“SHBA do të krijojë bazë ushtarake për të siguruar mbështetje logjistike ndaj avionëve që do të ndërmarrin operacione ajrore ndaj objektivave të ISIS”, ka bërë të ditur Zëdhënësi i Ministrisë së Forcave Peshmerge.
Zëdhënësi i Ministrisë Peshmerge në Qeverinë Rajonale Kurde vë veri të Irakut, Helgurt Hikmet ka njoftuar se SHBA do të ndërtojnë bazë ushtarake në afërsi të Erbilit.
Hikmet tha se: “SHBA do të ndërtojë një bazë ushtarake për të siguruar mbështetje logjistike për avionët që do të ndërmarrin operacione ajrore kundër objektivave të ISIS. Vendi i saj do të jetë në afërsi të Erbilit dhe në lidhje me këtë përgatitjet janë në vazhdim. Pas përfundimit të punimeve në rajon do të dislokohen avionët dhe autoritetet ushtarake. Nuk është përcaktuar ende numri i avionëve dhe koha kur ata do të dislokohen”.
Zëdhënësi i ministrisë së forcave Peshmerge njofton se këta avionë do të përdoren vetëm për mbështetje logjistike, ndërsa shton se avionët këtu do të përdoren në luftën kundër ISIS për qëllime zbuluese dhe mbikëqyrjeje. “Ata do të monitorojnë avionët që do të marrin pjesë drejtpërsëdrejti në luftë dhe në rast të ndonjë zhvillimi do të gjenden në ndihmë të tyre menjëherë. Avionët që do të bombardojnë objektivat e ISIS nuk do të ngrihen nga këtu”, ka sqaruar Hikmet.
Ai pohon se në bazën ushtarake në Erbil do të jenë të pranishëm edhe avionët e 60 vendeve pjesëmarrëse në koalicionin kundër ISIS. Pretendimet për ndërtimin e një baze ushtarake në Erbil nga SHBA ka qenë shpeshherë në rendin e ditës, por për herë të parë bëhet një njoftim zyrtar në lidhje me çështjen në fjalë.