3.7 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Instituti “Yunus Emre” bashkëbisedim për gjuhën turke në Shqipëri

Më të lexuarat

TIRANË (AA) – Instituti “Yunus Emre” në Tiranë, organizoi një bashkëbisedim me temë “E shkuara, e sotmja dhe e ardhmja e turqishtes në Shqipëri”, ku i ftuar ishte zëvëndësdekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, Dr. Alban Foçi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij në hapjen e aktivitetit ku merrnin pjesë pedagogë, studiues dhe studentë, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Tiranë, Ömer Osman Demirbaş, tha se turqishtja në ditët e sotme ka arritur në një stad shumë të lartë.

“Jam shumë i lumtur që turqishtja ka arritur në këtë nivel dhe falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë mbështetjen për rritjen e turqishtes”, u shpreh Demirbaş.

Zv.dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, Alban Foçi, gjatë bashkëbisedimit tha se të dish turqishten ose osmanishten, është të dish të lexosh të shkuarën, kulturën dhe historinë e popullit shqiptar gjatë 5 shekujve të fundit.

Sipas tij të mësosh turqishten është detyrë e çdo studiuesi që ka dëshirë të njohë historinë e Shqipërisë. “Ne kemi bashkëjetuar me kombin turk, ne kemi bashkëjetuar brenda shtetit osman”, tha Foçi.

Përsa i përket të tashmes së gjuhës turke në Shqipëri, Foçi tha se është shumë shpresëdhënëse. “Gjatë vitit akademik 2017-2018 është 10 fishuar kontingjenti i studentëve të gjuhës turke dhe vitin tjetër shpresoj të kemi 90 studentë. Është një numër studentësh shumë i madh. Studentët vijnë me një qellim, vijnë sepse duan të mësojnë jo vetëm gjuhën turke, por dhe kulturën turke. Sot të studiosh për turqisht është një privilegj. Të dish turqishten të jep mundësi të mëdha punësimi, jo vetëm në Shqipëri, por dhe jashtë saj”, deklaroi Foçi.

Më tej Foçi tha se shteti turk ka dëshirën për të ndihmuar ngritjen e bashkëpunimit mes dy popujve. “Jemi dy popuj që kanë përjetuar bashkërisht gëzimet dhe hidhërimet. Tani që shteti turk është i fuqishëm, ai po na ndihmon në këtë periudhë tranzicioni. E ardhmja e gjuhës turke përsa kohë do të ketë njerëz që investojnë me shpirt dhe që janë të interesuar të mësojnë kultura të tjera do të jetë e hapur dhe e ndritur”, u shpreh ai.

Ndërsa dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës, Artur Sulo, u shpreh se sot me Ambasadën e Turqisë në Tiranë morën një nismë dhe do ta kthejmë në realitet inaugurimin e Qendrës së Kërkimit shqiptaro-turke.

Të interesuarit në Shqipëri mësojnë gjuhën turke nëpërmjt kurseve që ofron Instituti “Yunus Emre” në Tiranë. Gjithashtu gjuha turke është edhe si degë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Universitetin e Tiranës dhe është si lëndë me zgjedhje në disa universitete dhe gjimnaze të Shqipërisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit