7.3 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Interpoli lëshon urdhër arrest për 17 serbë dhe një shqiptar për krime në Kosovë

Më të lexuarat

Interpoli ka lëshuar fletëarreste për gjeneralin Momir Stojanoviq dhe 15 serbë e një shqiptarë, të akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë civile, të kryera në prill të vitit 1999 në Rekë të Keqe të Gjakovës.

Momir Stojanoviq, ish-gjeneral, aktualisht deputet i SNS dhe kryetar i Këshillit të Kuvendit të Serbisë për kontrollin e Shërbimit të Sigurimit është në listën e “kuqe” të Interpolit .

Sipas gazetës “V. Novosti”, në listën e të kërkuarve janë 17 serbë e malazezë dhe 1 shqiptar, të akuzuar për krime lufte mbi popullsisë civile të kryera në prill të vitit 1999 në Rekë të Keqe të Gjakovës. Gjenerali i pensionuar Stojanoviq në atë kohë ka qenë shef i sigurimit të Korpusit të Prishtinës.

Aktakuza është ngritur në Gjykatën Themelore të Gjakovës, kurse fletëarrestin ndërkombëtar e ka përcjellë UNMIK-u, përkatësisht Departamenti i Interpolit të administratës së UBNMIK-ut në Kosovë. Bëhet e ditur se njëri prej të akuzuarve, Zoran Mirkoviq, ka vdekur në Jagodinë (Serbi), kurse një tjetër, Mirash Mirko Grkoviq para disa ditësh është arrestuar në Podgoricë sipas fletarrestit të Interpolit, të cilit i është caktuar paraburgimi ekstradues gjashtë mujor.

Muharrem Ibrës, sipas “Novostit”, i cili ndodhet në listën e të kërkuarve të Interpolit, UÇK-ja ia ka rrëmbyer dy djemtë, tre vëllezër dhe dy djem të vëllait, kurse Dragan Pekoviqit ia kanë vrarë të vëllanë, Vojinin.

Momir Stojanoviq citohet të ketë thënë se po përgatitet edhe një aktakuzë ndaj 38 qytetarëve të Gjakovës. Ai i ka bërë thirrje shtetit të Serbisë të ndërmarrë hapa për të penguar “tendencën që ka për qëllim frikësimin e serbëve” . Po ashtu këtë e konsideron si “kundërpërgjigje ndaj vendimit të Kombeve të Bashkuara (?!) për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së”.

Stojanoviq e konsideron të pakuptimtë që 16 vjet pas luftës shpallen fletarreste. “Unë njoh vetëm gjyqin e vendit tim”, ka thënë ai.

Kryetari i Këshillit për Kosovën e Metohinë në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun ka deklaruar se “ajo që ka bërë (Stojanoviq) në KiM dihet. Ka qenë dëshmitar në Hagë, prandaj nuk e kuptoj çfarë do gjykata e Gjakovës”.

Sipas tij, “nëse është në liri Ramush Haradinaj, i cili në territorin e Gjakovës e të Deçanit ka kryer krime të tmerrshme, atëherë s’e di se për çka mund të flasë kush më shumë në KiM”.

“Novosti” shkruan se meqë Serbia ‘nuk mund të bashkëpunojë me shtetin që nuk e njeh, Gjykata Themelore në Gjakovë ka zgjedhur që urdhër arrestin ta bëjë përmes organizatave ndërkombëtare. Shtrohet pyetja se a është e detyruar Serbia të veprojë në bazë të fletarrestit të Interpolit e me kërkesën e UNMIK-ut e të EULEX-it, aq më parë meqë Serbia ka protokoll të nënshkruar për bashkëpunim me EULEX-in”.

Sipas interpretimeve të caktuara juridike, Interpol mund të kërkojë nga Serbia arrestimin e gjeneralit Stojanoviq, por të mos e dërgojë në Gjakovë, meqë është e detyruar të bashkëpunojë me këtë organizatë.

Stojanoviq kërcënohet të arrestohet posa ta lëshojë territorin e Serbisë.

Në listën e Interpolit kërkohet arrestimi i Momir Stojanoviqit (56), Nikolla Miqunoviqit (63), Zoran Mirkoviqit (46), Momçilo Stijoviqit (47), tre vëllezërve Momçillo (57), Millutin (58) dhe Milladin (53) Novakoviqit, babës e djalit Dragan (61) dhe Aleksandar (37) Pekoviqit, Zhivko Vuksanoviqit (53), Mirash Gegoviqit (67), Predrag Stojanoviqit (58), Muharrem Ibrajt (61), Misho Popoviqit (58), Dimitrije Rashoviqit (50), Sreten Camoviqit (68) dhe Llazar Drashkoviqit (45)./Express

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit