4.4 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Inkuzicioni, pas Galileo Galileut radhën e ka Irfan Salihu!

Më të lexuarat

Opinioni publik shqiptar në Kosovë është ndarë keqmas dje, ku një pjesë ishin shumë, po shumë të gëzuar dhe një pjesë të mërzitur për një vendim tejet të diskutueshëm të një institucioni, që u mor nën presion(quhet edhe shantazh), pra jo me kokë të ftohtë.
 
Po po, kishte njerëz që përfaqësojnë mendimin e lirë, të cilët në kor shfaqën gëzimin e tyre të hareshëm për shkarkimin e Irfan Salihut, imamit të Prizrenit. Dhe ky ngazëllim nuk përshkruhej dot. Madje kolegia dhe shoqja ime, Alma Lama, në profilin e saj në Facebook, shprehte se do të bllokonte çdo sharje, ndërkohë këtë nuk e bëri ndaj atyre që shanin muslimanët dhe Irfan Salihun.
 
Ndërkohë një pjesë tjetër ishin të mërzitur dhe shprehnin indinjatën e revoltën si me vendimin e Bashkësisë Islame të Kosovës, por edhe ndaj të gjithë atyre që gëzoheshin me këtë fakt.
 
Me një fjalë një atmosferë e rëndë përplasjeje, e cila u provokua vetëm e vetëm nga e keqe e madhe: fenomeni i inkuzicionit, i cili pjell vetëm padrejtësi dhe përçarje.
 
Por, çka ndodhur në fakt dy ditët e fundit në hapësirën shqiptare? Imami i xhamisë së Prizrenit, Irfan Salihu, duke folur përpara komunitetit që jep ligjërata dhe drejton faljet, ka elaboruar një temë mbi rolin e historisë dhe përdorimit të saj nga mjetet e komunikimit masiv. Hoxha Irfan Salihu, ka thënë se në mesjetë shqiptarët e Kosovës ishin ç’kombëtarizuar thuajse totalisht nga genocidi i Car Dushanit dhe Car Llazarit. Shqiptarët ishin regjistruar si ortodoksë serb në regjistrat e Kishës Ortodokse Serbe, e cila ishte vetë shteti dhe nuk kishte asnjë të dhënë të shkruar për numrin e banorëve, familjet, emrat përgjithësisht ishin serb etj. Një fakt i njohur gjerësisht dhe shkencërisht.
 
Perandoria Osmane, e cila u shtri edhe në Ballkan në atë kohë, shpëtoi shqiptarët duke riaktivizuar gjuhën shqipe dhe duke regjistruar në defterët zyrtarë çdo të dhënë për banorët e Kosovës. Drejtuesit e pushtetit në vilajetet e trevave shqipe ishin përgjithësisht shqiptarë, por edhe në vilajete të tjera, madje edhe në Azi. E njëjta gjë ndodhi edhe në Bosnjë, ku gjithashtu serbët thuajse kishin çrrënjosur identitetin e boshnjakëve. Perandoria Osmane pati një marrëdhënie partneriteti me këta popuj.
 
Në fakt Hoxhë Salihu këtë ka thënë para dy ditësh por në version më të shkurtuar dhe jo në formë akademike por më të thjeshtë, që ta kuptojnë njerëzit. Por disa media, kanë dhënë një version tejet të prerë, duke i hequr kuptimin dhe kontekstin dhe çfarë doli: ka thënë se shqiptarët nuk ishin autoktonë, që në fakt pasi pashë versionin origjinal nuk rezulton fare kështu dhe këtë mund ta ndjekë kushdo në youtube.
 
Por nuk është ky aspekt, sepse nëse flasim tërë natën kjo ha debat dhe ka shumë diskutime, ngaqë historiogafia shqiptare nuk i ka vënë pikat mbi “i” dhe shpesh në vend të fakteve ka përdorur anatemimet të cilat pjellin pastaj keqkuptime dhe debate të kota.
 
Problemi më i rëndë i ndodhur, është fushata inkuizitore mesjetare ndaj fjalës së një personi kushto qoftë ai. Galileo Galilei e Xhordano Bruno u linçuan në publik e më pas u dogjën se mendonin diçka, të cilën nuk e mendonin krerët e asaj kohe.
 
Ditën e djeshme u sulmua Irfan Salihu se shfaqi një mendim, edhe pse u manipulua keqas dhe turpshëm. Nëse vërtetë do të bëhej fjalë për korrektësi profesionale, version i fjalës së Salihut duhet të jepej i plotë, ose duhej përballur duke i lënë mundësinë imamit të Prizrenit të përgjigjej për sulmet. Ajo që ndodhi nuk është gjë tjetër veçse linçim publik, i denjë për periudhën e revolucionit kulturor të Maos ku njerëzit sulmoheshin në shesh pa i lënë mundësinë të flasin.
 
Ndërkohë Bashkëshia Islame e Kosovës, mori një vendim për ta pezulluar Irfan Salihun, nën presionin e një pjese të opinionit publik. Ky vendim ishte një gabim i rëndë pasi vendimi nën presion është t’i nënshtrohesh një shantazhi duke krijuar një precedent.
 
Opinioni publik ka qenë i ndarë dhe jo në unison për deklaratën në fjalë, ndaj duhej që shqyrtimi të bëhej me qetësi duke parë frame për frame të gjithë videon. Duhej dëgjuar i akuzuari pra imami i xhamisë së Prizrenit dhe më pas duhej të merrte vendimin.
 
Kush duartrokiti për këtë vendim, harron se kjo mund të hapë një efekt domino. Por nëse ta zëmë, një prift të bëjë një deklaratë që nuk pëlqehet. Këtu në Shqipëri kanë bërë disa syresh deklarata të tilla. Por ata normalisht nuk i heq njeri, sepse nuk shkarkohen dot ngaqë kanë sistem piramidal emërimi. Dhe në fakt një diskutim me besimtarët është diçka që është e drejtë e atij komuniteti.
 
Kështu ndodh kudo edhe në SHBA ku shumë vllazëri diskutojnë gjëra edhe të rrezikshme apo tabu, por nuk linçon kush. Sepse shteti apo shoqëria e ndarë nga feja krijon kushte për shprehjen e lirisë së besimit. Çdo gjë tjetër, është ngulfatje apo cënim i një të drejte themelore të njeriut. Pra çfarë arriti kjo fushatë? Si do thoshte Galilei: “Eppur Si Muove”. Mendimi nuk ndryshohet. Vetëm sa thellohet hendeku në opinion dhe polarizohet shoqëria.

Ylli PATA

Marrë nga portali: TeSheshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit