Maqedonia nuk arrin t`i shfrytëzojë mjetet e Bashkimit Evropian për evropianizimin e shoqërisë, të cilat u ndahen vendeve që aspirojnë të bëhen pjesë e familjes evropiane, theksojnë drejtuesit e sektorit civil që ndjekin procesin e shpërndarjes së IPA-fondeve.
Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë ka paralajmëruar se do të shfrytëzohen fonde nga komponenti i dytë, që ka të bëjë me bashkëpunimin ndërkufitar me Kosovën.
Për të pasur më shumë sukses absorbimi i mjeteve nga IPA-fondet, ministrja për Integrime e Maqedonisë, Teuta Arifi, dhe homologia e saj nga Kosova, Vlora Çitaku, të hënën nënshkruan një marrëveshje financiare për bashkëpunim ndërkufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë, për hapjen e pikës kufitare Bellanovc-Stançiq, duke paralajmëruar funksionimin praktik vitin e ardhshëm. Për këtë projekt, janë dedikuar nga Bashkimi Evropian rreth 600 mijë euro.
Ndërkohë, drejtoresha e Qendrës për Arsim Evropian, Lidija Dimova, thotë se po nga komponenti i dytë, Maqedonia nuk ka arritur të shfrytëzojë pjesën më të madhe të mjeteve, si pasojë e mungesës së projekteve konkrete dhe neglizhencës së autoriteteve shtetërore.
“Në pjesën që ka të bëjë me bashkëpunimin ndërkufitar për periudhën kohore 2007-2010 ishin paraparë 17.09 milionë euro, nga të cilat Maqedonia ka arritur të realizojë 1.87 milion, që do të thotë se nuk ka arritur të realizojë as 10 për qind nga mjetet e parapara”, thotë Dimova.
Si shkak për shfrytëzimin e të dobët të mjeteve evropiane, Dimova përmend mungesën e kapaciteteve të institucioneve shtetërore për t’u ballafaquar me obligimet për realizimin e projekteve konkrete.
Ndërkaq, Hasan Jashari, ligjërues në Fakultetin e Administratës dhe Biznesit në UEJL, në Tetovë, konsideron se komunat përgjatë kufirit mbeten zonat më të pazhvilluara dhe më e keqja është se autoritetet udhëheqëse, qoftë nga pushteti vendor ose ai qendror, nuk kërkojnë ndihmë profesionale, por më shumë preferojnë të realizojnë projekte nga buxheti vetanak, sepse në atë formë siç shprehet ai, nuk kanë mbi kokë revizorët financiarë nga BE-ja.
“Problemi qëndron në mungesën e kapaciteteve krijuese dhe atyre projektuese të komunave, të cilat për të përmirësuar këtë gjendje të pavolitshme të mosrealizimit të fondeve evropiane, duhet të kërkojnë, madje duhet të lidhin bashkëpunim me asociacione të ndryshme profesionale, institute kërkimore, universitete, që të intensifikojnë bashkëpunimin ndërkufitar”.
“Ka shumë lëmi ku mund të realizohen projekte të suksesshme të përbashkëta, siç është pyllëzimi, mbrojtja e florës dhe faunës, mbrojtja nga zjarret që është bërë problem viteve të fundit, projektet që kanë të bëjnë me zhvillimin e blegtorisë dhe bujqësisë, pa përjashtuar turizmin, për çka ka kushte shumë të volitshme, veçanërisht me Kosovën dhe Shqipërinë”, shprehet Jashari.
Ekspertët për çështje e evropiane, gjithashtu, theksojnë ekziston rrezik i madh që mjetet e IPA-fondeve të tërhiqen dhe të ridestinohen për vendet e tjera të rajonit.