8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Irani mund të kthehet në Çernobil pas sulmeve

Më të lexuarat

Maryami nuk mund të ndihmojë, përveç se të mendojë, se çfarë do të ndodhë në rast të ndonjë sulmi ndaj reaktorit për konvertimin e uraniumit, që gjendet në qytetin e saj.

Fabrika shtrihet në periferi të Isfahanit, qyteti historik, që ajo e quan shtëpi.

“Natyrisht, se frikësohem, edhe pse nuk kam ndonjë informacion në lidhje me ndikimin e mundshëm mbi njerëzit si unë”, thotë 55-vjeçarja.

Tani një raport i ri po përpiqet ta gjejë këtë informacion.

Ai rendit objektin në Isfahan, që përmban rreth 371 tonë metrikë të uraniumit hexafluorid – si një nga katër objektet iraniane që ka të ngjarë të jetë në shënjestër, nëse Izraeli apo Shtetet e Bashkuara do të ndërmerrnin veprime ushtarake për të vonuar apo dëmtuar programin bërthamor të Iranit.

Instituti për Politika Hinckely i Universitetit të Utah-ut dhe OJQ-ja Omid për Iranin janë bashkuar për të hartuat studimin, i cili konstaton se një sulm ushtarak mbi objektin Isfahan mund të ketë pasoja tragjike për Maryamin dhe mijëra banorë të tjerë të qytetit 2 milionësh që gjendet në qendër të Iranit.

Nuk ka gjasa që Maryam të vdesë menjëherë në rast të një sulmi. Por, ajo mund të jetë në mesin e 70 mijë njerëzve, që siç vlerëson studimi do të vriten ose do të lëndohen nga shtëllungat toksike që do të arrijnë qytetin brenda një ore.

Një skenar i tillë do të nënkuptonte që njerëzit e Isfahanit mund të përjetojnë një katastrofë të ngjashme me rrjedhjen e gazit vdekjeprurës në Bopal të Indisë, apo katastrofën bërthamore të Çernobilit në Ukrainë.

Tërë këtë skenar e parasheh autori i “Lojës Bërthamore të Ajatollahut”, Khosrow Semnani.

“Lëkura e njerëzve do të mund të digjej (kur të vijë në kontakt me shtëllungat), ata mund të verbërohen, mushkëritë e tyre mund të shkatërrohen, veshkat e tyre mund të dëmtohen dhe në të ardhmen ata mund të përballen me probleme të tjera shëndetësore të tilla si kanceri i lëkurës dhe forma të tjera të kancerit”, shpjegon Semnani.

Raporti analizoi ndikimin e sulmeve parandaluese konvencionale në katër objektet kryesore bërthamore: objekti i konvertimit të uraniumit në Isfahan, fabrika për pasurimin e karburantit në Natanz, Fabrika e ujit të rëndë në Arak dhe centrali bërthamor në Bushehr.

Punëtorët në ato vende, përfshirë shkencëtarët, stafin mbështetës, si dhe ushtarët – do të jenë në mesin e viktimave të para të një fushate bombarduese. Raporti vlerëson se shifra e viktimave(të vdekur dhe të lënduar) në zonat e bombarduara do të jetë 100 për qind.

“Sipas vlerësimeve tona, numri i viktimave të bombardimeve në katër objektet do të jetë rreth 5 mijë njerëz. Nëse bombardimi do të përfshijë më shumë se ato katër vende, atëherë numri i viktimave do të shkojë menjëherë në 10 mijë”, shprehet Semnani.

Raporti paralajmëron se skenari i zymtë mund të zmadhohet nga mungesa e gatishmërisë së autoriteteve iraniane, të cilat kanë një të kaluar të menaxhimit të dobët të fatkeqësive dhe të cilat nuk kanë kapacitet për të trajtuar pasojat vdekjeprurëse radioaktive pas sulmit të mundshëm.

Afshin Molavi, një ekspert iranian dhe një studiues në Fondacionin Amerika e Re, thotë se studimi mbush një boshllëk në diskutimet perëndimore rreth sulmeve ushtarake mbi Iranin, të cilat shpesh injorojnë koston njerëzore të veprimeve të tilla.

“Njerëzit flasin pa ndjenja për mundësinë e sulmeve ushtarake dhe i kufizojnë ato në pasojat gjeopolitike, gjeo-ekonomike se çfarë do të ndodhë me çmimin e naftës dhe çështje të tilla. Por, askush nuk ka folur kurrë për pasojat humanitare të një sulmi ushtarak mbi Iranin. Ato pasoja humanitare janë të rënda, kështu që unë mendoj se ky raport mbush një boshllëk shumë të rëndësishëm. Ai duhet të lexohet nga politikëbërësit në nivelet më të larta në qeveritë perëndimore, ai duhet të lexohet në Izrael, ai duhet të lexohet në të gjithë botën”, thotë Molavi.

Greg Thielman është një ish-zyrtar i lartë amerikan i zbulimit dhe një ekspert në Shoqatën për Kontrollin e Armëve, një grup me seli në SHBA.

Ai thotë se studimi është një eksplorim i vlefshëm që i jep ngjyrë “një diskutimi shumë të thatë dhe pagjak” në lidhje me pasojat e sulmit ndaj Iranit.

Thielman nuk pajtohet megjithatë me studimin në një pikë, duke thënë se nuk beson se Shtetet e Bashkuara ose Izraeli do ta sulmojnë Bushehrin, sepse centrali bërthamor nuk paraqet shqetësim të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

“Unë do të theksoja gjithashtu se sulmi është kundër Konventës së Gjenevës mbi sulmet ndaj centraleve civile bërthamore. Dhe kjo është një tjetër arsye pse mendoj se SHBA-ja dhe Izraeli do të mendojnë dy herë për këtë, sepse është e qartë se sulmi është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar”, tha Thielman.

David Albright është ish-inspektor për armët i OKB-së dhe president i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare në Uashington. Ai gjithashtu dyshon Bushehr do të jetë në shënjestër në rast të ndonjë sulmi.

Ai thotë se numri i viktimave do të varet nga mënyra se e planifikimit dhe kryerjes së sulmeve.

“Varet nëse ata sulmojnë të gjitha linjat (ku kryhet procesi i konvertimit të uraniumit) e ju keni gjashtë të tilla në Isfahan- ata mund të mos i sulmojnë ato dhe të zgjedhin që të dëmtojnë fabrikën, por pa i shkatërruar hexaflourid uraniumin”, tha Albright.

Kostoja e dëmeve njerëzore pas një sulmi mbi objektet bërthamore të Iranit nuk është injoruar vetëm nga analistët perëndimorë. Ajo nuk është as temë e diskutimit në Iran, ku mediat shtetërore kryesisht fokusohen mbi atë se si vendi do të hakmerret në rast të sulmit.

“Nëntëdhjetë e nëntë për qind e këtyre njerëzve nuk janë as të vetëdijshëm për skenarin e tmerrshëm” që mund t’i presë ata, thotë Semnani. (a.i.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit