Një numër varrezash ortodokse serbe janë dëmtuar në Prizren dhe në Kllokot, kanë njoftuar autoritetet e rendit në Kosovë.
Institucionet e Kosovës dhe partitë politike kanë vlerësuar se dëmtimi i varrezave është në kundërshti më vlerat demokratike të Kosovës.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka dënuar aktin e dëmtimit të varrezave të komunitetit serb në Kllokot duke e cilësuar si një vepër të papranueshme dhe të patolerueshme.
“Dëmtimi i varrezave është në kundërshtim me vlerat e shoqërisë në Kosovë dhe me traditën e tolerancës dhe të respektit ndërmjet njerëzve, religjioneve dhe kulturave të ndryshme. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës u bën thirrje organeve të hetuesisë që të gjejnë dhe kapin autorët e këtij akti vandal dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë”, vlerëson presidenca.
Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e konsideron këto akte si të rënda, të papranueshme dhe me tendencë të prishjes së imazhit të Kosovës dhe dëmtimit të proceseve nëpër të cilat po kalojmë. “AAK fton qytetarët e Kosovës që të tregohen të përmbajtur ndaj këtyre zhvillimeve dhe që të kenë besim të plotë në tejkalimin e situatës, kurse mekanizmat e rendit dhe të drejtësisë në Kosovë i fton që sa më parë t’i identifikojnë dhe t’ua japin dënimin e merituar atyre që i kryen këto akte qëllimkëqija për vendin dhe qytetarët tanë”, vlerëson AAK. /Ind/kohaislame