 gusht të takohen më shumë se 40 udhëheqës të shteteve dhe qindra diplomatë të nivelit të lartë.

Lëvizja ishte themeluar gjatë Luftës së Ftohtë për të bashkuar shtetet që dëshironin të ishin të pavarura nga blloqet e fuqive ekzistuese botërore. Sot, Lëvizja e të Painkuadruarve ka 120 anëtarë, të cilët së bashku kanë numrin më të madh të votave në Kombet e Bashkuara.

Irani shpreson të përdorë samitin si platformë për të përmirësuar imazhin e tij diplomatik, përderisa synon të fitojë mbështetjen e nevojshme si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve perëndimore lidhur me programin e tij bërthamor.

Teherani po i shfrytëzon të gjitha mjetet në dispozicion për ta organizuar ngjarjen më së miri -përfshirë një fushatë të gjerë të pastrimi dhe dhënien e pushimeve për banorët në kohën kur do të mbahet organizimi.

Në listën e të ftuarve janë përfshirë edhe disa personalitete të rëndësishme, edhe pse nuk dihet se a do t’u përgjigjen ftesave personat në fjalë si për shembull presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin apo sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun.

Kleriku Ahmad Katami, anëtar i Asamblesë së Ekspertëve në Iran, ka pritje të mëdha nga samiti duke thënë se një organizim i mirë i tij do të ishte një arritje e madhe për Republikën Islamike.

Pjesëmarrja e konfirmuar e presidentit të Egjiptit, Mohamad Morsi, portretizohet tashmë si fitore. Sipas sistemit rotativ, Iranit do t’i dorëzohet udhëheqja e Lëvizjes së të Painkuadruarve gjatë samitit nga Egjipti.

Për këtë arsye, Teherani e kishte dërguar një zëvendëspresident në Kajro për t’ia dorëzuar Morsit ftesën personalisht.

Me pjesëmarrjen e Morsit në samit do të shënohej vizita e parë e një lideri egjiptian në Iran që nga Revolucioni Islamik në vitin 1979.

Ftesa bërë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, ndërkaq, cilësohet të jetë kontraverse. Izraeli i ka kërkuar Banit që të mos marrë pjesë në samit duke thënë se me pjesëmarrjen e tij do të legjitimizohej regjimi i Iranit.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Viktoria Nuland, vuri në pikëpyetje vendimin e Lëvizjes së të Painkuadruarve për ta mbajtur samitin në Iran.

“Ne mendojmë se përzgjedhja e vendit është vendim i çuditshëm, veçanërisht duke marrë parasysh mospërmbushjen e shumë obligimeve të Kombeve të Bashkuara nga ana e Iranit. Ne e kemi ngritur këtë çështje tek shtetet anëtare të Lëvizjes së të Painkuadruarve dhe tek sekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe mendojmë se vendimi nuk paraqet një sinjal të mirë”, u shpreh Nuland.

Ban nuk ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në samit, gjë që ka shkaktuar pesimizëm tek zyrtarët iranianë.

“Mospjesëmarrja e Ban Ki-munit në samitin në Teheran nuk përbën ndonjë problem për takimin e Lëvizjes së të Painkuadruarve”, tha zëdhënësi i parlamentit Ali Larijani më 20 gusht për të shtuar se me një veprim të tillë do të zvogëlohej ndikimi i Kombeve të Bashkuara në botë.

Pavarësisht të gjithave, Irani është i vendosur që t’i mos prishen planet për organizimin e samitit.

Ligjvënësi, Alaedin Borujerdi, tha në javën e kaluar se samiti do t’i shpallë të pavlefshme pretendimet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për ekzistimin e një fronti të përbashkët ndërkombëtar kundër Republikës Islamike.

“Armiqtë e Iranit e kanë përsëritur këtë gënjeshtër dhe e bëjnë këtë edhe tani”, citohet të ketë thënë Borujerdi më 12 gusht.

“Sidoqoftë, prania e liderëve dhe përfaqësuesve të 120 shteteve anëtare të Lëvizjes së të Painkuadruarve në Teheran do të vë në dukje potencialin e madh të Iranit”, theksoi ai.

Por, Aleks Vatanka, ekspert në Institutin për Lindjen e Mesme, është më pak optimist.

“Ky mund të jetë një gjest simbolik dhe, të jem i sinqertë, vetëm mund t’i shërbejë regjimit të Iranit që të dëshmojë aftësinë se mund t’i sjell shumë njerëz në një vend”, tha ai.

Jadolla Xhavani, kreu i Zyrës Politike të Gardës Revolucionare të Iranit e cilësoi samitin si mundësi për të kundërshtuar efektet e sanksioneve perëndimore. Gjatë samitit, sipas tij, do të mund të krijohen shumë marrëveshje ekonomike.

Por, Vatanka i konsideroi të ulëta gjasat që të ndhodhë një gjë e tille.

“Lëvizja e të Painkuadruarve nuk ka një histori të veprimeve të përbashkëta. Pra, nuk mund të pritet që të mblidhen disa shtete për t’i kundërshtuar sanksionet e imponuara ndaj Iranit. Kjo nuk është debatuar. Askush nuk flet për gjëra të natyrës së tillë”, tha ai.

Aktivistët për të drejtat e njeriut po përpiqen ta përdorin samitin për t’i vënë në qendër të vëmendjes edhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Republikën Islamike.

Një grup i bllogerëve dhe aktivistëve iranianë u kanë bërë thirrje të ftuarve që ta vendosin qasjen tek të burgosurit në Iran si kusht për pjesëmarrjen e tyre në samitin në Teheran.

Në krye të listës do të ishte liderët opozitarë, Mehdi Karubi e Mir Hosein Musavi dhe bashkëshortja e Musavit, Zahra Ranavar. Që të tretë janë nën arrest shtëpiak që kur u përpoqën të nxisin protestat në rrugë në muajin shkurt të vitit të kaluar.(e.p.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit