1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Intervistë – Pierre Vogel – Kam vendosur që ta thërras tërë Gjermaninë në Islam

Më të lexuarat

Intervistë – Pierre Vogel – Kam vendosur që ta thërras tërë Gjermaninë në Islam

05 Dhjetor 2007

Misionari i njohur gjerman – daiu Pierre Vogel alijas Salahudin Ebu Hamza është më i miri i boksit në Gjermani i cili para disa vitesh ka pranuar Islamin dhe me punën e të cilit vetëm në dy vitet e fundit islamin e kanë pranuar dy mijë e shtatëqind gjermanë. 

Në bisedën e këndshme Salahudin Ebu Hamza, si quhet tani, na flet për rininë e hershme të tij. Na tregon se është i lindur në Gjermaninë perëndimore, afër qytetit të Kelnit. Babai i tij është protestant, ndërsa nëna katolike. Është interesante se gjithmonë ka qenë i interesuar për fenë. E ka kryer gjimnazin e mesëm katolik në të cilin, programi ka qenë i bazuar në edukimin e fortë katolik. “Falenderoj Allahun, shumë kam përfituar nga ajo shkollë” na tregon Vogel.

“Në atë shkollë vëmendje të posaçme i është kushtuar edukatës së mirë dhe moralit”. Është munduar që nxënësit të arrijnë të bëhen besimtarë sa më të mirë. Pas shumë leximeve të librave fetarë katolikë dhe pas shumë polemizimeve me profesorët dhe priftërinjtë e vet, ai hasi në shumë kontradikta dhe parregullësi në krishterizëm.

“Për shembull, në Bibël shkruan se Juda është mbytur duke u varur në litar, ndërsa në librat e apostujve shkruan se ai ka rënë në tokë dhe ka vdekur. Poashtu në Bibël kam hasur në sqarime jologjike sa i përket krijimit të Tokës. Është e njohur se Kisha ka mbytur shumë njerëz të cilët kanë pohuar se Toka është e rrumbullaktë dhe se ajo rrotullohet. Kisha nuk ka pasë asnjë dyshim se Toka është pllakë e rrafshtë, dhe nuk është e rrumbullaktë. Pasi që kam hasur në këtolloj kontradikta në librat e shenjtë të të krishterëve, kam qenë i brengosur për një kohë të gjatë. Shumë kam medituar dhe jam pyetur se çka është kuptimi i jetës. Nëse nuk ka Zot, atëherë për çfarë shërben jeta jonë, a ka kjo botë arsye dhe qëllim të ekzistojë. Nuk ka pasë më kuptim të jem i krishterë. Dhe atëherë e ndërpreva të jem besimtar. Nuk besoja në atë fe dhe jetoja vetëm ashtu, vetëm sa për të jetuar, me një jetë pa qëllim” na tregon rininë e tij Vogel.

Ashtu si shumica e moshatarëve të tij edhe Vogel ka filluar rregullisht ti vizitojë diskoklubet dhe vendet e ngjashme ku takohen të rinjtë. Kjo është njëkohësisht edhe periudha kur fillon me ushtrime intenzive të boksit. “Kisha dëshirë të bëhem boksieri më i mirë. Dhe pas punës shumë të lodhshme dhe të rëndë, arrita të bëhem i pari i juniorëve në Gjermani në kategorinë time. E doja atë sport dhe kisha rezultate shumë të mira. Vendosa të bëhem boksier profesionist dhe edhe këtu pata sukses. Kam pasë shtatë ndeshje profesionale. Asnjëherë nuk kam pasë humbje” me krenari shpalos Vogel.

Një ditë duke qenë në një shoqëri më të gjerë ju afrohet një anëtar i organizatës Dëshmitarët e Jehovait. Ai njeri foli shumë fjalë fyese rreth islamit dhe e shau profetin Muhammed, a.s, Kur’anin dhe çdo gjë lidhur me Islamin. Vogeli thotë:
” Foli aq fjalë të pahijshme rreth Kur’anit sa që vendosa që vetë ta lexoja Kur’anin dhe të vërtetohem në vërtetësinë e fjalëve të tij. Motra ime e kishte një Kur’an të përkthyer në gjermanisht. E morra dhe me një frymë e lexova. Vë në dukje se para kësaj kam lexuar Biblën, Dhjatën e Vjetër dhe të Re. Por ju bëj be se nuk kam gjetur libër ku më bukur përshkruhet Zoti.
Pas leximit të parë e kam dashur Kur’anin. Por nuk doja që menjëherë ta pranoja Islamin. Doja që të vërtetohesha në vërtetësinë e Islamit dhe madhështinë e tij. Sepse, më parë e besoja Biblën dhe pastaj hasa në shumë gabime brenda saj. I thashë vetes, këtë libër duhet që edhe njëherë ta lexoj , që të jem plotësisht i sigurtë. I lexova edhe njëherë të gjitha librat e shenjtë Biblën, Teuratin, Zeburin, dhe pastaj përsëri Kur’anin prej fillimit deri në fund. E pastaj edhe njëherë e lexova Dhjatën e Re. Dhe përsëri Kur’anin. Deri atëherë derisa u binda se Kur’ani është i vërtetë. Në të njëtën kohë i lexova të gjitha librat e të gjitha religjioneve, madje edhe te hindusëve. Në të gjitha librat gjeja gabime. Përveç në Kur’an.

Pyetja e paevitueshme për ata që ë pranojnë Islamin dhe e braktisin fenë në të cilën kanë qenë, është si e kanë pritur prindërit, familja dhe shokët kalimin tënd në Islam ?

VOGEL: Prindërit, falë Zotit, kanë pasë kuptueshmëri. Poashtu edhe gjyshja ime. Shpesh flasim rreth Islamit dhe çdo gjë që ju flas ju ofroj edhe argument për to. Ata nuk kanë kundërargument. Unë jetën e kam rregulluar sipas Sheriatit dhe për këtë ata nuk munden për asgjë të më akuzojnë. Edhe më tutje i dua si më parë. Raporti im ndaj tyre nuk ka ndryshuar aspak. Nëse përpiqen të gjejnë diçka kundër meje, janë të vetëdijshëm se nuk kanë asnjë argument dhe për këtë më kanë pranuar të tillë çfarë jam. Faleminderit Allahut për këtë.

Na thuaj, çfarë është raporti i shtetit gjerman dhe popullit ndaj islamit?

Vogel: Është i ndryshëm. Ka që janë armiq të mëdhenjë të Islamit, dhe ka që janë të hapur dhe e respektojnë Islamin. Sa i përket shtetit, ka anë pozitive si dhe anë negative. Për shembull, në Gjermani nuk është problem të keni mjekër dhe të falni namaz kudo ku keni mundësi. Por tani po përpiqen të bëjnë problem çështjen e hixhabit nëpër shkolla. Dhe sillen rregullore me të cilat muslimanët në Gjermani ta kenë jetën sa më të vështirë.

Por për fat të keq, për këtë nuk është fajtore vetëm qeveria. Për këtë fajtor janë edhe organizatat e mëdha në vendin tonë. Ata natë e ditë përpiqen të tregohen totalisht lojalë në kuptimin që mund të ndryshojnë rregulloret islame. E fshehin të vërtetën nga njerëzit dhe në këtë mënyrë vetëm e nënçmojnë veten e tyre. Kjo është rrugë totalisht e gabueshme.

Kanë marrë lejet për ndërtimin e xhamive, por çka është qëllimi i këtyre xhamive dhe qendrave islame kur në to nuk kryhen kurrënjëfarë aktiviteti. Po ndërtohen xhami të cilat po “shëndrohen” në muze. Neve na duhen xhami të cilat janë të mbushura dhe ku falet namazi.

Një fakt dëshpërues është se shumica e të rinjve muslimanë në Gjermani janë të lidhur me kriminalitetin. Bëjnë tregti me drogë dhe përdorin droga. Kriminelët më të mëdhenjë në Gjermani, aktualisht janë bijtë e muslimanëve. Ata nuk falin namaz, bëjnë zina dhe asnjëherë nuk kanë mësuar se ato janë gjëra të cilat Allahu i ka ndaluar. Për këtë është dëshpëruese që organizatat muslimane ndërtojnë ndërtesa me mure të larta, të cilat i quajnë xhami dhe të cilat kanë minare të larta dhe shumë të shtrenjta, ndërsa aktivitetet e vetme në të cilat mblidhet rinia më së shumti janë kur luhet fotboll ose ndonjë sport tjetër. Hapësirat e organizatave muslimane në të cilat është investuar shumë para, shfrytëzohen më së shumti për festime, që në to të hahet e pihet. Kuptimi i fesë dhe falja e namazit kryesisht është i dobët.

Nëpër bibliotekat e Gjermanisëv thuhet se librat më të kërkuar janë rreth Islamit. Realisht sa janë gjermanët të interesuar për Islamin dhe a keni të dhëna se sa gjermanë kanë pranuar Islamin?

Vogel: Së pari, duhet të dini diçka, shumica e librave në gjuhën gjermane rreth Islamit flasin kundër Islamit. Sumicën e librave që shiten nëpër librari kanë shkruar autorët të cilët sjellin dyshime në Islam. Ky është problem i madh. Në të njëjtën kohë ky është edhe argument që organizatat e mëdha islame, puna të cilën edhe e kanë, nuk brengosen shumë rreth dawetit. Bile, në ato organizata qëndrojnë njerëz të cilët thonë se nuk duhet thirrur hebrenjtë dhe të krishtërt në islam sepse ata janë besimtarë. Por përkundër shumë dobësive tona, shumë njerëz e pranojnë islamin. Gazeta gjermane Allgemeine Zeitung në muajin mars ka shkruar se në vitin 2004, 1000 gjermanë kanë pranuar islamin. Në vitin 2005, në islam kanë kaluar 4000 gjermanë. Ndërsa në vitin 2006 sipas kësaj gazete, islamin e kanë pranuar katërmbëdhjetëmijë gjermanë. Më vonë, pas presioneve që kanë pasur, kanë shpallur se ky numër ka qenë më i vogël, por nuk kanë dashur të tregojnë sa është. Këtë vit parashihet që islamin e kanë pranuar rreth 20.000 gjermanë. Duhet theksuar se në vitin 2000 nuk ka pasur shumë kthime në islam.

Çka është arsyeja e një numri kaq të madh të të kthyerve në Islam?

Vogel: Allahu i dashur udhëzon kë të dojë. Ata të cilët unë dëshiroj ti emërtoj si tradhëtarë të islamit, ata kanë konsideruar se feja islame është e lidhur me raca ose me një popull të caktuar. Ata e konsiderojnë islamin si të drejtë të tyre ekskluzive. Për këtë të gjitha xhamitë që kanë ndërtuar dhe librat që i kanë shkruar kanë qenë ose në gjuhën arabe ose në gjuhën turke. Por, islami, falë Allahut, i ka tejkaluar këto barriera dhe tani kemi një numër të madh të muslimanëve autoktonë- gjermanë. Xhamia jonë është e para në të cilën hutbeja mbahet në gjuhën gjermane.

Më intereson si janë të organizuar xhematet autoktone gjermane, nëse ka të tilla?

Vogel: Për momentin, punohet individualisht. Nuk jemi të organizuar në një xhemat, por më shumë punojmë individualisht. Një numër i madh ka që e kanë pranuar islami dhe pastaj kanë udhëtuar në botën arabe për të studjuar dhe për të zgjeruar dijet e tyre rreth islamit. Me qindra janë tani në Egjipt. Janë disa njerëz të moshuar të cilët janë të organizuar në xhemate të vogla dhe të dobëta. Unë shpresoj se gjeneratat e reja do të përmirësojnë gjendjen.

A mund të përshkruani aktivitetet e xhematit tuaj?

Vogel: Unë jam kthyer në Gjermani prej studimeve në Meke në janar të vitit 2006. Që kur kam qenë student në Meke kam inqizuar gjashtë- shtatë CD me ligjëratat e mia. Këto kanë qenë ligjërata me temë rreth qëllimit të jetës, çka është islami, si falet namazi, Isusi a ka qenë muslimanë apo i krishterë. Kemi inqizuar rreth dhjetë mijë copë dhe i kemi shpërndarë. Dhe poashtu e kemi çelë edhe një web faqe.

Pas kthimit tim në Gjermani, me shokët kemi vendosur që tërë Gjermaninë ta thërrasim në Islam.

I kemi dhënë vetes detyrë që për çdo vikend të paguajmë sallën në ndonjë qytet të Gjermanisë por edhe nëpër fshatra, që në atë sallë t’i thirrim që të gjithë banorët e atij vendi dhe tju flasim rreth islamit.
Natyrisht, përgatitjet rreth ligjëratave fillojnë edhe rreth dy muaj më përpara. Shtypen ftesa që shpërndahen të gjitha partive politike të atij qyteti, të gjitha organizatave, stacionit policor, pushtetit lokal dhe personalisht bashkiakut, kishave, sinagogave dhe të gjithë qytetarëve. Temat e ligjëratave janë qëllimisht provokative dhe të çuditshme. Si psh. A është Isusi Zot, A është Kur’ani libër i Zotit etj. Ligjëratat zgjasin rreth tri orë. Pas kësaj bisedojmë dhe ju sqarojmë njerëzve islamin. Aty qëllojnë lloj lloj njerëzish, sektesh, nazistësh,… por më së shumti njerëz të zakonshëm dhe të mirë.

Aktiviteti tjetër është inicimi i web faqes. Ligjëratat i kemi inqizuar me kamerë dhe i kemi postuar në faqe, ku secili që dëshiron mund të hyjë dhe të ndjek ligjëratat. Tani për tani aty janë të postuar rreth katërqind derse. Gjatë një dite në faqe arrijnë ndërmjet 50 deri 100 pyetjesh. Çdo i dhjeti shkrim është prej ndokujt që dëshiron ta pranojë islamin. Është interesante se është një numër i madh i kroatëve që e kanë pranuar islamin. E ka edhe serbë. Ata kanë frikë ta pranojnë islamin, sepse familjet e tyre vështirë e pranojnë një fakt të tillë dhe i kërcënojnë ata.

Kemi mbi pesë milion vizita në web faqe. Gjithëçka që punojmë, mundohemi të jetë kualitative. Për këtë edhe i kemi blerë pajisjet më moderne për inqizime. Ligjëratat që i inqizojmë i përgatisim në web faqen tonë. Të gjithë ata që janë të interesuar mund t’i shkarkojnë dhe ti shfrytëzojnë ato. Përveç kësaj, i kemi shtypur me qindra mijë letra vetëngjitëse me mesazhe islame. Aktiviteti ynë i katërtë që e kemi bërë është shtypja dhe shpërndarja e pamfletave në të cilat kanë qenë të shkruar informatat elementare rreth islamit. Në ato pamflete ka qenë e shkruar vërrejtja: “Kush nuk e pranon islamin, do të përfundojë në Zjarr”. Krejt këtë aktivitet e bëjmë një grup prej shtatë vetash, falë Allahut.

Edhe diçka për fund ju lutem. Keni përvojë të madhe në punën me jomuslimanë. Edhe ne si muslimanë jetojmë në Europën e krishtere. Fqinjë i kemi serbët dhe kroatët dhe ne kemi për detyrë ti thirrim ata në Islam. Cila është metoda më e mirë e thirrjes së jomuslimanëve në Islam?

Vogel: Ju këshilloj atyre të cilët merren me thirrjen në islam që atë ta bëjnë në mënyrën më të mirë, më të urtë dhe më të thjeshtë. Që njerëzit ti kuptojnë ata. Unë mundohem që njerëzve të ju flas me Kur’an. Kur më pyesin diçka, fillimisht përgjegjen e kërkoj në Kur’an e pastaj ju citoj ajetet. Në këtë mënyrë ata që janë qëllimmirë më mirë do të kuptojnë. E ata që nuk e kanë qëllimin e mirë nuk do të mund të gjejnë mangësi sepse Kur’ani është libri më madhështor.

Përktheu Kadër Vogël 

www.mesazhi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit